Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se demokracia po përballet “me sfida të qëndrueshme dhe alarmante” në mbarë botën.
Ai këto komente i bëri në nisjen e Samitit për Demokracinë, një samit virtual, ku po marrin pjesë liderët e 110 shteteve, përfshirë edhe Kosovën.
Sipas Bidenit, trendet e demokracisë “gjerësisht janë duke shkuar në drejtimin e gabuar”, prandaj, ai tha se “demokracia ka nevojë për kampionë”. Sipas presidentit amerikan, ripërtëritja e demokracisë kërkon "përpjekje të vazhdueshme".
“Demokracia nuk ndodh aksidentalisht. Ne duhet ta ripërtërijmë në çdo gjeneratë dhe sipas meje, kjo është çështje urgjente për të gjithë ne”, tha Biden.
Presidenti Biden thanë se autokracitë e fuqishme po tentojnë që ta zgjerojnë ndikimin e tyre në mbarë botën.
“Përmes presionit të jashtëm nga autokratët, që duan të zgjerojnë fuqinë e tyre, për ta eksportuar dhe zgjeruar ndikimin e tyre në mbarë botën dhe për të justifikuar politikat dhe praktikat e tyre represive, si mënyrë më e mirë për të adresuar sfidat e sotme. Kështu e paraqesin ata këtë gjë", tha Biden.
Ai tha se në planin e brendshëm, SHBA-ja ka nisur një sërë iniciativash për t’ua përmirësuar jetën amerikanëve, por po ashtu “ne po dyfishojmë mbështetjen tonë për demokracitë në mbarë botën”, tha Biden.
Biden bëri thirrje që bota të ngrihet në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
“Si komunitet global për demokracinë ne duhet të ngrihemi për vlerat që na bashkojnë, ne duhet të ngrihemi për drejtësi dhe sundim të ligjit, për liri të shprehjes, liri të tubimit, liri të medias, liri të besimit dhe për të gjitha të drejtat e njeriut”, tha Biden.
Osmani: Do të punojmë me shtetet për të kundërshtuar propagandën ruse
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin për Demokracinë tha se demokracia nuk duhet të merret si e mirëqenë. Ajo u zotua se Kosova do të punojë me të gjitha shtetet për të “kundërshtuar ndërhyrjen dhe propagandën ruse dhe për ta promovuar paqen në mbarë botën”.
Osmani gjatë fjalimit të saj paraqiti zotimet e Kosovës, sa i përket sundimit të ligjit.
Ajo tha se sundimi i ligjit do të forcohet përmes zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe procesit të vetting-ut, i cili, sipas saj, “do t’i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë”.
SHIKONI EDHE: Ambasada amerikane: Kosovës i duhet vetting sistematik“Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm”, tha Osmani.
Osmani si zotim të dytë bëri forcimin e rolit të gruas në shoqërinë e Kosovës.
“Ne gjithashtu do ta miratojmë një strategji kombëtare të guximshme kundër dhunës me bazë gjinore për ta zbatuar Konventën e Stambollit, për ta frenuar këtë epidemi përmes parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke i rritur dënimet minimale për të pasqyruar peshën e rëndë të krimeve me bazë gjinore”, tha presidentja e Kosovës.
Osmani tha se Kosova mëton të themelojë Këshillin Presidencial prë Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, ku do të bëjnë pjesë institucione publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, dhe ky mekanizëm do të monitorojë zbatimin e zotimeve të Kosovës.
“Ky këshill tregon përkushtimin tonë afatgjatë për ta përmirësuar demokracinë tonë”, tha Osmani.
Vuçiq: “Ballkani i Hapur” forcon vlerat demokratike
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se shtet i tij është i përkushtuar për vlerat demokratike dhe po bën përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar një shoqëri demokratike, ku të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta të barabarta.
Ai tha se nisma “Ballkani i Hapur” – nismë ku bëjnë pjesë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – kontribuon në forcimin e vlerave demokratike.
“Serbia ka iniciuar nismën ‘Ballkani i Hapur’, së bashku me miqtë tanë në Ballkan, dhe jam i bindur se me promovimin e katër lirive: të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit krijon kushte për forcimin e të gjitha vlerave demokratike”, tha ai.
SHIKONI EDHE: Escobar: "Balkani i Hapur" nuk do të funksionojë pa përfshirjen e gjashtë shteteveSipas presidentit serb, anëtarësimi në BE është prioritet “kyç në politikën e jashtme dhe prandaj jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme në procesin e anëtarësimit në BE”.
Rama: Mbështetja e SHBA-së ishte vitale në rrugën tonë drejt demokracisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Samitin për Demokraicinë tha se shtetit të tij iu desh shumë kohë që të dalë nga izolimi i plotë dhe të bëhet pjesë e komunitetit të demokracisë.
“Në këtë rrugëtim, mbështetja e SHBA-së ka qenë vitale për avancimin e aspiratave demokratike, forcimit të sundimit të ligjit”, tha Rama.
