Ndërlidhjet

Arrestimet e amerikanëve rrisin frikën se Rusia mund të marrë pengje të reja


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Arrestimi i dy amerikanëve në Rusi gjatë këtij muaji ndodhën në një sfond të zymtë: të paktën gjashtë shtetas amerikanë dhe një banor me qëndrim të përhershëm veçse ishin në burgje në mbarë vendin, disa duke vuajtur dënime të gjata, e të tjerë duke u përballur me gjyqe, që pak besojnë se do të jenë të drejta.

Në shumë raste, nga familjarët, kolegët e tyre dhe Qeveria amerikane ata shihen si pengje – njerëz të pafajshëm, të cilët, pavarësisht nëse arrestimet e tyre fillestare ishin projektuar për këtë qëllim apo jo, tani po mbahen që Rusia të përfitojë ndonjë koncesion, teksa konfrontimi mes presidentit rus, Vladimir Putin, me Uashingtonin dhe Perëndimin po përshkallëzohet.

Së fundi, një ushtar amerikan i identifikuar nga autoritetet ruse si rreshteri Gordon Black, u ndalua në qytetin Vlladivostok në Lindjen e Largët, dhe më pas atij iu shqiptua masa e paraburgimit deri më 2 korrik, nën akuzën për vjedhje. Kohëzgjatja e paraburgimit mund t’i zgjatet. Nëse gjykohet dhe gjendet fajtor për këtë akuzë, ai mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.

Ushtria amerikane tha se një ushtar ishte arrestuar në Vlladivostok, por autoritetet amerikane nuk kanë publikuar emrin e tij.

Në SHBA, arrestimi i ushtarit ka rritur shqetësimet se Rusia po mban amerikanët në burgje që potencialisht t’i përdorë ata për këmbimin me të burgosur rusë, apo edhe për qëllime të tjera gjeopolitike.

Ndërkaq, më 7 maj, një gjykatë në Moskë tha se kishte urdhëruar që një burrë amerikan, i identifikuar si Willaim Russell Nycum, të dënohej me dhjetë ditë burgim për huliganizëm, pasi ai supozohet se ishte parë i dehur dhe i zhveshur apo gjysmë i zhveshur. Gjykata tha se ky veprim “është qartësisht mosrespekt për shoqërinë, qytetarët dhe rendin publik”. Huliganizmi është vepër administrative, por gazeta proqeveritare, Izvestia, raportoi, pa cituar burime, se ky person mund të akuzohet edhe për vandalizëm, krim që është i dënueshëm deri me tre vjet burgim.

Mark Galeotti, autor dhe analist i politikës ruse dhe çështjeve të sigurisë, tha se arrestimet në Vlladivostok dhe Moskë “nuk duket se janë thjesht arrestime arbitrare”.

“Megjithatë, duke pasur parasysh se marrja e pengjeve duket se është bërë pjesë e veprimeve të shtetit rus, veçmas kur bëhet fjalë për amerikanët, kush e di se si këto rast, mund të përshkallëzohen, nëse Kremlini zgjedh”, tha Galeotti për Radion Evropa e Lirë.

Për vite të tëra, para se Putini të niste pushtimin e Ukrainës dhe të ashpërsonte retorikën, Rusia është përballur me akuza se përdor shtetasit e huaj si pengje. Luftën ndaj Ukrainës fqinje, presidenti rus e nisi si pjesë të luftës së tij civilizuese kundër Perëndimit.

Ylli i basketbollit, Brittney Griner, u kthye në SHBA dhjetorin e vitit 2022, në këmbim të lirimit të shitësit famëkeq rus të armëve, Viktor Bout, dhe ish-marinsi amerikan, Trevor Reed, u këmbye me trafikantin e drogës, Konstantin Yaroshchenko, në prill të po atij viti.

