Rritet numri i viktimave nga vërshimet në Evropë

Vërshimet në Galati të Rumanisë më 14 shtator 2024.

Banorët dhe autoritetet kanë vazhduar betejën e tyre me shira të rrëmbyeshëm dhe me vërshime në mbarë Evropën Qendrore më 15 shtator. Në Rumani autoritetet thanë se të paktën pesë persona kanë vdekur nga vërshimet, dhe dy raportohen të zhdukur.

Në Austri, një zjarrfikës ka vdekur gjatë operacioneve të shpëtimit dhe një viktimë nga vërshimet u raportua në Poloni, ndërkaq në Republikën Çeke katër persona konsiderohen të zhdukur, teksa autoritetet po përballen me reshje të mëdha shiu.

Evropa përballet me vërshime vdekjeprurëse

Në jugperëndim të Polonisë, dy diga raportohet se kanë shpërthyer, teksa autoritetet kanë thënë se situata është "kritike".

Në Rumani, rreth 20 komuna në tetë qarqe rumune janë prekur nga vërshimet.

Mijëra shtëpi janë dëmtuar dhe dhjetëra mijëra persona janë prekur nga vërshimet apo janë evakuuar.

Kryeministri Marcel Ciolacu ka njoftuar se janë ngritur strehimore të përkohshme për njerëzit që janë në rrezik nga vështrimet. Ai këtë njoftim e bëri teksa më 14 shtator vizitoi një prej qarqeve të goditura më së rëndi, Galati.

Kreu i qarkut të Galatit, Costel Fotea, tha se më shumë se 20.000 banorë në të paktën 24 komunitete janë prekur rëndë nga vërshimet.

SHIKONI EDHE: Rumania përballet me vërshime vdekjeprurëse

Instituti Hidrologjik dhe i Menaxhimit të Ujërave në Rumani ka aktivizuar alarmin e kuq në Galati dhe Vaslui, ku në përpjekjet e shpëtimit po merr pjesë edhe ushtria, e cila po tenton që të arrijë te banorët që janë bllokuar.

Niveli i ujit në disa pjesë të Rumanisë arrin deri në tri metra.

Ndërkaq, autoriteti për menaxhimin e ujit në Vroklav, në jugperëndim të Polonisë, tha se situata është kritike, pasi diga pothuajse 30 metra e lartë në afërsi të kufirit të Polonisë dhe Çekisë, është thyer, duke detyruar që banorët të evakuohen. Më pas, edhe diga në Stronie Slaski, u raportua se u dëmtua.

Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se situata në jugperëndim të vendit është "dramatike".

Lidhjet hekurudhore mes Polonisë dhe Çekisë janë suspenduar.

Në Austri, dhjetëra komuna janë shpallur zona të katastrofës.

Në kryeqytetin çek, Pragë, autoritetet kanë vendosur masa për parandalimin e vërshimeve.

Në Republikë Çeke, policia raportoi se po kërkon tre persona makina e të cilëve ra në një lumë në lindje të shtetit.

Afër 250.000 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në Republikë Çeke.

Sipas parashikimit të motit, në Austri, Republikën Çeke, në jug të Gjermanisë, Hungari, Poloni dhe Sllovaki pritet të vazhdojnë reshjet e shiut.