“Besoj se nga mesi i shtatorit duhet të kemi një datë për fillimin e gërmimit apo vlerësimit të lokacionit”, thotë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar i Kosovës për Personat e Zhdukur.
Deponia e plehrave afër fshatit Kozhle në jugperëndim të Serbisë është një nga lokacionet që, sipas autoriteteve të Kosovës, mund t’i fshehë krimet e kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998/99.
Komisioni për të Pagjeturit i Qeverisë së Serbisë konfirmon për Radion Evropa e Lirë se kanë filluar përgatitjet për pastrimin e vendit dhe ndërtimin e një rruge hyrëse, pas së cilës gjë është planifikuar kërkimi i deponisë “Gollo Bërdo”.
Gërmimet do të kryhen me kërkesë të Kosovës, e cila e ka informuar palën serbe për mundësinë që në këtë vend të jenë varrosur eshtra të civilëve të vrarë shqiptarë, të cilët figurojnë si të zhdukur për më shumë se dy dekada.
SHIKONI EDHE: Kurti: Po përgatitemi për gërmim në Kozhle të Serbisë në kërkim të të zhdukurveGara thotë për Radion Evropa e Lirë se informacionet për këtë lokacion janë siguruar nga dëshmitarë të ndryshëm dhe se përgatitjet në terren kanë filluar më 26 gusht.
Këtë lokacion, në fund të gushtit, e vizituan edhe për përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, bashkë me zyrtarë nga Kosova dhe nga Serbia.
“Ky aktivitet është zhvilluar në përputhje me përkushtimin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet përkatëse - duke u ofruar ndihmën e ekspertëve të mjekësisë ligjore - në zbardhjen e fatit të më shumë se 1.600 personave të zhdukur nga konflikti në Kosovë”, thuhet në një deklaratë të EULEX-it dhënë Radios Evropa e Lirë.
Gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë u vranë më shumë se 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Your browser doesn’t support HTML5
Në territorin e Serbisë, që nga fillimi i viteve 2000, janë zbuluar pesë varreza masive me gati njëmijë trupa.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.
Zhbllokim i gërmimeve?
Për gërmimet e lokacionit afër Novi Pazarit u ra dakord nga Grupet Punuese për Persona të Zhdukur të Kosovës dhe të Serbisë në takimet në Gjenevë në fund të janarit dhe fillim të korrikut të këtij viti.
Takimet u zhvilluan pas një bllokimi trevjeçar, ndërsa palët akuzuan njëra-tjetrën për mosbashkëpunim.
SHIKONI EDHE: Shpresë dhe skepticizëm për “Deklaratën” për të zhdukuritGara thotë se në takime ka propozuar që të hetohen rreth 20 lokacione në Serbi, që dyshohet se janë varreza masive apo individuale të atyre që janë zhdukur gjatë luftës.
Megjithatë, pala serbe kërkoi që t’i jepej përparësi lokacionit pranë deponisë së plehrave në lokacionin malor në Kozhle, shton ai.
Në Komisionin e Qeverisë së Serbisë për të Pagjeturit thonë se “kanë vepruar në përputhje me të gjitha kërkesat e Prishtinës, përveç lokacioneve për të cilat është rëndë dakord në mbledhjen e fundit të Grupit Punues, e që do të jenë në planin e punës për vitin e ardhshëm”.
SHIKONI EDHE: Shpresa e dhimbshme“Deri më tani janë bërë kërkime në terren në 15 lokacione në Serbinë qendrore, të cilat nuk kanë rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore”, thotë Komisioni në Serbi, duke akuzuar autoritetet kosovare se kanë refuzuar t’i kontrollojnë ato vende në Kosovë që i ka kërkuar Beogradi.
Prishtina i hedh poshtë akuzat. Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se në territorin e vendit janë hetuar 2.700 lokacione.
Vazhdojnë akuzat e ndërsjella
Dy palët vazhdojnë të shkëmbejnë akuza edhe pas njoftimit për kërkimet në një lokacion të ri në Serbi.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha më 3 shtator në Novi Pazar se Beogradi është i gatshëm të hetojë çdo vend dhe se Prishtina është përgjegjëse për mungesën e përparimit në kërkimin e të zhdukurve.
