Situata në Kosovë ka qenë temë diskutimi në një takimi mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ambasadores kineze në Beograd, Chen Bo.
Siç ka njoftuar presidenca serbe, takimi, i mbajtur me kërkesë të Vuçiqit, ndodhi një ditë para vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Më 17 gusht, siç është paralajmëruar, presidenti i Serbisë do të ketë një takim me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili më pas do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Sipas njoftimit të presidencës serbe, Vuçiq i ka thënë ambasadores kineze se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut si e vetmja mënyrë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës dhe se Beogradi po kërkon që Prishtina të zbatojë marrëveshjet e arritura.
“Për nëntë vjet nuk u ka shkuar në mendje të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Presim që BE-ja dhe partnerët perëndimorë të ndikojnë te Prishtina që seriozisht dhe me përgjegjësi t'i përmbushë obligimet e saj, siç ka bërë Serbia”, tha Vuçiq, sipas njoftimit.
SHIKONI EDHE:
Rakiq: QUINT kërkoi nga ne që ta pranojmë pavarësinë e KosovësVuçiq, skeptik se takimi me Kurtin do të prodhojë ndonjë rezultatVuçiq ka theksuar se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq, sipas njoftimit, ambasadorja kineze ka thënë se shteti i saj do të mbështesë gjithmonë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.
Ambasadorja Chen po ashtu ka thënë se Kina përkrah gjetjen e një zgjidhjeje në kuadër të dialogut, nën ombrellën e rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Vuçiq dhe ambasadorja kineze Chen, kanë diskutuar edhe për projektet aktuale dhe të planifikuara midis Serbisë dhe Kinës.
Rusia dhe Kina mbështesin qëndrimin e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.
Ndërkaq, rundi i ri i bisedimeve në Bruksel mbahet në kohën e rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë.
SHIKONI EDHE:
Takim për uljen e tensioneve Kosovë-SerbiStoltenberg: KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet siguriaSerbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht, në shenjë pakënaqësie me dy vendime të Qeverisë së Kosovës, bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Vendimi i parë ka të bëjmë me lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës. Një praktikë të tillë Serbia e aplikon ndaj shtetasve të Kosovës qe 11 vjet.
Ndërkaq, vendimi i dytë kërkon që të gjitha makinat me targa serbe të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës).
Vlerësohet se në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, sikurse KM, PZ, UR, e të cilat konsiderohen ilegale nga Kosova.
Your browser doesn’t support HTML5
Barrikadat në veri u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës, pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, u pajtua që të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.
Por, që nga ngritja e barrikadave, zyrtarët në Serbi dhe Kosovë kanë ashpërsuar retorikën, gjë që ka shtyrë BE-në që të reagojë duke thënë se liderët do të mbahen përgjegjës “për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.