Rusia ndalon një shtetas amerikan nën dyshimet se sulmoi një zyrtar policor

Zyrtarë policorë në Moskë. Fotografi nga arkivi.

Një shtetas amerikan është ndaluar në Moskë, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë kundër një zyrtari policor, ka thënë Komiteti Hetues i Rusisë më 14 gusht.

Ky burrë është ndaluar më 12 gusht, nën akuzat për “huliganizëm”, ka thënë ky Komitet.

“I pandehuri ka refuzuar të ofrojë informacione për identitetin e tij, dhe më pas ka ushtruar dhunë kundër një zyrtari për zbatim të ligjit”, kanë thënë hetuesit.

Komiteti Hetues nuk e ka identifikuar burrin, mirëpo një kanal në Telegram që vëzhgon gjykatat në Moskë, e ka identifikuar atë si Joseph Tater, dhe ka thënë se ai është dënuar me 15 ditë burgim për huliganizëm.

Interfax e ka identifikuar burrin si Joseph Tager, 46-vjeçar, dhe ka thënë se ai është ndaluar për huliganizëm dhe sulm ndaj një zyrtari policor, dhe që ndaj tij mund të hapet një rast penal.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, u ka thënë gazetarëve në Uashington se Departamenti i Shtetit është në dijeni për raportimet se një shtetas tjetër amerikan është arrestuar në Rusi, dhe ka thënë se “po punojmë për të siguruar sa më shumë informacione, dhe për të kuptuar nëse ekziston qasja konsullore”.

Shumë amerikanë tjerë janë mbrapa burgjeve në Rusi, edhe pas këmbimit të të burgosurve më 1 gusht, që ka rezultuar me lirimin e 16 personave nga burgjet e Moskës, në këmbim të tetë rusëve që janë mbajtur në burgjet e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

Njëra prej tyre është Ksenia Karelina, është cila është duke u mbajtur në Rusi prej janarit dhe mund të përballet me 15 vjet burgim, pasi është shpallur fajtore për tradhti.

Karelina, shtetase amerikano-ruse, është ndaluar nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë në Jekaterinburg, në janar, ku ka udhëtuar për t’i takuar familjarët.

Vendimi ndaj saj pritet të merret më 15 gusht.

Karelina është akuzuar fillimisht për huliganizëm, më saktësisht për sharje të zyrtarëve policorë.

Agjentë të sigurisë, më pas, kanë kërkuar në telefonin e saj dhe kanë zbuluar se para se të udhëtonte në Rusi, ajo e ka kryer një donacion prej 51 dollarësh për një organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara, që ofron ndihma në Ukrainë.

Në këmbimin e të burgosurve më 1 gusht, janë përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusia, dhe disa vende evropiane.

Në mesin e të liruarve janë, gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, gazetari i të përditshmes amerikane, Wall Street Journal, dhe ish-marinsi amerikan, Paul Whelan.

SHIKONI EDHE: 288 ditë burgim: Alsu Kurmasheva kthehet në shtëpi