“Të gjitha lokacionet që dikush mendon se duhet të kontrollohen, janë të disponueshme dhe do të jenë të disponueshme. Sigurisht që duhet të ketë argumente se përse flitet për ato lokacione ose përse dyshohen”, tha Vuçeviq në përgjigje të pyetjeve të REL-it.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij është e përkushtuar që të verifikojë çdo informacion që kontribuon në zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur.
Ai tha se shpreson se përgatitja për gërmime afër Novi Pazarit “nuk është një përpjekje e re e Serbisë për t’i shmangur lokacionet e tjera të shënuara”.
“Nuk ka kufoma, nuk ka krime - kjo ishte strategjia e Serbisë për t’i fshehur krimet e bëra ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kjo strategji po zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të [Sllobodan] Millosheviqit në Beograd”, tha Kurti më 29 gusht.
SHIKONI EDHE: Kosova akuzon Serbinë për mosgatishmëri për zbardhjen e fatit të të zhdukurveTakimet e fundit në Gjenevë u mbajtën pa udhëheqësit e komisioneve përkatëse të Kosovës dhe Serbisë, andaj autoritetet në Prishtinë nuk i konsiderojnë si të rregullta.
Tash e dy vjet, Kosova kërkon nga pala serbe ta zëvendësojë udhëheqësin e delegacionit, Velko Odalloviq, pasi ai është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë, e cila në vitet 1990 drejtohej nga presidenti i atëhershëm, Sllobodan Millosheviq.
Ajo e akuzon Odalloviqin për pjesëmarrje në strukturat përgjegjëse për luftën dhe për persekutimin e shqiptarëve nga Kosova.
Pala serbe i hedh poshtë akuzat dhe e refuzon këtë kërkesë të Kosovës.
Çfarë ka bërë Serbia deri më tani?
Gërmimet e fundit në Serbi janë kryer në vitin 2022, në vendin e minierës Shtaval, afër Sjenicës, në jugperëndim të këtij vendi.
As në këtë lokacion, as në Kozarevë te Novi Pazari nuk janë gjetur mbetje mortore, thonë në Komisionin serb për të Pagjeturit.
Varreza e fundit masive u zbulua në vitin 2020 në vendin e ish-minierës Kizhevak, afër Rashkës, në jug të Serbisë.
Ajo ishte varreza e pestë masive që u zbulua në territorin e Serbisë që nga viti 2001.
Kosova kërkon kërkime të reja në varret e gjetura
Në takimet në Gjenevë, delegacioni i Kosovës kërkoi rihetim të lokacioneve ku u gjetën varreza masive në fillim të viteve 2000, përkatësisht në Batajnicë, Petrovo Sello dhe Peruqac.
“Për ne prioritet i lartë mbetet lokacioni në Batajnicë. Në bazë të analizave që i kemi bërë dhe në bazë të pamjeve satelitore që i kemi siguruar, inkurajojmë kthimin në këtë lokacion, për shkak të mundësisë së gjetjes dhe zhvarrimit të më shumë se 50 viktimave të luftës”, thotë Gara.
Edhe Natasha Kandiq nga Fondi joqeveritar i Beogradit për të Drejtën Humanitare thotë se mund të ketë më shumë trupa në këto lokacione.
SHIKONI EDHE: "Të paktën eshtrat t’i gjejmë diku"“Ka të dhëna që tregojnë se jo vetëm varreza pranë liqenit Peruqac, por edhe vetë liqeni duhet të zbrazet, sepse ka pretendime shumë të fuqishme se disa trupa janë gjetur me gurë në qafë, që do të thotë se ka mundësi që të jenë fundosur”, thotë Kandiq për Radion Evropa e Lirë.
Ajo shton se përveçse në Peruqac dhe në Batajnicë, edhe në Petrovo Sello “mund të ketë mbetje të tjera”.
