Senatorët amerikanë: Kërkohet sakrificë për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Your browser doesn’t support HTML5

Senatorët amerikanë rikonfirmojnë mbështetjen e SHBA-së për dialogun

Në Prishtinë kanë qëndruar senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson. Ata kanë zhvilluar takime me përfaqësues politikë në Kosovë dhe tema kyçe për të cilën është biseduar, sipas senatorëve amerikanë, ka qenë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Senatori republikan, Ron Johnson, tha para mediave se vizita e tij dhe senatorit demokrat Chris Murphy në Kosovë, është një rikonfrimim i mbështetjes së SHBA-së ndaj procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në veçanti ne kemi qenë të përfshirë, unë kam qenë, njëjtë dhe senatori Murphy në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që të vijmë deri të një marrëveshje, është çelësi që hap potencialin e së ardhmes. Pra, ne jemi këtu së pari të mbështesim qytetarët e rajonit, qytetarët e Kosovës, qytetarët e Serbisë. Ne duam që t’i shohim ata të kenë sukses”, deklaroi senatori Johnson.

SHIKONI EDHE: Dialogu, test pa alternativë për qeverinë e ardhshme

Ndërkohë, senatori demokrat, Chris Murphy duke folur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, tha se priten sakrifica nga të dyja palët, megjithatë sipas tij, marrëveshja do të kishte ndikim të madh pozitiv edhe në aspektin ekonomik për të dyja vendet.

“Ne shohim një të ardhme për Kosovën që ekziston me miqtë tanë në komunitetin evropian dhe të gjithë bizneset amerikane dhe transatlantike që mund të jenë partnerë në suksesin ekonomik të Kosovës. Por, janë dy gjëra të nevojshme për ringjalljen ekonomike. E para është reforma e brendshme, përkushtimi për rendin dhe ligjin, përkushtimi për reformën në sistemin e edukimit, por po ashtu përkushtimi për dialogun me Serbinë që do të përfshijë zgjidhje të vështira, këtu dhe në Beograd”, deklaroi senatori Murphy.

SHIKONI EDHE: A po e merr SHBA-ja rolin udhëheqës në dialogun Kosovë - Serbi?

Senatori Johnson dhe Murphy do të vizitojnë edhe Beogradin, ku thanë se do t’i përcjellin mesazhet e njëjtja që i dhanë në Prishtinë.

“Ne do t’i themi gjërat e njëjta atje që i thamë këtu. Ne presim që ky dialog të jetë kuptimplotë dhe i frytshëm dhe ne shpresojmë që të dyja palët do ta kuptojnë se kërkohet sakrificë për të qenë e mundur që të normalizohen raportet mes këtyre dy kombeve”, deklaroi senatori Murphy.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me senatorët amerikanë, duke përsëritur se partneriteti me SHBA-në vazhdon të jetë vendimtar në çdo proces për Kosovën.

“Kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin tonë në NATO, BE dhe OKB”, ka thënë ai në një postim në rrjetin social, Facebook.

Vizita e dy senatorëve amerikanë vjen vetëm pak ditë pasi SHBA-ja emëroi zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Metthew Palmer, Përfaqësues të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit për emërimin e zotit Palmer u tha se do të ketë një rol kyç në fuqizimin e angazhimit diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkan.

SHIKONI EDHE: Palmer ka synim kthimin e Kosovës dhe Serbisë në negociata

Vizata e dy senatorëve amerikan në Ballkan, po ashtu ndodh në një kohë kur janë dhënë sinjale për një përfshirje më aktive të SHBA-së në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Aktualisht, Kosova është në një proces zgjedhor dhe pas përfundimit të zgjedhjeve, qeveria e re do të përballet me presionin për të gjetur një zgjidhje për taksën dhe rifillimit të dialogut me Serbinë, proces ky që u ndërpre muaj më parë.

Pala serbe, vazhdimisht ka thënë se Serbia është shumë e qartë se pa u hequr taksa e vendosur nga Kosova nuk do të vazhdojë dialogu. Ndërsa përfaqësuesi i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se synim i tij është që t'i kthejë Prishtinën dhe Beogradin sa më shpejt në tryezën e bisedimeve dhe të sigurojë një marrëveshje midis tyre.