Ndërlidhjet

Stoltenberg: KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet siguria


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg (në mes), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (majtas) dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg (në mes), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (majtas) dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimeve të ndara që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Takimi i tyre me shefin e NATO-s vjen një ditë para negociatave që Kurti e Vuçiq do të zhvillojnë në Bruksel, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Atyre u është bërë ftesa për dialog pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik.

Serbët e Kosovës kanë ngritur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar dy vendime për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Barrikadat janë hequr pasi Qeveria ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator.

Stoltenberg ka thënë se situata në terren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.

I pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për intervenim të NATO-s, Stoltenberg ka thënë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”.

Stoltenberg ka thënë se fakti që KFOR-i është misioni më i madh ushtarak i NATO-s jashtë aleancës - me rreth 4.000 trupa - flet për përkushtimin e saj në parandalim të tensioneve.

Shefi i NATO-s ka thënë se neutraliteti i KFOR-it është i rëndësishëm dhe se “Kosova ka mundësi të demonstrojë se është aktore e përgjegjshme brenda komunitetit euroatlantik”.

Kurti: Zbatimi i vendimit për targat është legal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë arsye të jenë vigjilentë këto ditë për shkak “të qasjes destruktive të fqinjit tonë verior ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi”.

I pyetur nëse ka mundësi të zmbrapset nga hapi për të zbatuar vendimin për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka thënë se implementimi përbën veprim legal.

“Po zbatojmë diçka që është legale sipas ligjit dhe kushtetutës sonë, dhe diçka për të cilën është zotuar Serbia në dialogun e Brukselit. Nuk shohim rrugë tjetër dhe besoj se është në të mirën tonë të bëjmë legjitime gjërat në shtetin tonë”.

Kurti është pyetur edhe nëse e pranon deklaratën se të dyja palët janë përgjegjëse për përshkallëzim të tensioneve.

“Në njërën anën kemi shtetin demokratik të Kosovës, kemi policinë profesionale të republikës sonë dhe, në anën tjetër, kemi struktura ilegale të Serbisë, që janë kthyer në banda kriminale dhe kanë krijuar barrikada. Nëntë nga 13 sosh janë krijuar brenda 10 minutave. Në këtë kuptim mund të themi se janë dy palë, por ne nuk duhet ta humbin aspektin moral. Nuk duhet të braktisim politikat e vendosura dhe kjo nënkupton se duhet të ketë tolerancë zero ndaj krimit dhe korrupsionit, ndaj krimit të organizuar”.

Përgjatë konferencës për media, Kurti ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO.

"Unë e di që i kemi katër vende të NATO-s, që nuk njohin pavarësinë tonë. E di që nuk është e lehtë, mirëpo unë gjithmonë punoj shumë dhe insistoj në atë që është e drejtë dhe e nevojshme”.

Vendet anëtare të NATO-s që nuk njohin pavarësinë e Kosovës janë: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Vuçiq për takimin në Bruksel: Nuk pajtohemi për asgjë

Përgjatë konferencës për media, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia e respekton misionin e KFOR-it.

“Kemi folur për atë që ka ndodhur. Nuk kemi nevojë që të shohim secilën herë situatën sipas një perspektive. E respektojmë misionin e KFOR-it dhe njoftimi i tyre atë natë ka ndikuar në ulje të tensioneve”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar deklaratës së misionit të NATO-s më 31 korrik, se është i gatshëm të intervenojë nëse përshkallëzohet situata në veri të Kosovës.

Çfarë i parapriu takimeve me Stoltenbergun?

Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiq, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg (djathtas) dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (majtas). 17 gusht 2022.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg (djathtas) dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (majtas). 17 gusht 2022.

Sa i përket dialogut, Vuçiq e ka parë takimin si të vështirë.

“Paqja dhe stabiliteti janë shumë të rëndësishme për Serbinë. Nuk dua t’ia lë fajin dikujt. Do të kemi diskutime të vështira nesër, ne nuk pajtohemi thuajse në asgjë. Ne duam të forcojmë bashkëpunimin me KFOR-in dhe NATO-n, dhe duam të evitojmë çfarëdo konflikti. Ne besojmë që nuk kemi bërë asnjë lloj provokimi", ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Takimet në kryeqendrën evropiane mbahen në kohën e rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendime të ekzekutivi të udhëhequr nga Kurti.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës. Dokument të tillë Serbia lëshon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

*Video nga arkvi: Çfarë është dokumenti për hyrje/dalje?

Çfarë është dokumenti për hyrje/dalje?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa me akronime të Kosovës, sikurse PZ, KM e të ngjashme, qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. Prishtina i konsideron këto targa ilegale.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 31 korrik tha se ishte i gatshëm të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti, sipas mandatit që derivon nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.

Qëndrim të njëjtë shprehu edhe Stoltenberg gjatë një bisede telefonike me Vuçiqin më 3 gusht.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë”, kishte thënë Stoltenberg në Twitter pas bisedës me Vuçiqin.

Kryeministri Kurti deklaroi për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht se ka pasur rrezik që tensionet në veri të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur. Ai ka fajësuar Beogradin për rritjen e tensioneve.

Ai po ashtu ka thënë se deri te rritja e tensioneve erdhi si pasojë e një fushate të dezinformimit të udhëhequr nga Serbia dhe u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bien pre e fushatave të tilla.

Ndërkaq, në Beograd, Vuçiq deklaroi disa ditë më vonë se kishte informacione për plane të Prishtinës për “likuidimin” e serbëve në veri të Kosovës, teksa ka shtuar se Serbia është për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Këto deklarata u panë me shqetësim nga Bashkimi Evropian që më 14 gusht u bëri thirrje zyrtarëve në Kosovë dhe Serbi të ndalonin retorikën nxitëse dhe tha se do të mbajë përgjegjës liderët “për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka deklaruar më 16 gusht se ambasadorët e QUINT-it i kanë thënë se vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe janë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia e Franca.

Sipas Rakiqit, Kosova mundet “me forcë të përpiqet të zbatojë disa vendime”, por se “ne nuk do të marrim pjesë në këtë”.

Lista Serbe është partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Çfarë pritet nga dialogu me 18 gusht?

Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimi do të nisë të enjten në orën 10:30 dhe do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit do të trajtohen gjithashtu çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me secilin lider.

Në fund të takimit përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, do të mbajë një deklaratë për mediat.

Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit të kaluar.

Palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket edhe përfundimit të procesit dialogut të nisur më 2011.

Përderisa Kosova kërkon që procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshijë njohjen reciproke, Serbia synon një zgjidhje kompromisi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG