Ndërlidhjet

Gjendje e jashtëzakonshme në rajonin rus, Kursk, pas një inkursioni tokësor


Një fotografi e publikuar nga ushtrues i detyrës së guvernatorit të rajonit Kursk, Aleksei Smirnov, shfaq dëmet në qytezën Sudzha, më 6 gusht 2024.
Një fotografi e publikuar nga ushtrues i detyrës së guvernatorit të rajonit Kursk, Aleksei Smirnov, shfaq dëmet në qytezën Sudzha, më 6 gusht 2024.

Guvernatori i rajonit Kursk të Rusisë, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën, shpalli gjendje të jashtëzakonshme të mërkurën, pas një ofensivë të gjerë tokësore të Ukrainës, e cila përfshin tanke, autoblinda dhe artileri, sipas Rusisë.

“Për t’i shmangur pasojat e forcave të armikut që po vijnë në rajon, mora vendim për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në rajonin Kurks nga 7 gushti”, tha guvernatori Aleksei Smirnov në Telegram.

Më herët, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e akuzoi Kievin se i sulmoi me raketa ndërtesat civile dhe të banimit në rajonin kufitar rus, Kursk, pas raportimeve nga bllogerët rusë pro luftës se një numër fshatrash ruse janë pushtuar nga forcat ukrainase.

Duke folur gjatë një takimi qeveritar më 7 gusht, Putini e quajti operacionin ushtarak “provokim i madh”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Rusisë, gjenerali Valery Gerasimov, i tha Putinit se forcat ruse e ndaluan përparimin e forcave ukrainase që përbëheshin nga rreth 1.000 ushtarë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një video të postuar të mërkurën mbrëma e falënderoi ushtrinë ukrainase, duke i veçuar trupat përgjatë vijës së frontit në zonat Pokrovsk, Toretsk, Liman dhe Harkiv, si dhe “kudo që po vazhdon mbrojtja jonë kundër ofensivave”.

Zelensky nuk e përmendi Kurskun, po tha se është e rëndësishme të vazhdojë shkatërrimi i armikut “tamam me saktësinë që ushtarët tanë e dinë dhe po me aq efikasitet që jep rezultat”.

Sa më e madhe trysnia ndaj Rusisë, aq më afër do të jetë paqja, shtoi ai.

“Paqe e drejtë përmes forcës paqësore. I falënderoi të gjithë që e mundësojnë këtë”, theksoi ai.

Më herët gjatë ditës, Smirnov tha se dy njerëz u vranë nga një sulm ukrainas me dronë në afërsi të qytezës Sudzha, një ditë pasi Moska e akuzoi Ukrainën se me qindra ushtarë i sulmoi pozicionet ruse në rajonin kufitar.

“Regjimi i Kievit e ka bërë një provokim tjetër në shkallë të gjerë dhe i ka granatuar pa dallim ndërtesat civile, shtëpitë e banimit dhe ambulancat me armë të ndryshme”, tha Putin.

Pretendimi i Putinit ishte e pamundur të verifikohej.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha për gazetarë se i takon Ukrainës t’u përgjigjet pyetjeve për operacionet e saj, por shtoi se “asgjë nuk ka ndryshuar” në lidhje me politikat e SHBA-së për ndalimin e sulmeve brenda Rusisë me armë të furnizuara nga SHBA-ja, përveç në raste kur në shënjestër janë “kërcënimet e pashmangshme matanë kufirit”.

Smirnov tha në Telegram se një dron ukrainas goditi një ambulancë në lëvizje, duke i vrarë dy njerëz në Sudzha, qytezën që ndodhet vetëm 10 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Kievi nuk e ka komentuar pretendimin e Smirnovit, i cili nuk ishte e mundur të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se 300 trupa të mbështetur nga 11 tanke dhe më shumë se 20 autoblinda e kaluan kufirin dhe u futën në rajonin Kursk, duke i sulmuar pozicionet ruse në afërsi të vendbanimeve Nikolayevo-Karino dhe Oleshnya.

Ukraina nuk e ka komentuar këtë pretendim. Moska tha se forcat e saj e zmbrapsën këtë ofensivë duke përdorur zjarr artilerie, avionë luftarakë dhe dronë, dhe se forcat ukrainase u tërhoqën pasi pësuan humbje.

Megjithatë, më 7 gusht, bllogerët prorusë raportuan se forcat ukrainase i pushtuan Nikolayevo-Darinon dhe Sverdlikovon, në rrethinën Sudzha.

Ata thanë se trupat ukrainase u futën në Sudzha një ditë më parë dhe po përpiqen t’i marrin në kontroll fshatrat Goncharovka and Oleshna.

Kievi nuk i ka komentuar ende këto raportime, të cilat nuk ishte e mundur të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, Ukraina raportoi se kundërajrorët e saj i rrëzuan të gjithë 30 dronët që i lëshoi Rusia në drejtim të shtatë rajoneve të saj.

Të gjithë dronët rusë “u rrëzuan mbi Kiev, Hmelnitski, Vinitsia, Mikolaiv, Herson, Harkiv dhe Çerkas”, tha komandanti i Forcave Ajrore, gjenerali Mykola Oleschuk.

Në Kiev, dhjetëra shtëpi banimi dhe objekte bujqesore u dëmtuan nga rënia e dronëve të rrëzuar, tha shefi i administratës ushtarake të rajonit të Kievit, Ruslan Kravchenko, më 7 gusht, duke shtuar se sulmi mbi kryeqytet zgjati më gjatë se tetë orë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG