Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Moska është përballur me sanksione të ashpra që kanë goditur ekonominë e saj, teksa ndihma e madhe ushtarake dhe politike e Perëndimit për Kievin, e ka zënë në befasi Kremlinin.
Për Kinën, lufta e Rusisë në Ukrainë veçse ka ofruar disa udhëzues.
Politikëbërësit në Pekin po shikojnë me kujdes përgjigjen e vazhdueshme të Perëndimit ndaj Moskës, me qëllim që të veprojnë më mirë në rast të reagimeve të mundshme të një pushtimi eventual kinez të Tajvanit, për të cilin Kina pretendon se është pjesë e territorit të saj dhe ka kërcënuar që ta pushtojë nëse Tajpej refuzon t’i nënshtrohet kontrollit të Pekinit.
Deri më tani Pekini nuk është prekur nga pasojat e pushtimit rus, sipas drejtorit të CIA-s, William Burns, i cili tha për Financial Times më 7 maj se edhe pse përgjigja e Perëndimit ndaj Moskës erdhi si befasi për udhëheqjen në Kinë, mund të ndikojë në llogaritjet e Pekinit për Tajvanin.
Por, Burns shtoi se ai nuk beson që dëshirat afatgjate të presidentit kinez, Xi Jinping, sa i përket kontrollit të Tajvanit, të kenë ndryshuar.
Pra, cilat janë mësimet e nxjerra nga Pekini nga lufta në Ukrainë?
Udhëheqja kineze duket se po shtyn përpara një përpjekje që të mbështetet te vetvetja, një trend që veçse ishte duke u aplikuar, por që lufta në Ukrainë e bëri më të domosdoshëm për Pekinin. Ndërkohë, kompanitë kineze kanë lëvizur me kujdes teksa ndërveprojnë me ekonominë e sanksionuar të Rusisë, pavarësisht se Xi dhe presidenti rus, Vladimir Putin, shpallën një partneritet “pa kufi” mes dy shteteve, gjatë një takimi që zhvilluan në shkurt.
Përderisa po rriten shqetësimet se Pekini mund të bllokohet nga ekonomia perëndimore përmes sanksioneve dhe kufizimeve të ngjashme që i janë vendosur Rusisë, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Alicia Garcia-Herrero, shefe e ekonomistëve për Azi-Paqësorin në bankën e investimeve, Natixis.
Radio Evropa e Lirë: Kemi parë shumë tituj kohëve të fundit për disa rafineri kineze, që janë më të vogla, që blejnë naftë ruse me një çmim të lirë. Çfarë mendoni për këto lëvizje dhe çfarë na tregoi kjo për mënyrën se si Kina po i qaset përballjes me ekonominë ruse, aktualisht?
Alicia Garcia-Herrero: Për këtë çështje nuk ka një përgjigje të qartë. Kina po i qaset Rusisë në sipërfaqe, të paktën, në një mënyrë shumë miqësore. Kur shikojmë fjalët dhe jo veprat, narrativi është jashtëzakonisht pozitiv: si zyrtarisht, por edhe në media; por në realitet Kina është mjaft hezituese dhe shumë e kujdesshme që të shmangë sanksionet dytësore [nga Shtetet e Bashkuara].
Pse Kina po vëzhgon me vëmendje tensionet Perëndim-Rusi?
Kriza në Ukrainë teston raportet Moskë-Pekin
Ne shohim, sigurisht kur bëhet fjalë për bankat, ato në përgjithësi kanë ndaluar ofrimin e kredive për Rusinë. Ne e dimë, po ashtu, nga të dhënat se disa rafineri më të vogla kineze po blejnë naftë [shpesh me një çmim më të lirë]. Por, për mua kjo nuk është ndonjë dëshmi e madhe e mbështetjes masive, sepse India po bën të njëjtën gjë dhe po ashtu edhe shumë [vende] të tjera. Prandaj, nuk do ta shihja këtë si tregues për ndryshimin e qasjes.
