Sali Berisha lirohet nga arresti shtëpiak

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Gjykata e Posaçme në Shqipëri ka vendosur të mërkurën ta lirojë ish-kryeministrin Sali Berisha nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Kjo masë ndaj Berishës ishte vendosur gati një vit më parë – më 30 dhjetor të vitit të kaluar – pasi ish-kryeministri kishte refuzuar detyrimin për t'u paraqitur në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ai ishte ftuar të paraqitet para SPAK-ut për t'u marrë në pyetje në lidhje me hetimet ndaj tij për korrupsion në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Avokati i tij, Genc Gjokutaj, tha për mediat se, mbi bazën e kërkesës së tij, gjykata vendosi ta lirojë Berishën nga masa e arrestit shtëpiak.

“Gjykata konstatoi se nuk ekzistojnë më kushtet e as kriteret për asnjë lloj mase sigurimi ndaj Berishës. Prokuroria kërkoi që ai të mbetej në arrest shtëpiak, por sot nuk ka asnjë masë tjetër sigurimi ndaj tij”, tha Gjokutaj.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja mbështet SPAK-un: Reforma në drejtësi në Shqipëri po jep rezultate

Avokati i Berishës shtoi se vendimi për ta liruar Berishën nga “arresti shtëpiak” është i zbatueshëm menjëherë. Pritet reagimi i Prokurorisë nëse do të apelojë këtë vendim.

Ish-kryeministri Berisha ndodhet nën hetim prej tetorit të vitit të kaluar për akuzën e korrupsionit pasiv.

Në atë kohë ndaj tij u vendos masa e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Masa u rëndua në “arrest shtëpie” pasi ish-kryeministri Berisha refuzoi ta zbatonte vendimin e gjykatës.

Më 21 nëntor, Gjykata Kushtetuese pranoi pretendimin se bllokimi i pasaportës ishte joproporcional dhe se masa “detyrim paraqitjeje” ishte e mjaftueshme.