Ndërlidhjet

Biden paralajmëron që Putini “nuk do të ndalet në Ukrainë”


Presidenti amerikan, Joe Biden me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe zonjat e para. Paris, 8 qershor.
Presidenti amerikan, Joe Biden me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe zonjat e para. Paris, 8 qershor.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përsëritur të shtunën mbështetjen e fuqishme për Kievin teksa e lufton pushtimin rus, dhe ka paralajmëruar që Kremlini nuk do të ndalet në Ukrainë, nëse fiton.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka pasur me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris.

Presidenti rus, Vladimir “Putin nuk do të ndalet në Ukrainë… E gjithë Evropa është e kërcënuar. Ne nuk do të lejojmë të ndodhë diçka ashtu”, ka thënë Biden.

“Shtetet e Bashkuara janë duke mbështetur Ukrainën. Nuk do ta braktisim, e përsëris”.

Macron e ka falënderuar Bidenin për këto qëndrime.

“Faleminderit zoti president, që jeni president i fuqisë më të madhe të botës dhe që e kryeni këtë detyrë me besnikërinë e një partneri që respekton evropianët”.

Macron e ka mirëpritur Bidenin në Paris, duke konsideruar që vizita e zyrtarit të lartë amerikan shpërfaq lidhjet e fuqishme mes dy shteteve për çështjet e sigurisë globale.

Biden është pritur me nderime të larta dhe dy presidentët më pas kanë kryer homazhe te ushtarët e rënë gjatë luftës, si dhe janë takuar me veteranë të Luftës së Dytë Botërore.

Ceremonia zyrtare ka nisur në Harkun e Triumfit në Paris.

Më pas, të dy, bashkë me zonjat e para, janë nisur drejt Pallatit Elysee për një drekë pune.

Biden është në Francë prej 5 qershorit, dhe bashkë me Macronin, kanë marrë pjesë në 80-vjetorin e zbarkimit të trupave ushtarake të forcave aleate në Normandi, veprim që më pas ka rezultuar me mposhtjen e nazizmit në Luftën e Dytë Botërore.

Përgjatë përkujtimit të ngjarjeve historike, Biden ka bërë thirrje për mbrojtje të demokracisë në vendin e vet dhe përtej.

Në Francë, Biden është takuar edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përveç ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, të miratuar nga Kongresi amerikan më herët gjatë vitit, Biden ka prezantuar edhe një paketë tjetër në vlerë të 225 milionë dollarëve që përfshin municione, raketa, mortaja, artileri dhe raketa për mbrojtje ajrore.

Macron, në anën tjetër, i ka thënë Zelenskyt më 7 qershor se është duke finalizuar atë që e ka përshkruar si “koalicionin më të gjerë ndonjëherë” të instruktorëve ushtarakë për Ukrainën.

Kievi i bën thirrje vazhdimisht Evropës për ta ndihmuar ushtarakisht, sidomos pasi Rusia ka shënuar disa fitore në fushëbetëjë, vecanërisht në rajonin e Harkivit.

Megjithatë, zëdhënësi i Këshillit amerikan për Siguri Kombëtare, John Kirby, u ka thënë gazetarëve më 7 qershor që, për shkak të ndihmës së miratuar së fundmi nga SHBA-ja, ukrainasit kanë arritur të përmbysin disa avancime ruse, sidomos rreth Harkivit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më 7 qershor në Shën Petersburg se, Rusia është “e gatshme për bisedime” me disa kushte, përfshirë “realitetin e të sotmes” – referencë për aneksimin ilegal të Krimesë dhe katër rajoneve në juglindje të Ukrainës.

Megjithatë, lideri i Kremlinit ka pretenduar se Evropa është “e pambrojtur”, për shkak të mungesës së një sistemi të hershëm të paralajmërimit.

Ai ka thënë se Rusia ka “disa herë më shumë” armë bërthamore sesa që janë aktualisht në kontinentin evropian “madje edhe nëse SHBA-ja bart të vetat".

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG