Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut kërkon që, në rast të ndryshimit të kushtetutës, të ndryshohet edhe formulimi për gjuhën shqipe.
Aktualisht, gjuha shqipe në kushtetutë përkufizohet si gjuhë, të cilën e flasin më shumë se 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Kërkesa e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut është që gjuha shqipe të definohet qartë si gjuhë zyrtare e shtetit, sepse "nuk është në rregull që të kemi gjuhë me përqindje”.
Kërkesa e opozitës vjen pas paralajmërimit të kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, që në aktin më të lartë juridik të përmenden edhe bashkësitë më të vogla etnike, si ato: bullgare, gorane, torbeshe, egjiptiane dhe etnitetet tjera që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.
"Para anëtarësimit në Bashkimin Evropian e kemi patjetër ta hapim kushtetutën. Një nga arsyet janë edhe bashkësitë më të vogla etnike që jetojnë këtu e që duhet të përmenden. Si shoqëri e hapur, si shtet evropian, do ta ndjekim shembullin e vendeve evropiane", ka deklaruar kryeministri Zaev, pas reagimeve të Sofjes për anashkalimin e pakicës bullgare.
Partitë e opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thonë se nuk do t’i mbështesin ndryshimet e tilla nëse nuk rregullohet, sipas tyre, padrejtësia që i bëhet gjuhës shqipe.
"Ne kemi theksuar se në momentin që do të bëhet qeveria e zgjeruar, do të jetë edhe numri i mjaftueshëm prej 120 deputetësh që mundëson edhe intervenimin në kushtetutë dhe të largohet ky definim ofendues. Aq më tepër kur të gjitha partitë politike, të paktën në aspektin deklarativ, kanë thënë se nuk pajtohen me definime të tilla dhe se janë të gatshme për t`iu qasur ndryshimeve kushtetuese, për të eliminuar këtë përkufizim", ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Ilmi Aziri, deputet i koalicionit Aleanca për Shqiptarët Alternativa.
Por, nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), theksojnë se opozita shqiptare me këtë kërkesë synon të sigurojë ekzistencën politike.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë theksuar se 20 përqindëshi, si kategori kushtetuese, ishte arritur si kompromis për përcaktimin e të drejtave të shqiptarëve, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.
BDI-ja ka thënë së është e hapur për dialog lidhur me këtë çështje.
“Opozita kërkon tema për ekzistencë politike dhe krijon përshtypje se mund të përballet me çështje të mëdha, megjithëse është e vetëdijshme që këto kafshata, opozita nuk i kapërdin dot, sepse nuk ka kapacitet për t'i zbatuar ato politika. Me miqtë tanë ndërkombëtarë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka kapacitet që të realizojë një gjë të tillë, përkatësisht, që të merret me tema të mëdha, siç është kjo që inicion opozita”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arbër Ademi, koordinator i Grupit Parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ndërkaq, Xhevdet Nasufi, i cili, si ekspert i çështjeve juridike ishte i përfshirë në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit, thotë se, përderisa subjektet politike shqiptare nuk bashkohen për ta artikuluar si kërkesë të përbashkët heqjen e përkufizimit të gjuhës shqipe si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullsisë, pala maqedonase do të gjejë mekanizma për ta bishtnuar realizmin e kësaj kërkese.
“Për të mirën e shqiptarëve kurrë nuk do të ndryshohet kushtetuta e vendit, nëse elementi politik shqiptar nuk është unik, nuk është i vendosur, dhe nuk është parimor. Në fakt, jo vetëm 20 përqindëshi, si element i përcaktimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, por ka nevojë të ndërhyhet edhe në elemente të tjera të kushtetutës, të cilat e përcaktojnë pozitën e shqiptarëve. Para së gjithash duhet të rregullohet sa më parë çështja e demokracisë konsensuale, e cila nuk gjen zbatim në praktikë. Me kushtetutë duhet rregulluar edhe elementi i shtetformimit nga shqiptarët, element ky që jo vetëm se nuk është i determinuar, por në praktikë, ky element paraqet vullnetarizëm politik, që u përket maqedonasve”, thotë Nasufi.
Në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë tjetër nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullsisë.
Mbi bazën e kësaj përqindjeje është përcaktuar realizimi i më shumë të drejtave të shqiptarëve, siç janë: përdorimi zyrtar i gjuhës, simboleve, punësimi, përfaqësimi në institucione, të drejtat kulturore dhe të tjera.
Facebook Forum