Janë vetëm tri subjekte politike nga komuniteti serb, të cilat kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, që do të mbahen më 14 shkurt. Lista Serbe ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve aplikacionin me një listë prej 20 kandidatësh, Nisma Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë me tre kandidatë dhe Nisma Qytetare, Lidhja Demokratike Serbe, me pesë kandidatë.
Lista Serbe, që konsiderohet favorite në mesin e komunitetit serb, do të sfidohet nga Nisma Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Milan Dabiq nga Graçanica. Kjo nismë mbështetet publikisht nga Partia Demokratike Progresive (PDS) e Nenad Rashiqit, i cili vetë nuk do të jetë pjesë e garës.
Përveç Dabiqit, në këtë subjekt janë edhe dy kandidatë të tjerë, përkatësisht, politikanja veterane Rada Trajkoviq dhe Cvetko Velkoviq, i cili, në të kaluarën, kishte udhëhequr Zyrën për komunitete në Qeverinë e Albin Kurtit.
Lideri i PDS-së, Nenad Rashiq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e arsyetoi moskandimimin e tij, me atë që ai e quajti, nevojë për t’iu dhënë të rinjve më shumë hapësirë.
“Ka të rinj që mund të bëjnë shumë”, tha Rashiq.
SHIKONI EDHE: Votimi i serbëve të Kosovës, nën presion“Të rinjtë zakonisht qëndrojnë mënjanë sepse nuk duan të bëhen pjesë e fushatave të ndyra që zhvillohen sa herë që kemi aktivitete parazgjedhore, ku zakonisht kemi etiketime të rënda, madje edhe fyerje për ata që nuk janë në anën e Listës Serbe”, shtoi ai.
Si arsye tjetër, për moskandidim është edhe “çështja ligjore" që po zhvillohet kundër tij. Ai thotë se për këtë arsye, nuk dëshironte të "shkelte procesin e zgjedhjeve".
Rasti i Nenad Rashiqit ka të bëjë me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ku janë të përfshirë 19 persona, me dyshimet për abuzim të pozitës së tyre zyrtare gjatë privatizimit të ndërmarrjeve publike më 2013. Në atë kohë, Rashiq ishte ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës.
Rashiq beson se serbët e Kosovës mund të ndryshojnë diçka vetëm duke marrë pjesë në zgjedhje. Ai thotë se "njerëzit janë lodhur duke u manipuluar".
"Aktualisht, serbët nuk kanë përfaqësues adekuat në institucione dhe kjo po dëshmohet çdo ditë”, thotë Rashiq.
Iniciativa tjetër është Lidhja Demokratike Serbe që drejtohet Sllavisha Petkoviq. Ai vendosi që të angazhohet sërish në politikë, në mënyrë që serbët në Kosovë të kenë më shumë opsione votimi më 14 shkurt.
“Ne do të përpiqemi ta ndalojmë këtë shtypje nga ana e Listës Serbe”, u shpreh Petkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se nuk ka pritshmëri për garë të barabartë, duke u nisur nga fakti se “Lista Serbe ka logjistikën e Qeverisë së Serbisë”.
"Ne do të përpiqemi t’i bindim njerëzit, megjithëse nuk ka asgjë për t’i bindur, pasi njerëzit e dinë, por janë të frikësuar. Sinqerisht, shpresojmë se kësaj here Lista Serbe nuk do të ketë sukses në marrjen e të dhjetë mandateve”, thotë ai.
Petkoviq ishte ministri i parë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe udhëheqës i Partisë Demokratike Serbe, të cilën më vonë e mbylli.
Lista Serbe, e vetmja që ka mbështetjen e Beogradit
Edhe në këto zgjedhje, vetëm Lista Serbe e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Këtë e konfirmoi sërish Goran Rakiq, udhëheqës i Listës Serbe më 15 janar, kur edhe dorëzoi listën me kandidatë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë. Rakiq tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq “qëndron prapa këtij subjekti politik”.
“Prapa emrit të Listës Serbe janë rezultatet dhe ajo që është më e rëndësishmja është se pas Listës Serbe, si dhe prapa popullit serb, qëndron presidenti Aleksandar Vuçiq. Unë jam thellësisht i bindur dhe e di që Lista Serbe do të fitojë të dhjetë mandatet edhe këtë herë”, deklaroi Rakiq.