Në fillim të shtatorit, Fondi për të Drejtën Humanitare nga Beogradi dhe nga Prishtina botoi vëllimin e dytë të librit “Libri Kosovar i Kujtesës - Dinjiteti për të Pagjeturit”, i cili bazohet në 1.636 rrëfime për të pagjeturit nga viti 1998 deri në vitin 2000.
“Libri është një përpjekje për t’i ndalur manipulimet dhe për të thënë: shikoni, lexoni se si u zhdukën këta njerëz, kush i pa për herë të fundit, ku janë ata që ishin me ta e që gjithashtu u zhdukën, ndërsa më vonë u zhvarrosën dhe u identifikuan, në cilat lokacione u gjetën... Kjo është diçka që mund të ndihmojë”, thotë Kandiq.
A do të hapen arkivat e luftës?
Kosova, gjithashtu, kërkon nga Serbia që t’i hapë arkivat e njësive të ushtrisë dhe policisë përgjegjëse për krimet kundër popullatës shqiptare.
Gara thotë se hapja e tyre do të ndihmonte në saktësimin e vendeve për gërmime.
Nga Komisioni për të Pagjeturit në Beograd përsërisin qëndrimin e mëhershëm se Serbia ka ndarë me Kosovën mbi 2.000 dokumente dhe se “në bazë të tyre, një numër i madh i mbetjeve të personave të kombësisë shqiptare është zhvarrosur në Kosovë”.
SHIKONI EDHE: Osmani: Serbia po e shkel marrëveshjen për të zhdukurit duke mos i hapur arkivatAta shtojnë se në këmbim, nuk kanë marrë asnjë informacion nga Kosova që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga komuniteti serb dhe të tjerë joshqiptarë, prej të cilëve, sipas të dhënave të këtij komisionit, janë rreth 570.
Hoti nga Komisioni në Kosovë i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se dokumentet e dorëzuara nga pala serbe, nuk kanë ndonjë rëndësi thelbësore.
Çka obligon Deklarata për të Zhdukurit?
Komisioni i Qeverisë së Serbisë thotë se në takimin në Gjenevë, Beogradi ka propozuar formimin e një grupi të posaçëm që do të merrej me arkivat e institucioneve vendase, “duke i respektuar masat e fshehtësisë së të dhënave”.
Kosova dhe Serbia u zotuan për qasje të plotë në informacione, duke përfshirë ato me status konfidencial, me Deklaratën për Personat e Zhdukur, e cila u miratua në maj të vitit 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
SHIKONI EDHE: "Familjarët po vdesin me sy hapur": Deklarata për të zhdukurit vetëm në letërZëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se kjo deklaratë, e cila u miratua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “nuk është ende në fuqi”.
“Deklarata insiston në hapjen e sirtarëve të fshehtë dhe dihet saktësisht se kush çfarë informacionesh ka. Në Serbi, ata janë gjeneralët dhe ata që përbënin udhëheqjen më të lartë politike dhe ushtarake. Në Kosovë janë komandantët e shtabeve vendore”, thotë Kandiq.
Ajo shton s Deklarata duhet të fillojë të zbatohet.
“Por, duket se ka një marrëveshje politike si nga pala kosovare, ashtu edhe nga ajo serbe, për të bërë sa më pak dhe për të bërë sa më shumë akuza”, thotë Kandiq.
Kush ishte përgjegjës për lëvizjen e trupave?
Për krime në Kosovë, përfshirë lëvizjen e trupave dhe varrosjen e tyre në varre të fshehta, në gjykatën në Hagë u dënua ish-shefi i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, me 27 vjet burg.
Në aktgjykim thuhet se transporti është kryer si pjesë e një operacioni të koordinuar për largimin e dëshmive të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.
Dënimi i Gjorgjeviqit më vonë u reduktua në 18 vjet dhe ai po e vuan atë në një burg në Gjermani.
Para gjykatave në Serbi, deri më tash, askush nuk është mbajtur përgjegjës për lëvizjen dhe fshehjen e trupave të shqiptarëve të Kosovës.