Rusia pritet të nisë stërvitje ushtarake me Kinën dhe Indinë

Trupat ruse, kineze dhe mongole dhe pajisjet ushtarake parakalojnë në fund të ditës së stërvitjeve ushtarake Vostok-2018, jo shumë larg kufirit kinezo-mongolez në Siberi. Shtator 2018.

Kur Rusia për herë të fundit bëri stërvitjet ushtarake Vostok në Lindjen e Largët në vitin 2018, rreth 300.000 trupa të saj u stërvitën bashkë me ushtarë kinezë dhe mongolë, derisa Kremlini kërkonte të projektonte një imazh të epërsisë ushtarake dhe të shfaqte lidhjet e thelluara me Pekinin.

Moska tani përgatitet për një rund tjetër të stërvitjeve, por vetëm një pjesë e vogël e totalit të mëparshëm – 50.000 trupa - do të marrin pjesë në to, ndërsa Rusia kërkon të demonstrojë se aftësitë e saj ushtarake janë ende të paprekura, pavarësisht kostos dhe tendosjes në rritje, që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.

Stërvitjet ushtarake njëjavore do të fillojnë më 1 shtator dhe do të përfshijnë forca nga Kina, India, Laosi, Mongolia, Nikaragua, Algjeria, Siria, si dhe personel ushtarak nga Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizia dhe Taxhikistani.

Stërvitjet do të përfshijnë manovra të ndryshme në ajër, tokë dhe det, me Rusinë që tha se Flota e saj e Paqësorit dhe marina e Kinës do të marrin pjesë në "veprime praktike të përbashkëta për të mbrojtur komunikimet detare dhe zonat e aktivitetit ekonomik detar" në Detin e Japonisë.

Derisa zyrtarët rusë të mbrojtjes kanë thënë se stërvitjet janë thjesht mbrojtëse dhe nuk janë të drejtuara ndaj ndonjë vendi të caktuar, por ato mbeten të mbuluara me simbolikë në mes të luftës së vazhdueshme të Moskës në Ukrainë dhe tensioneve gjeopolitike në Azi.

SHIKONI EDHE: Nga Kievi në Bukuresht: A e ka arritur kulmin ndikimi i Kinës?

Ekspertët dhe analistët e mbrojtjes thanë se stërvitjet do të vëzhgohen nga afër nga fuqitë si Japonia dhe Koreja e Jugut, sidomos pasi Rusia dhe Kina vazhdojnë të tregojnë se lidhjet e tyre politike dhe ushtarake janë në rritje.

"Kjo është një mundësi e mirë për Kinën që të punojë me Rusinë me fokusin e tyre të përbashkët në Japoni", tha për Radion Evropa e Lirë Haiyun Ma, profesor në Universitetin Shtetëror Frostburg në Mariland, i cili studion marrëdhëniet e Pekinit me Rusinë dhe vendet e Azisë Qendrore dhe Jugore.

Pjesëmarrja e Indisë ka shtuar gjithashtu një faqe tjetër intrigash në stërvitjet ushtarake.

Nju Delhi ka lidhje të gjata mbrojtëse me Moskën, por edhe marrëdhënie të forta me Uashingtonin. Kina dhe India janë në mes të një mosmarrëveshjeje kufitare në Himalaje, që shkaktoi një përplasje vdekjeprurëse vetëm dy vjet më parë, dhe indianët po përgatiten për stërvitje ushtarake me Shtetet e Bashkuara pranë kufirit kinez në tetor.

SHIKONI EDHE: Kina do të dërgojë trupa në Rusi për stërvitje të përbashkëta ushtarake

"Rusia është bërë shumë toksike në komunitetin ndërkombëtar, por këto ushtrime i lejojnë asaj t'i kthehet [mesazhit] që po përpiqej të dërgonte para luftës në Ukrainë", i tha Radios Evropa e Lirë Temur Umarov, një bashkëpunëtor në Qendrën Carnegie në Moskë. "Rusia dëshiron të vazhdojë të ndërtojë lidhjet e saj të mbrojtjes dhe të tregojë se lufta nuk e ka lënë atë plotësisht të izoluar."

Një fokus lindor

Forcat kineze dhe ruse kanë kryer rregullisht stërvitje së bashku që nga viti 2005, por ato janë zgjeruar vitet e fundit për të përfshirë stërvitjet detare në Azi dhe Mesdhe.

Në vitin 2018, Pekini dhe Moska kaluan stërvitjet në shkallë më të gjerë që u fokusuan në trajnimin e komandantëve të nivelit të lartë për të punuar së bashku, dhe vitin e kaluar trupat ruse për herë të parë u vendosën në territorin kinez për stërvitje.

