Rusia, shteti me më së shumti armë bërthamore në botë, mund të zvogëlojë kohën e vendimmarrjes për përdorimin e tyre, nëse Moska beson që kërcënimet po rriten, ka thënë Andrei Kartapolov, udhëheqës i Komitetit parlamentar rus për Mbrojtje.
Lufta në Ukrainë e ka nxitur konfrontimin më të madh në mes të Rusisë dhe Perëndimit, prej Krizës Kubane të Raketave, më 1962, dhe së fundmi presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia mund të ndryshojë doktrinën e saj bërthamore, duke përcaktuar kushte të reja se kur mund të përdoren ato armë.
SHIKONI EDHE: Biden paralajmëron që Putini “nuk do të ndalet në Ukrainë”Kartapolov është cituar të ketë thënë – sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA – që nëse kërcënimet rriten, atëherë koha e vendimmarrjes mund të shkurtohet.
“Nëse shohim që sfidat dhe kërcënimet rriten, kjo nënkupton që mund të përmirësojmë diçka në këtë doktrinë, sa i përket kohës së përdorimit të armëve bërthamore dhe vendimit për t’i përdorur ato”, është cituar të ketë thënë Kartapolov.
Kartapolov, i cili dikur i ka komanduar forcat ruse në Siri, dhe tani është deputet i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, ka thënë se tani është shumë herët për të folur për ndryshime specifike në doktrinën bërthamore.
Doktrina bërthamore e Rusisë, e vitit 2020, përcakton se kur mund të konsiderojë presidenti përdorimin e një arme bërthamore: kryesisht si përgjigje ndaj një sulmi që është përdorur armë bërthamore, armë të shkatërrimit në masë, ose “kur ekzistenca e shtetit është nën rrezik”.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë më së shumti armë bërthamore apo 88 për qind të të gjitha armëve të tilla në botë, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë.
Të dyja vendet janë duke modernizuar arsenalet bërthamore, derisa Kina është duke u forcuar secilën herë e më shumë në këtë drejtim.
SHIKONI EDHE: Kina, India dhe Koreja e Veriut rrisin arsenalet bërthamorePutin ka thënë këtë muaj se Rusia nuk duhet të përdorë armët bërthamore për të fituar luftën në Ukrainë, sinjali më i qartë i Kremlinit që konflikti më vdekjeprurës në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore, nuk do të përshkallëzohet në luftë bërthamore.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.