Rusia dënon një qytetar amerikan me 12 vjet e gjysmë burgim

Robert Woodland.

Një gjykatë ruse e ka dënuar qytetarin amerikan, Robert Woodland, me 12 vjet e gjysmë burgim, pasi e gjeti fajtor për trafikim me drogë.

Kështu tha avokati i tij, Stanislav Kshevitsky, për agjencinë e lajmeve, Reuters, më 4 korrik.

Woodland, i lindur në Rusi, kur ishte fëmijë u birësua nga prindër amerikanë. Ai u arrestua nga policia ruse në janar, nën akuzën për posedim të drogës.

SHIKONI EDHE:

Arrestimet e amerikanëve rrisin frikën se Rusia mund të marrë pengje të rejaKush janë amerikanët që janë ende të burgosur në Rusi?

Në kohën kur u arrestua, Woodland raportohet se ishte duke punuar në periferi të Moskës si mësues i gjuhës angleze.

Në dokumentet e gjykatës ai është identifikuar me mbiemrin rus, Romanov, por nuk është e qartë nëse ai ka shtetësi ruse. Agjencia e lajmeve, Interfax, tha se ai është shtetas rus.

Më shumë se dhjetë qytetarë amerikanë po mbahen në burgjet ruse, të akuzuar apo të dënuar për akuza të ndryshme, nisur nga posedimi i drogës, vjedhje, tradhti dhe spiunazh.