Frika nga rritja e çmimeve dhe mungesa e ushqimeve

Dyqan në Maqedoninë e Veriut. Fotografi nga arkivi.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut thonë se mezi po arrijnë ta mbyllin muajin me pagat që marrin për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe të shërbimeve tjera.

Nga muaji shkurt, kur nisi lufta në Ukrainë, e deri më tani, çmimet e produkteve ushqimore bazë kanë shënuar rritje prej mbi 100 për qind si qumështi, vaji, buka, mielli, sheqeri e artikuj të tjerë, kurse te pagat nuk ka pasur asnjë rritje bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës.

Mezi arrijmë t’ia dalim në fund të muajit".


Sipas të dhënave të Entit, shporta e konsumit për një familje katëranëtarëshe ka arritur në 50.000 denarë apo rreth 800 euro, ndërkohë që paga mesatare sillet jo më shumë se 500 euro.

“Shpenzimet për ushqim janë rritur nga 60 deri më 150 për qind. Mezi arrijmë t’ia dalim në fund të muajit. Kursejmë sa të mundemi, por kjo nuk mjafton pasi çmimet po rriten çdo ditë dhe nuk e dimë se deri ku mund të shkojë kjo gjendje”, thotë Rubin Kuzmanovski, blegtor.

“Është e vërtetë se nuk mund të mbijetohet me një rrogë shumë të ulët. Çdo ditë po shtohet papunësia, kriza, varfëria. Duhet të merren masa dhe njerëzit që na udhëheqin të mendojnë edhe për popullin pasi të gjithë jemi dëshmitar se për çdo ditë po ikën rinia në kërkim të një jete më të mirë”, thotë Arben Sejdiu, punonjës arsimi.

SHIKONI EDHE: “Aq sa kemi në xhep, aq edhe do të hamë”

Qytetarët druajnë se kriza mund të thellohet edhe më shumë dhe të ndihet edhe mungesa e ushqimeve pasi, sipas tyre, rritje më të madhe të çmimeve ka pasur tek ato produkte që kishin probleme me sigurimin e lëndës së parë, siç ishte rasti me vajin, qumështin e disa produkte të tjera.

Nga Qeveria thonë se kriza mund të përkeqësohet, por garantojnë se ushqime do të ketë, sikur që besojnë në sigurimin edhe të shërbimeve tjera, si furnizimin me energji elektrike dhe ngrohje.

"Kemi plan dhe qytetarët nuk duhet të shqetësohen. Do të sigurojmë ushqim të mjaftueshëm për të gjithë qytetarët", tha ministri i Bujqësisë, Lupço Nikolovski, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ku prezantoi modelin e ri për subvencionimin e bujqësisë.

SHIKONI EDHE: Qytetarët maqedonas e konsiderojnë të pamjaftueshme ndihmën e shtetit

Ordan Çukaliev, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Shkup, thotë se furnizimi me ushqime varet nga tregjet botërore, nëse do të ketë ose jo apo se cili do të jetë çmimi, që aktualisht po regjistron rritje në bazë ditore.

Ka mbi 20 vjet që nuk prodhohet panxharsheqeri... Luledielli thuajse është harruar, lëndën e parë për vaj e marrim nga jashtë".

“Pjesën më të madhe të ushqimit ne e importojmë nga jashtë dhe mbetet të shihet nëse tregu botëror do të ketë sasi të mjaftueshme të ushqimit. Ushqim mund të kemi mjaftueshëm, por nuk mund të garantojmë edhe për çmimet që tashmë dihet se po lëvizin në bazë ditore”, shprehet Çukaliev.

Ai thotë se institucionet shumë herë janë zotuar se do të bëjnë gjithçka për të stimuluar prodhimin vendor, por deri më tani nuk është bërë asgjë.

SHIKONI EDHE: Dy paga minimale të pamjaftueshme për shportën e qytetarit

Çukaliev konsideron se është për të ardhur keq kur sheh mijëra hektarë tokë të papunuara në zona të ndryshme të vendit që mund të sigurojnë, sipas tij, shumë produkte ushqimore.

“Ne kemi një numër shumë të madh të bujqve të regjistruar, por ata nuk janë efikas, shumë prej tyre janë të moshuar që nuk mund t’u përgjigjen nevojave. Pra, na mungojmë fermerët e rinj, na mungon një politike e mirë bujqësore për nxitjen e prodhimit vendor. Ne mund të sigurojmë edhe bukën, por këtë nuk e bëjmë. Ka mbi 20 vjet që nuk prodhohet panxharsheqeri dhe fabrika e sheqerit nuk punon. Luledielli thuajse është harruar, lëndën e parë për vaj e marrim nga jashtë. Kemi dështim të madh në politikën e nxitjes së prodhimit vendor”, vlerëson Çukaliev.

Qeveria së fundi ka miratuar një paketë masash në vlerë prej 360 milionë eurosh. Nga këto masa do të përfitojnë kategoritë e rrezikuara sociale, pensionistët, institucionet arsimore dhe shëndetësore, por edhe biznese të caktuara.