Ato që mund ta ndryshojnë situatën janë eksportet kineze [në Rusi], por ekspertët e mallrave të duhura, që do të thotë eksportet e gjysmëpërçuesve – veçanërisht gjysmëpërçuesit komercialë dhe ushtarakë – sepse ne e dimë se Rusia ka nevojë për pajisjet e saj ushtarake. Por, kjo mund të jetë shumë e vështirë për t’u gjurmuar.
Por, nga ajo që ne mund të gjurmojmë, unë do të thosha se marrë në përgjithësi, Kina është mjaft e kujdesshme për veprimet e saj të tanishme. Nëse Pekini do të ndërmarrë ndonjë rrezik, do të jetë në sektorët më të nevojshëm për Rusinë dhe nuk mendoj se këtu përfshihet importi i energjisë, sepse ai mund ta marrë energjinë ruse gjithmonë me çmim të zbritur.
Radio Evropa e Lirë: Duket se disa investitorë po tërhiqen nga vendi dhe ka raportime se rregullatorët kinezë kanë mbajtur një takim urgjent me bankat vendase dhe të huaja për të diskutuar se si mund t'i mbrojnë asetet e shtetit jashtë vendit nga sanksionet e mundshme të reja, të udhëhequra nga SHBA-ja, të ngjashme me ato që i janë vendosur Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Pra, si po ndikon lufta në Ukrainë në ekonominë kineze?
Alicia Garcia-Herrero: Fillimisht, duhet të theksojmë se përtej Rusisë dhe luftës, Kina po kalon nëpër ferrin e saj për shkak të COVID-it, që është një tronditje e madhe për vendin. Kështu që, sipas mendimit tim, është e vështirë t’i ndash këto. COVID-i dhe [kufizimet e vendosura për shkak të koronavirusit] janë një goditje ekonomike shumë e madhe. Pra, edhe nëse pozicioni i paqartë i Kinës për luftën në Ukrainë mund të kishte pasur një ndikim, ne mund të mos e shohim atë për shkak se COVID-19 ka një ndikim më të madh.
Por, përtej këtij ndikimi të menjëhershëm, kishte largime të investitorëve të mëdhenj nga Kina në muajt mars dhe prill. Pra, mund të thuhet se kjo është një shenjë se investitorët kanë frikë nga sanksionet, por mendoj se ka shumë arsye të tjera për të shpjeguar një gjë të tillë. Për shembull, diferenca e yield-eve me Shtetet e Bashkuara është zhdukur sepse ne tashmë kemi 3 për qind për thesaret e SHBA-së, kështu që thjesht nuk ka shumë kuptim të mbani bonot qeveritare kineze tani kur monedha është zhvlerësuar. Kjo e bën më të vështirë për mua që të them se Kina me të vërtetë po vuan nga qëndrimi i saj ndaj Ukrainës. Përkundrazi, unë do të thosha se Pekini është në ankth për atë që mund të ndodhë me Kinën për shkak të Ukrainës, e cila jo domosdo është diçka që do të ndodhë menjëherë.
Mendoj se ky është çelësi. Ka të bëjë më shumë se si Kina mund të reagojë. Është një frikë mbi atë që mund t’i ndodhë Kinës dhe se si, në fakt, mund ta ndryshojë situatën se sa nga vetë sanksionet.
Kjo më sjell në takimin e raportuar urgjent që [Banka Popullore e Kinës] mbajti lidhur me atë se çfarë duhet bërë në rast të sanksioneve [ndaj Kinës]. Kemi vetëm disa informacione që kanë rrjedhur [për këtë takim], kështu që është e vështirë të dimë se për çfarë kanë diskutuar. Por, ajo që unë kam kuptuar nga informacionet që kanë rrjedhur, është se nuk bëhej fjalë për sanksione dytësore. Mendoj se ajo për të cilën Kina shqetësohet me të vërtetë, është ajo që mund të ndodhë nëse Pekini bën diçka për Tajvanin.
