Demokracia po përkeqësohet në gjithë botën, me shtetet që po ndërmarrin veprime jodemokratike dhe të panevojshme për të mbajtur nën kontroll pandeminë COVID-19, thuhet në një raport të publikuar më 22 nëntor.
“Shumë qeveri demokratike janë duke u kthyer prapa”, tha Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore (IDEA).
Në raport thuhet se deri në gusht të vitit 2021, 64 për qind e shteteve kanë ndërmarrë masa kundër pandemisë, që janë konsideruar si “joproporcionale, të panevojshme apo joligjore”.
Kjo organizatë, me seli në Suedi, tha se situata po përkeqësohet në shtetet që nuk janë demokratike. Regjimet autokratike janë bërë edhe “më të pacipa në represionin e tyre”, liria e shprehjes është kufizuar dhe sundimi i ligjit është dobësuar, thuhet në raport.
Sipas raportit të organizatës IDEA, numri i demokracive që kanë shënuar regres është dyfishuar në dekadën e fundit dhe veçanërisht janë përmendur Shtetet e Bashkuara, Hungaria, Polonia dhe Sllovenia.
“Kjo është koha që demokracitë të jenë të guximshme, inovative dhe të rigjallojnë veten”, tha sekretari i përgjithshëm i IDEA-s, Kevin Casas-Zamora.
Në raport thuhet se “këto dy vjet pas raportit tonë të fundit, nuk kanë qenë të mira për demokracinë”.
“Në përgjithësi, numri i shteteve që lëvizën drejt autoritarizmit më 2020 tejkaloi numrin e shteteve që po shkonin në një drejtim demokratik”, thuhet në raport, duke shtuar se në dy vjetët e fundit, bota ka humbur të paktën katër demokraci ose përmes zgjedhjeve apo puçeve ushtarake.
Në raport thuhet se në mbi 80 shtete ka pasur protesta apo veprime të shoqërisë civile gjatë pandemisë, për shkak të masave të ashpra të qeverisë. Megjithatë, lëvizjet pro-demokracisë janë përballur me represion në Bjellorusi, Kubë, Esvatini, Mianmar dhe Sudan.
Sa i përket Evropës, në shtetet ku demokracia veçse ishte në rrezik, pandemia u përdor si arsyetim nga qeveritë për të dobësuar edhe më tej demokracinë. Qeveritë jodemokratike të Evropës – që sipas raportit janë ajo e Azerbajxhanit, Rusisë dhe Turqisë – kanë shtuar praktikat e tyre represive.
“Pandemia thelloi ndarjet ekzistuese ndërmjet demokracive me performancë të lartë në Evropën Perëndimore dhe demokracive më të dobëta në Evropën Lindore dhe Qendrore”, tha Sam Van Der Staak, kreu i Programit për Evropën.
“Kjo ndarje do të vazhdojë ta sfidojë unitetin e Evropës, pasi po ashtu përballet me presion nga jashtë të superfuqive jodemokratike”, shtoi ai.
Në Azi, sipas raportit të IDEA-s, Afganistani, Hong Kongu dhe Mianmari kanë vuajtur “nga vala në rritje e autoritarizmit”. Por, erozion demokratik ka pasur në Indi, Filipine dhe Shri Lankë.
“Ndikimi i Kinës, i shoqëruar me autokracinë e saj, gjithashtu ka vënë në rrezik legjitimitetin e modelit demokratik”, thuhet në raport.
Në Afrikë, rënia e demokracisë “ka minuar përparimin e madh të shënuar në kontinent gjatë tri dekadave të fundit”. Sipas raportit, pandemia e koronavirusit ka shtuar presionin ndaj qeverive që t’u përgjigjen shqetësimeve lidhur me qeverisjen, të drejtat dhe barazinë sociale.
Në raportin e IDEA-s gjithashtu thuhet se ka pasur rënie të demokracisë në Bolivi, Brazil, Kolumbi, El Salvador dhe Shtetet e Bashkuara.