Por, asnjë amerikan që është arrestuar pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022, nuk është liruar përmes ndonjë marrëveshjeje për lirimin e pengjeve. Që nga ajo datë, për më tepër, Rusia ka rritur tensionet duke arrestuar dy gazetarë amerikanë: Evan Gershkovich të The Wall Street Journal dhe Alsu Kurmasheva, gazetare e Radios Evropa e Lirë.

Një këmbim i mundshëm do të mund të kishte liruar kundërshtarin e Kremlinit, Aleksei Navalny, dhe dy qytetarë amerikanë, emrat e të cilëve asnjëherë nuk u specifikuan. Navalny vdiq në rrethana të pashpjeguara në një burg në Arktik më 16 shkurt.

E pyetur se sa qytetarë amerikanë aktualisht mbahen në Rusi dhe nëse është një numër rekord i të arrestuarve, Ambasada e SHBA-së në Moskë i tha Radios Evropa e Lirë : “Për shkak të mospërputhjes së njoftimeve që autoritetet ruse bëjnë te zyrtarët e Ambasadës amerikane, sa i përket qytetarëve të arrestuar amerikan, e kemi të pamundur t’iu ofrojmë një numër të saktë të qytetarëve amerikanë që aktualisht mbahen në Rusi”.

Departamenti amerikan i Shtetit “vazhdimisht shqyrton rrethanat që lidhen me arrestimet jashtë shtetit të shtetasve amerikanë, përfshirë në Rusi, për të parë nëse ka tregues se arrestimet janë të pabaza”, tha zëdhënësi i ambasadës, Daniel Kanigan. “Kur bëhen vlerësimet, DASH gjithmonë bën shqyrtime ligjore, të bazuara në fakte dhe vlerëson të gjitha rrethanat për çdo rast”.

Fondacioni Foley, me seli në SHBA, misioni i të cilit përfshin edhe përpjekjet për lirimin e amerikanëve që mbahen padrejtësisht jashtë vendit, vlerëson se Gershkovich, Kurmasheva dhe Paul Whelan – një amerikan që po vuan një dënim prej 16 vjetësh nën akuza për spiunazh, që ai i mohon – janë “pengje” dhe “të burgosur në mënyrë të padrejtë”.

Qeveria amerikane ka cilësuar se Geshkovich Whelan, por jo edhe Kurmashevan, si persona “të burgosur padrejtësisht”.

Në këtë artikull mund të mësoni se ku janë shtetasit amerikaë – dhe një banor me qëndrim të përhershëm – që aktualisht po mbahen në burgje apo qendra paraburgimi në Rusi:

Evan Gershkovich

Evan Gershkovich gjatë paraqitjes në një gjykatë në Moskë më 20 shkurt 2024.
Evan Gershkovich gjatë paraqitjes në një gjykatë në Moskë më 20 shkurt 2024.

Evan Gershkovich, 32 vjeç, korrespondent për The Wall Street Journal, u arrestua në mars të vitit 2023, teksa kishte shkuar për të raportuar nga qyteti rus, Jekaterinburg. Ai u akuzua për spiunazh dhe është gazetari i parë amerikan që përballet me një akuzë të tilla që nga epoka sovjetike.

Autoritetet ruse nuk kanë ofruar dëshmi për të mbështetur këtë akuzë, të cilën The Wall Street Journal dhe Qeveria amerikane e mohojnë fuqishëm. Ata thonë se Gershkovich po bënte punën e tij si një gazetar i akredituar në kohën kur u arrestua.

Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, tha në mars, pasi Gershkovichit iu zgjat dënimi, se rasti i tij “ka të bëjë me përdorimin e qytetarëve amerikanë si vegla për të arritur qëllime politike”. Departamenti amerikan i Shtetit tha në dhjetor se Moska kishte refuzuar një ofertë për të siguruar lirimin e Gershkovichit dhe Whelanit.

Alsu Kurmasheva

Alsu Kurmasheva gjatë një seance dëgjimore në Kazan më 1 shkurt 2024.
Alsu Kurmasheva gjatë një seance dëgjimore në Kazan më 1 shkurt 2024.

