Rusia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme “në nivel federal” të premten në rajonin e vet Kursk, ku forcat ukrainase janë duke e kryer një inkursion tash e katër ditë.
Ky njoftim erdhi disa orë pas një sulm të ushtrisë ukrainase në një fushë ajrore në këtë rajon.
Si përgjigje ndaj inkursionit, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi më 9 gusht se do të dërgojë forca shtesë në rajon, përfshirë raketahedhës të tipit Grad, artileri dhe tanke, raportoi Interfax.
Mediat shtetërore ruse raportuan për dërgimin e trupave dhe armatimit në Kursk, si dhe postuan një video të ushtrisë ruse duke shkuar drejt këtij rajoni.
Operacioni në rajonin e Kurskut të Rusisë është përshkruar si sulmi më i madh në tokën ruse që kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Për këtë operacion ka shumë gjëra të paqarta, përfshirë edhe numrin e ushtarëve ukrainas që po marrin pjesë, megjithëse ushtria ruse ka pretenduar se janë përfshirë rreth 1.000 trupa dhe dhjetëra automjete të blinduara dhe tanke.
Që nga nisja e inkursionit më 6 gusht, trupat ukrainase kanë marrë nën kontroll rreth 600 kilometra katrorë dhe dhjetëra vendbanime, sipas zyrtarëve lokalë dhe blogerëve proluftës.
Zyrtarët ukrainas ende e kanë konfirmuar zyrtarisht kryerjen e këtij operacioni, por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha gjatë një adresimi mbrëmjen e 8 gushtit se Rusia duhet të “ndiejë” pasojat e pushtimit të nisur ndaj shtetit fqinj.
“Rusia e solli luftën në tokën tonë dhe duhet ta ndiejë atë se çfarë ka bërë”, tha Zelensky, pa iu referuar drejtpërdrejt ofensivës.
SHIKONI EDHE: Zelensky thotë se Rusia “duhet ta ndiejë” luftën, teksa Moska pretendon se zmbrapsi një inkursionUshtria ukrainase tha se ka goditur një bazë ajrore në rajonin e Lipetskut gjatë natës, duke dëmtuar depot me bomba.
"Janë regjistruar disa zjarre, përfshirë një zjarr të madh që shpërtheu pas disa shpërthimeve", tha ushtria e Kievit përmes një postimi në Telegram.
Ushtria ukrainase tha se në këtë bazë ajrore gjendeshin avionët rusë të llojeve Su-34, Su-35 dhe MiG-31.
Më herët gjatë 9 gushtit, mediat zyrtare ruse, përfshirë TASS-in, raportuan për një zjarr në një bazë ajrore në rajonin Lipetsk, që gjendet në perëndim të rajonit Kursk, vendin ku po vazhdon inkursioni. Në raportimet e mediave ruse nuk është përmendur shkaku i shpërthimit të zjarrit.
Këto raportime u bënë disa orë pasi guvernatori rajonal, Igor Artamonov, shkroi në rrjetet sociale se Lipetsku “është bërë subjekt i një sulmi masiv me dronë”. Ai më vonë shtoi se është dëmtuar infrastruktura e energjisë dhe gjashtë persona janë plagosur.
Artamonov fillimisht u bëri thirrje banorëve të injorojnë thirrjet për evakuim të publikuara në rrjetet sociale, duke thënë se këto thirrje “po shpërndahen nga armiku në mënyrë që të krijohet panik”. Por, disa orë më vonë ai tha se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në qarkun e Lipetskut dhe se banorët në katër vendbanime në periferi të qytetit të Lipetskut janë urdhëruar që të evakuohen.
SHIKONI EDHE: Gjendje e jashtëzakonshme në rajonin rus, Kursk, pas një inkursioni tokësorNdaras, guvernatori i Stevastopolit, qytetit në Gadishullin ukrainas të Krimesë të pushtuar nga Rusia, Mikhail Razvozhayev shkroi në Telegram se forcat ruse kishin shkatërruar dronë në afërsi të qytetit.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se në total 75 dronë të Ukrainës janë shkatërruar mbi Rusi gjatë natës, shumica e të cilëve mbi rajonin e Belgorodit dhe të Lipetskut.