SHIKONI EDHE: Lista Serbe, ndërmjet pushteteve në Prishtinë dhe BeogradNë zgjedhjet e fundit parlamentare më 2019, Lista Serbe shënoi fitore bindëse, duke marrë besimin e 53,861 votuesve, me ç’rast fitoi të dhjetë vendet të cilat janë të rezervuara për komunitetin serb.
Në zgjedhjet e fundit, pos Listës Serbe kishin garuar edhe Partia e Pavarur Liberale (SLS), që mori 1.859 vota, Partia Serbe e Kosovës(KSP) e cila u votua nga 816 votues dhe koalicioni Sloboda, që mori 672 vota.
Pas dështimit në zgjedhjet e 2019-tës, Partia e Pavarur Liberale (SLS) vendosi për moratorium politik, në vitin 2020, duke e ndalur aktivitetin politik.
Lideri i SLS-së, Sllobodan Petroviq, aktualisht nuk është aktiv në politikë, e disa nga ish-aleatët e tij, i janë bashkuar Listës Serbe.
Partia e Serbëve të Kosovë (PKS), që udhëhiqet nga Aleksandar Jabllanoviq ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kjo parti, përmes një deklarate për media, ka akuzuar KQZ-në se “nuk ka siguruar kushte për zgjedhje të lira e demokratike në zonat me shumicë serbe”.
“Ne vërejmë se vendimet e KQZ-së për zgjedhjet janë në përputhje me parimet demokratike dhe normat ligjore, por kjo vetëm në letër. Në zonat me shumicë serbe, këto parime janë të pazbatueshme ose nuk zbatohen qëllimisht, kështu që fushata zgjedhore (shoqëruar me kërcënime dhe dhunë), vetë procesi zgjedhor si dhe numërimi i votave dhe përpilimi i procesverbaleve të votimit, shkelin thellësisht parimet themelore dhe bazat e një procesi demokratik zgjedhor”, u tha në deklaratën e PKS-së.
Gogiq: Lista Serbe nuk ka konkurrencë, është krijuar monopol
Analisti politik, Ognjen Gogiq, që është pjesë e organizatës joqeveritare “Aktiv”, që angazhohet për pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në nivelin lokal dhe qendror në Kosovë, vlerëson se tash e sa kohë, nuk ka pasur pluralizëm politik brenda komunitetit serb në Kosovë.
“Në Kosovë, në mesin e komunitetit serb, është krijuar një monopol i Listës Serbe, kryesisht për shkak të mbështetjes së Beogradit. Në një farë mase, është politikë e Beogradit zyrtar për të vendosur të gjithë serbët nën një ombrellë, e të cilët përfaqësohen nga Lista Serbe. Të gjitha partitë e tjera politike janë shembur sistematikisht, janë portretizuar si të pabesa e kështu me radhë”, tha Gogiq.
Sipas tij, skena politike serbe në Kosovë është shkatërruar dhe kjo është arsyeja pse “Lista Serbe është i vetmi faktor i rëndësishëm politik”.
"Gjatë këtyre zgjedhjeve realisht nuk ka garë, siç nuk kishte as në zgjedhjet e mëparshme, as në ato qendrore dhe as ato lokale”, vlerëson Gogiq.
SHIKONI EDHE: Partitë dhe nismat opozitare serbe në veri ‘dorëzohen’ para Listës SerbeAi thotë se në këtë fushatë zgjedhore, Lista Serbe ndoshta “nuk do të jetë armiqësore me të tjerët”, por ai nënvizon se nuk ka barazi midis subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje.
“Ata e kanë arritur qëllimin që shumë kohë, me opsione të tjetra për të neutralizuar kundërshtarët e tyre politikë, kështu që kjo fushatë do të kalojë më paqësisht”, parashikon ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt dhe fushata dhjetëditore fillon në 3 shkurt.
Këto zgjedhje u urdhëruan nga Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj, në rastin e deputetit Etem Arifi.
Gjykata më 21 dhjetor 2020 e rrëzoi Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti, që u zgjodh më 3 qershor 2020, me arsyetimin se është kundërkushtetuese, pasi vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, ishte përcaktuese për qeverinë.