Kur lexoni informacionet që kanë rrjedhur, ato kanë të bëjnë më shumë me mbrojtjen e rezervave [të monedhës së huaj] të Kinës. Kjo do të thotë se në fakt po përgatitet për një lloj skenari të Rusisë, por me steroide, sepse rezervat e Kinës për monedha të huaja janë shumë më të mëdha sesa ato të Rusisë.
Dhe, shqetësimi për këtë vërtet mund ta detyrojë Kinën që të marrë vendime që mund të kenë ndikim në botë, sikurse mund të jetë nisja e heqjes dorë nga bonot e Thesarit të SHBA-së. Pra, është e lidhur indirekt me atë që kemi parë se ka ndodhur nga lufta në Ukrainë, por nuk është një [efekt] i drejtpërdrejtë. Mendoj se është e rëndësishme të merret parasysh se e gjithë bota po mëson tani [nga reagimi i Perëndimit] ndaj [pushtimit rus] të Ukrainës dhe në rastin e Kinës, ajo madje po reagon në mënyrë parandaluese bazuar në atë që po mëson nga kjo luftë.
Radio Evropa e Lirë: E ardhmja padyshim është e vështirë që të parashikohet, por cili mund të jetë një parashikim real për atë që mund të presim nga Kina, në aspektin ekonomik dhe, gjithashtu, në të ardhmen në raportet e saj me Rusinë?
Alicia Garcia-Herrero: Mendoj se Kina do të vazhdojë të ndërmarrë vendime parandaluese, izoluese. Ne e kemi parë tashmë këtë me bllokimin e internetit dhe kemi parë të ndodhë edhe me shumë lëvizje të tjera që lidhen me luftën tregtare me SHBA-në që ndodhën gjatë administratës [të ish-presidentit amerikan, Donald] Trump.
[Pekini] veçse kishte nisur të krijonte barriera, por ky proces u përshpejtua për shkak të Trumpit dhe më pas COVID-it, dhe pastaj lufta në Ukrainë, dhe sërish për shkak të COVID-it [në Kinë]. Nuk besoj se ky trend do të ndryshojë. Nëse do të më kërkohej të këshilloja Qeverinë kineze – gjë që besoj se nuk do të ndodhë – lidhur me atë se çfarë mund të bëhet për të ulur rrezikun e sanksioneve, unë do t’iu thosha që të bënin të kundërtën e asaj që po bëjnë tani. Ata duhet të rrisin ndërvarësinë e tyre, sepse kjo është leva e tyre [me Perëndimin]. Fakti që ata nuk po e shohin këtë çështje në këtë mënyrë, është sepse kjo mendësi [më izolacioniste] veçse është e rrënjosur.
Kjo më sjell te Rusia, e cila po ashtu ka një mendësi të ngjashme. Kjo e bën atë një lloj partnereje strategjike, por në mënyrë mjaft rastësore. [Pekini dhe Moska] e gjejnë veten duke e parë botën në një vizion të përbashkët, me të njëjtin lloj të mendësisë dhe ky fakt i ka afruar ata, por mendoj se është e rëndësishme të theksohet se këto lloj partneritetesh të rastësishme nuk zgjasin shumë, veçanërisht nëse shikoni historinë ruse dhe kineze. Rrethanat që i bënë ata partnerë, mund të ndryshojnë me kalimin e kohës dhe mund të ndryshojnë shumë shpejt.
Mendoj se është e pashmangshme që Rusia dhe Kina të jenë më afër njëra-tjetrës, por kjo nuk është një zgjedhje. Është një miqësi nga nevoja dhe jo nga dëshira. Ata gjenden në rrethana të ngjashme dhe as nuk duan që të jenë në këto rrethana, kjo kryesisht për shkak të vizionit të tyre për botën.
Dhe, për Perëndimin, mendoj se është e rëndësishme t'i kuptojë arsyet pse përveç Kinës dhe Rusisë ka edhe vende të tjera, të cilat po shikojnë tani dhe mund të nisin të ndihen në të njëjtën mënyrë.
Facebook Forum