Rudy Giuliani ka bërë kërkesë për falimentim, vetëm disa ditë pasi i është kërkuar të paguajë 148 milionë dollarë për dy ish-punëtore zgjedhore në Xhorxhia, pasi i ka akuzuar rrejshëm për mashtrime, teksa ka punuar për të përmbysur humbjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2020.
Giuliani, i cili është njohur si “shefi i Amerikës” për shkak se ka qenë kryetar i Nju Jorkut, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, përballet me borxhe të mëdha, disa prej të cilave janë pasojë e punës së tij me Trumpin.
Ai përballet edhe me akuza penale në Xhorxhia.
SHIKONI EDHE: Avokati i dytë i Trumpit pranon fajësinë për komplot rreth rezultatit zgjedhorNë kërkesën për falimentim, në një gjykatë në Nju Jork, Giuliani ka thënë se ka detyrime mes 100 – 500 milionë dollarëve dhe asete në vlerë të 1-10 milionë dollarëve.
Një zëdhënës i Giulianit ka thënë se kërkea për falimentim i ka thënë kohë për të apeluar gjobën prej 148 milionë dollarëve, për t’u siguruar që kreditorët tjerë e trajtojnë në mënyrën e duhur.
“Asnjë person nuk mund të ketë besuar që kryetari Rudy Giuliani do të mund të paguante një masë aq të lartë ndëshkuese”, ka thënë zëdhënësi Ted Goodman.
Procedurat e falimentimit në Shtetet e Bashkuara u mundësojnë individëve dhe kompanive që t’i fshijnë ose riorganizojnë borxhet e tyre, dhe Giuliani besohet se në këtë mënyrë do t’i pauzojë të gjitha paditë që janë kundrejt tij.
Megjithatë, procedura e falimentimit nuk garanton se do të mund të fshihet borxhi që ka ndaj punonjëseve zgjedhore.
Giuliani është deklaruar i pafajshëm për akuzat penale për tentimet për përmbysje të rezultatit në Xhorxhia, bashkë me Trumpin dhe disa të pandehur tjerë.
Zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 i ka fituar presidenti aktual, Joe Biden.