Këto lidhje të ngushta arritën kulmin në atë që udhëheqësi kinez, Xi Jinping, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, deklaruan si një partneritet "pa kufij" midis vendeve të tyre në shkurt, përpara se Moska të pushtonte Ukrainën.

Që nga shpërthimi i luftës, Kina ka ecur me kujdes për të shmangur shkeljen e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, por ka fajësuar NATO-n dhe "provokimin" perëndimor për luftën në Ukrainë. Pekini ka mbështetur Moskën diplomatikisht në organizatat ndërkombëtare dhe të dy vendet kryen fluturime të bombarduesve bërthamorë mbi Detin e Japonisë në maj, derisa presidenti amerikan, Joe Biden mori pjesë në një samit në Tokio.

SHIKONI EDHE:

Pelosi: Përcaktimi i Amerikës për të ruajtur demokracinë në Tajvan mbetet i hekurtRusia kundërshton vizitën e Pelosit në Tajvan

Rusia ka mbështetur gjithashtu Pekinin mes tensioneve me Tajvanin. Në përgjigje të udhëtimit të Nancy Pelosit, Kina bëri stërvitje me zjarr të vërtetë pranë Tajvanit dhe lëshoi pesë raketa balistike që u ulën në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë.

Zyrtarët kinezë theksuan në fillim të këtij muaji se pjesëmarrja e Pekinit në stërvitjet ruse nuk ishte "e lidhur me situatën aktuale ndërkombëtare dhe rajonale", megjithëse Haiyun Ma tha se ndryshimet e fundit në politikën japoneze - si rritja e shpenzimeve të mbrojtjes, sanksionet japoneze kundër Moskës dhe kritikat nga Tokio mbi veprimet e Kinës ndaj Tajvanit - kanë ndezur tensionet.

Ai nënvizoi se në një shfaqje fuqie javën e kaluar, dy autokolona detare ruse kaluan përmes Ngushticës La Perouse që ndan Rusinë dhe Japoninë gjatë rrugës për në stërvitjet në Vostok.

Si Kina ashtu edhe Rusia kanë mosmarrëveshje territoriale me Japoninë, ku Moska dhe Tokio pretendojnë të dy Ishujt Kuril dhe Japonia administron ishujt e pabanuar të njohur si Senkakus, të cilat pretendohen gjithashtu nga Pekini dhe Taipei.

Faktori i Indisë

Përfshirja e Indisë në stërvitje, veçanërisht duke pasur parasysh pjesëmarrjen e Kinës, ka ngatërruar disa vëzhgues pasi tensionet midis Pekinit dhe Nju Delhit vazhdojnë të rriten dhe India vazhdon të ndërtojë lidhjet e saj me Perëndimin.

Më 29 gusht, India akuzoi Kinën për "militarizimin e Ngushticës së Tajvanit”, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme mbi një anije ushtarake kineze që ankorohej në një port të diskutueshëm të Shri Lankës.

Megjithatë, analistët thanë se lidhjet miqësore të Indisë me Moskën - të cilat përqendrohen rreth një marrëdhënieje të thellë mbrojtjeje - kanë çuar në pjesëmarrjen e saj në stërvitje.

SHIKONI EDHE: Sa po e ndihmon Kina Rusinë që të financojë luftën e saj në Ukrainë?

"Optika nga perspektiva perëndimore mund të mos jetë e mirë, por kjo i shërben politikës së jashtme indiane në një masë të madhe", tha për Radion Evropa e Lirë Michael Kugelman, zëvendësdrejtor i Programit të Azisë në Qendrën Wilson.

India deri më tani është përmbajtur nga dënimi i pushtimit rus dhe ka vazhduar të blejë naftë të lirë ruse, duke injoruar përpjekjet perëndimore për të izoluar Moskën.

Kugelman tha se stërvitjet ushtarake përshtaten brenda politikës së jashtme të Indisë të "autonomisë strategjike", ku ajo kërkon të balancojë midis fuqive konkurruese dhe të ndjekë interesat e veta.

SHIKONI EDHE: Çfarë po mëson Kina nga pushtimi rus i Ukrainës?

India gjithashtu i përket disa blloqeve shumëpalëshe që përfshijnë Rusinë dhe Kinën - nga BRICS me Brazilin dhe Afrikën e Jugut deri tek Organizata e Bashkëpunimit të Shangait me Pakistanin dhe vendet e Azisë Qendrore.

Kugelman tha se këto partneritete të larmishme lejojnë Nju Delhin të ndërtojë ndikim rajonal.

"Kjo i shërben mirë Indisë dhe i lejon asaj të shfaqë fleksibilitetin dhe aftësinë e saj për të balancuar vendet rivale", tha ai.

Përgatiti: Erjonë Popova