Konstituimi i Kuvendit, pritet të pasohet me formimin e shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës. Kështu të paktën paralajmëron subjekti fitues i zgjedhjeve, koalicioni PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit për datën 3 gusht.
Përfaqësues nga koalicioni PAN [PDK, AAK dhe Nisma] thonë se të enjten deputetët e rinj do të votojnë për zgjedhjen e kryetari i të këtij institucioni.
Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i AAK-së, tha për Radion Evropa e Lirë se veç konstituimit të Kuvendit, mund të votohet edhe për Qeverinë e re të Kosovës në të njëjtën ditë.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë kryetarin e Kuvendit, e ndoshta me gjasa reale që të njëjtën ditë të nxirret për votim edhe Qeveria e zotit Haradinaj. Përgatitjet, deri në këto qaste kanë shkuar sipas agjendës dhe kornizës se paraparë. Unë besoj që nuk do të ketë asnjë telashe që të mbahet mbledhja që shënon edhe krijimin e legjislaturës së re të Kosovës", tha Nitaj.
Siç është bërë e ditur, deri më tash nga koalicioni PAN, pritet që Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, të jetë kandidat për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Blerand Stavileci, anëtar i kryesisë së PDK-së, dhe aktualisht ministër në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, tha për Radion Evropa e Lirë se tashmë është e ditur se koalicioni PAN do të formojë institucionet e reja.
Ai nënvizon po ashtu se janë bërë veprime të nevojshme që të ketë vota të mjaftueshme për krijimin e institucioneve.
"Ne konsiderojmë se tashmë kjo është punë e kryer dhe nuk presim diçka ndryshe. Pra, presim që nga data 3 gusht e tutje të nisë një epokë e re me institucionet e reja të Republikës së Kosovës", tha Stavileci.
Nitaj thotë se rezultatit i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit ka nxjerrë koalicionin PAN me numrin më të madh të mandateve, dhe sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, koalicionit PAN, shton ai, i takon të propozojë dhe ta zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin.
“Tani ka një Kuvend aty. Ka disa deputetë dhe gjithçka do të varet nga vota e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës. Ne jemi të bindu,r dhe besojmë fuqishëm se koalicioni PAN nuk do të ketë telashe as në krijimin e Qeverisë së Kosovës, mirëpo as në zgjedhjen e kryetari të Kuvendi", thotë Nitaj.
Në seancën e 3 gushtit, pritet të bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve, të bëhet betimi dhe zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët.
Valmir Ismajli, analist nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, konsideron se nuk mund të ketë probleme të mëdha në zgjedhjen e kryetari të ri të Kuvendit të Kosovës, nëse respektohen rregullat dhe ligjet. Mirëpo, sipas tij, problem mund të ketë në krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, si pasojë e numrit të pamjaftueshëm të votave nga koalicioni PAN.
"Problemin më të madh e shoh në krijimin e Qeverisë, sepse deri më tani, veç asaj që është thënë se PAN-i i ka numrat, në fakt nuk ka asgjë konkrete dhe të gjithë të apostrofuarit (deputetët e përfolur se do ta votojnë Qeverinë e re) e kanë mohuar një gjë të tillë”.
“Megjithatë, unë pres që gjithçka do të duhej të shkonte sipas procedurës dhe mundësia e parë për formimin e Qeveris t'i jepet PAN-it, përderisa mundësia e dyte duhet t'i jepet koalicionit LAA ose VV. Nëse një gjë e tillë nuk shkon sipas këtyre proceduarave, mund të kemi problem ose bllokadë siç kemi pas edhe në vitin 2014", thotë Ismajli.
Koalicioni PAN, si koalicion fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, pritet të përballet me dy ‘beteja’ rreth krijimit të numrave.
Së pari, në seancën konstituive, kërkon të gjejë mbështetjen e deputetëve për zgjedhjen e kryetarin e Kuvendit, i cili sipas të gjitha matematikave zgjedhore, i takon që të propozohet nga ky koalicion.
Sigurimi i numrave, është shndërruar në pjesën më të rëndësishme të kalkulimeve politike në prag të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 3 gusht.