Gjatë adresimit në këtë samit, Rama përmendi reformën në sektorin e gjyqësorit të nisur katër vjet, të cilën tha se Tirana është përkushtuar që ta vazhdojë.
“Me mbështetjen e SHBA-së, BE-së dhe shteteve të BE-së ne po pastrojmë sistemin gjyqësor nga pothuajse 70 për qind të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe tani jemi në procesin e rindërtimit të sistemit gjyqësor duke u bazuar në modelet e demokracive të konsoliduara”, tha ai.
Megjithatë Rama tha se politikat mund të kthehen mbrapsht, andaj ai tha se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të ndihmonte në konsolidimin e institucioneve demokratike.
Nisja e bisedimeve për anëtarësim mes BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë e Veriut janë bllokuar, për shkak të mospajtimeve që ka Bullgaria me Maqedoninë e Veriut lidhur me historinë dhe gjuhën. Sofja ka vendosur veto për nisjen e bisedimeve.
Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se shteti i tij mbështet luftën kundër autokracive. Ai tha se ky samit po mbahet në një moment kritik " kur të gjithë ne jemi dëshmitarë të dobësimit të demokracisë në mbarë botën".
"Jam i bindur se ne do të dërgojmë një mesazh të përbashkët për të gjithë autoritarët dhe populistët që duan të minojnë demokracitë tona dhe të shtypin të drejtat e njerëzve", tha ai.
BE-ja: Autokracia mund të përhapet shumë shpejt
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se demokracitë janë të ndryshme në mbarë botën, por ato janë të ndërlidhura ngushtë, duke bërë që praktikat demokratike të përhapen përtej kufijve shtetëror.
“Por, kemi mësuar se kthimi i demokracisë dhe ngritja e heshtur e autokracisë mund të përhapet po aq shpejt. Ne e dimë sesa e dhimbshme është kur një grup i vogël merr pushtet të madh dhe imponon një vizion të vetëm për gjithë shoqërinë. Këtë e pamë pas Luftës së Dytë Botërore dhe e dimë se mund të ndodhë sërish. Dhe terreni më i pjellor për këtë është dezinformimi”, tha ajo.
Ndërkaq, presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se ka modele të ndryshme demokratike, por së fundmi, veçmas gjatë pandemisë së koronavirusit, modeli i demokracisë që mbron të drejtat civile ka dëshmuar se është model i mirë.
Samiti për Demokracinë do të mbahet gjatë dy ditëve, përmes video-lidhjeve, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kjo ngjarje është cilësuar si demonstrim i udhëheqjes amerikane në mesin e një lufte ekzistenciale midis demokracive dhe autokracive apo diktaturave të fuqishme.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja të udhëheqë kauzën për demokraci, thonë tri organizata amerikaneKina dhe Rusia – dy shtete të cilat Bideni i sheh si autokracitë kryesore – nuk janë ftuar që të marrin pjesë në këtë samit, gjë që ata thonë se ka nxitur dallime ideologjike.
“Asnjë shtet nuk ka të drejtë të gjykojë peizazhin e gjerë dhe të larmishëm politik të botës përmes një mase të vetme”, shkruan muajin e kaluar, ambasadori i Rusisë, Anatoly Antonov dhe ai i Kinës, Qin Gang.
Duke e irrituar edhe më shumë Kinën, administrata Biden e ka ftuar në këtë samit Tajvanin, ishulli që udhëhiqet në mënyrë demokratike, por që Pekini e sheh si provincë kineze.
Liderët e shteteve të NATO-s, siç është Turqia dhe Hungaria nuk janë ftuar, ndërkaq udhëheqësit e Pakistanit, Filipineve dhe Brazilit janë ftuar në këtë samit.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, janë ftuar edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ndërkaq, Bosnje e Hercegovina nuk është ftuar.
SHIKONI EDHE: Raport: Përkeqësim i demokracisë në mbarë botënMichael Abramowitz, president i Freedom House tha se demokracia në SHBA po lulëzon, por viteve të fundit ajo është lënduar.
“Tani për tani, ne po kalojmë nëpër një fazë në Amerikë ku është shumë e vështirë të kryhen gjërat dhe të vërtetohet se demokracia funksionon”, tha ai për AP.
Raporti i fundit vjetor i Freedom House shënoi vitin e 15 me radhë të rënies së demokracisë në botë.
“Nuk është sekret që demokracitë në mbarë botën po përballen me sfida nga kërcënimet e reja. Shtetet, në të gjitha rajonet e botës, po përballen me një shkallë të rënies së demokracisë”, tha Uzra Zeya. Nënsekretare e Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
Një prej temave të samitit do të jetë efektet e dëmshme të korrupsionit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, para mbajtjes së samitit, tha se grupet që veprojnë përtej kufijve janë “destabilizues” dhe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë qeveritarë.
“Ne e dimë gjithashtu se krimi i organizuar, i mbështetur nga aktorët e korruptuar, mund të destabilizojë sundimin e ligjit, të përkeqësojë besimin në institucione publike dhe të dobësojë qeverisjen demokrate”, tha Blinken përmes një deklarate.