Alsu Kurmasheva, 47 vjeç, gazetare e Radios Evropa e Lirë që ka shtetësi amerikane dhe ruse, po mbahet në një burg në Kazan, kryeqytetin e Tatarstanit, që nga tetori i vitit 2023 nën akuza se ka dështuar ta pyesë Qeverinë ruse që ta regjistrojë atë si “agjente të huaj”.

Fillimisht, ajo u ndalua në fillim të qershorit teksa po bëhej gati të largohej nga Rusia, pasi kishte vizituar nënën e saj të moshuar. Atëbotë, asaj iu konfiskuan pasaportat. Në dhjetor, asaj iu shtua akuza për përhapje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse, një krim i dënueshëm me dhjetë vjet burgim.

Akuza për “agjente të huaj” bart një dënim maksimal prej pesë vjetësh burgim, ndërkaq akuza e dytë parasheh një dënim prej maksimumi dhjetë vjetësh. Kurmasheva dhe Radio Evropa e Lirë mohojnë akuzat. Radio Evropa e Lirë dhe Qeveria amerikane thonë se akuzat janë hakmarrje për punën e Kurmashevas si gazetare.

Video: Kurmasheva: Herët a vonë do të dal si e pafajshme

Gazetarja amerikane e burgosur në Rusi: Herët a vonë do të dal si e pafajshme
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Paul Whelan

Paul Whelan gjatë një seance gjyqësore në Moskë në qershor të vitit 2020.
Paul Whelan gjatë një seance gjyqësore në Moskë në qershor të vitit 2020.

Paul Whelan, 54 vjeç, udhëheqës i një korporate të sigurisë me bazë në Miçigan, u arrestua në dhjetor të vitit 2018 nën akuza për spiunazh. Ai u arrestua teksa po vizitonte Moskën për të marrë pjesë në dasmën e një miku. Rusia pretendon se Whelan u kap me një disk kompjuterik që kishte informacione të klasifikuara.

Whelan, që ka shtetësi amerikane, britanike, kanadeze dhe irlandeze, tha se ai u vu në kurth dhe kishte menduar se në pajisjen kompjuterike, që ia kishte dhënë një i njohur i tij rus, kishte fotografi pushimesh.

Në qershor të vitit 2020 ai u shpall fajtor dhe u dënua me 16 vjet burgim. Aktualisht, ai gjendet në një burg të sigurisë së lartë. Qeveria amerikane tha se Rusia, gjatë gjykimit të Whelan, që e ka quajtur tallje me drejtësinë, nuk kishte ofruar prova për fajësinë e shtetasit amerikan.

Marc Fogel

Mark Fogel, 65 vjeç, mësues i anglishtes, u arrestua në një aeroport të Moskës më 2021 për posedim të një sasie të vogël të marihuanës. Ai u dënua me 14 vjet burgim, pasi prokurorët pretenduan se ai synonte t’ua shiste drogën studentëve të tij.

Fogel kishte dhënë mësim në një shkollë anglo-amerikane në Moskë për pothuajse një dekadë. Shkolla ku jepte ai mësim, është një shkollë fillore prestigjioze, që është themeluar nga ambasadat amerikane, kanadeze dhe britanike.

Fogel, që u është nënshtruar operacioneve në shpinë, shpatull dhe gjunjë, kishte filluar trajtimin mjekësor me marihuanë në kohën kur ishte në SHBA për pushimet e verës, në mënyrë që të mund të trajtonte dhimbjen. Ai kishte marrë me vete në Rusi një sasi të vogël të kësaj lënde narkotike, që në këtë shtet është e ndaluar.

Ksenia Karelina

Ksenia Karelina, 32 vjeçe, ka shtetësi të dyfishtë amerikane dhe ruse. Ajo kishte punuar në një banjë termale në Kaliforni. Karelina u arrestua në shkurt nën akuza për tradhti. Karelina u arrestua në Jekaterinburg, ku kishte udhëtuar për të vizituar familjen.

Shërbimi Federal rus i Sigurisë e ka akuzuar Karelinan se “i ka ofruar mbështetje financiare një shteti të huaj për aktivitete kundër sigurisë së shtetit tonë”. Ky shërbim ka pretenduar, pa ofruar dëshmi, se ajo kishte mbledhur para për “furnizime shëndetësore, pajisje, armë dhe municione”.

Grupi për të drejtat e njeriut, Pervy Otdel, tha se pretendohet se ajo ka transferuar 51.80 dollarë nga llogaria e saj bankare në SHBA te fondacionit Razom For Ukraine, që ndihmon civilët ukrainas. Karelina po ashtu njihet edhe me mbiemrin e saj të burrit, Khavana.

David Barnes

David Barnes, 66 vjeç, banor i Teksasit, u arrestua nga autoritetet ruse në Moskë në janar të vitit 2022. Ai akuzohet se ka abuzuar fëmijët e tij në Shtetet e Bashkuara. Në shkurt të këtij viti, ai u gjet fajtor dhe u dënua me 21 vjet burgim.

Barners kishte udhëtuar për në Moskë dhjetorin e vitit 2021 për të fituar të drejtën që të shohë fëmijët e tij apo që t’i kthejë ata në shtëpi. Ish-bashkëshortja e tij, Svetlana Koptyaeva, u largua për në Rusi së bashku me fëmijët më 2019, pas divorcit dhe procesit gjyqësor për kujdestarinë e fëmijëve. Një gjykatë në Teksas, më 2019 i dha Barnersit kujdestarinë e fëmijëve dhe Koptyaeva tani kërkohet nga SHBA-ja nën akuzat për ndërhyrje në çështjet e kujdestarisë së fëmijëve.

Koptyaeva e ka akuzuar Barnesin për abuzim të fëmijëve, por një hetim i kryer më 2018 nga Departamenti për Familje dhe Shërbime Mbrojtëse, nuk gjeti prova të mjaftueshme për të mbështetur këtë pretendim. Ky departament mbyllin rastin, duke mos ngritur asnjë akuzë.

Vladimir Kara-Murza

Vladimir Kara-Murza gjatë paraqitjes para Gjykatës së Apelit në Moskë në korrik të vitit 2023.
Vladimir Kara-Murza gjatë paraqitjes para Gjykatës së Apelit në Moskë në korrik të vitit 2023.

Vladimir Kara-Murza, 42 vjeç, me shtetësi ruse dhe britanike, i cili ka leje të përhershme qëndrimi në SHBA, ka lindur në Moskë. Ai është një kundërshtar i Kremlinit dhe një prej avokues i madh i aktit amerikan Magnitsky, që vendos sanksione për shkelësit e të drejtave të njeriut në Rusi.

Kara-Murza, i cili dy herë pothuajse vdiq nga, siç ka thënë ai, sulmet e qëllimshme me helm në Rusi, u arrestua në prill të vitit 2022 pasi kritikoi zëshëm luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Një vit më vonë, ai u dënua me 25 vjet burgim për tradhti dhe akuza të tjera.

Akuzat u ngritën pjesërisht për shkak të komenteve të bëra nga Kara-Murza, kur ai akuzoi “regjimin diktatorial në Kremlin” për kryeje të krimeve të luftës në Ukrainë. Dënimi ndaj tij është dënimi më i gjatë i shqiptuar ndaj një kundërshtari të Kremlinit në Rusinë post-sovjetike.

Gruaja e tij, Yevgenia Kara-Murza, muajin e kaluar tha për Current Time se Kara-Murza po mbahet në izolim që të paktën gjashtë muaj dhe gjatë kësaj periudhe nuk i është ofruar ndihmë shëndetësore.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG