Ndërlidhjet

Qytetarët maqedonas e konsiderojnë të pamjaftueshme ndihmën e shtetit


Treg në Shkup.
Treg në Shkup.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se ndihma financiare prej rreth 5o eurove, përkatësish 25 euro për kategorinë e qytetarëve me status të rrezikuar social dhe për pensionistët, është e pamjaftueshme kur merret parasysh vala e shtrenjtimeve të produkteve bazë.

Qeveria maqedonase miratoi të dielën masat për përballimin e krizës energjetike dhe valës së rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore.

Sherif Selami, i cili është shfrytëzues i ndihmës sociale, për Radion Evropa e Lirë thotë se mjetet që pritet t’i marrë brenda katër muajve rreth 200 euro, përkatësisht 50 euro në muaj si pjesë e masave anti-krizë janë qesharake përballë rritjes prej 100 për qind të produkteve ushqimore bazë:

“Jam shfrytëzues i ndihmës sociale dhe më duhet të them se tashmë tre muajt e fundit më janë ndalur nga një mijë denarë dhe tani del se ato para që i ndalën, tani sërish i japin. Qeveria manipulon me të varfrit. Inflacioni është shumë i madh, me këta tre mijë denarë, që tani pritet t’i marrim, nuk del të blejmë asgjë. Një bukë vitin e kaluar e blija 20 deri 25 denarë, tani ajo është 40 deri 50 denarë, varësisht peshës. Vaji ishte nga 65 deri 75 denarë, tani nuk gjen dot vaj nën 150 denarë - çfarë ndihme është kjo”, shprehet Selami.

Ndërkaq, Xhurija Zendel, e cila është nënë vetushqyese, brenda muajit merr ndihmë sociale në vlerë prej 6 mijë e 700 denarësh. Kurse, tani, me masat anti-krizë gjatë katër muajve të ardhshëm do të marrë plus 3 mijë denarë (rreth 50 euro).

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo qindarkë është e mirëseardhur, por kjo ndihmë nuk duhet afatizuar në 4 muaj, pasi siç thotë, kriza nuk do të zhduket me shkop magjik brenda kësaj kohe.

“Çdo denar është i mirëseardhur, veçanërisht tani me krizën energjetike. Këto mjete për mua janë shumë të rëndësishme pasi kam dhe foshnjë të vogël, jetoj me qira, përkatësisht për një vlerë minimale më ka lëshuar një dhomë një grua... dhe këto mjete derisa të rritet pak foshnja ime, do të më ndihmojnë ta tejkaloj krizën e dimrit”, thotë ajo.

E, Minir Ibishi, i cili ka dalë të shesë në treg gjëra të përdorura, thotë se pensioni minimal që merr, nuk i mjafton as për ilaçet e tij dhe të bashkëshortes. Ai merr një pension prej 13 mijë denarësh (rreth 210 euro). Për këtë kategori, me masat anti-krizë, qeveria ka paraparë ndihmë prej 100 eurosh për katër muaj, përkatësisht nga 25 euro në muaj.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ndihma që ka paraparë Qeveria për personat me pension është tejet e vogël kundrejt rritjes së çmimit të rrymës dhe produkteve bazë ushqimore, pasi siç shprehet, tani pensioni i tij vlen shumë më pak për shkak të rritjes së inflacionit.

“S’ka qeveri, s’ka shtet që mendon për popullin. Nuk janë të mjaftueshme këto mjete. Çka të paguajmë më parë, rrymën apo një thes miell ta çoj në shtëpi?! E detyroj gruan të gatuajë në këtë moshë, pasi buka është bërë e shtrenjtë, gatuajmë dhe tre ditë e hamë atë bukë – krizë, s’kemi çka bëjmë. Më parë me 3 mijë denarë (50 euro) blija të paktën vajin, miellin dhe sheqerin për një muaj, tani për të njëtat gjëra më duhen pesë mijë denarë (80 euro)”, thotë Ibishi.

Sikurse Minir Ibishi, në Maqedoninë e Veriut janë edhe 66 mijë pensionistë me pension të ulët, të cilët do të përfitojnë ndihmën prej 25 eurosh gjatë katër muajve të ardhshëm.

Ndryshe, në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave shpenzimet për jetesë gjatë shtatorit krahasuar me po të njëjtin muaj të vitit të kaluar janë rritur për 18.7 për qind.

Produktet ushqimore janë shtrenjtuar për 30 për qind, kurse buka dhe vaji kushtojnë dyfish më shumë sesa vitin e kaluar.

Nga ana tjetër, Zdravko Savevski, nga Institutit për Shkenca Humane dhe Shoqërore, masat e Qeverisë i cilëson si “ndihmë e parë” në gjendje emergjente.

“Këto masa nuk duhet kuptuar vetëm si shuarje zjarri, por edhe si reagim ndaj uljes së inflacionit që ka goditur kategorinë e ndjeshme të qytetarëve”, thotë Saveski.

Ai thekson se krahas këtyre masave, Qeveria maqedonase duhet të parandalojë dhe rritjen e çmimeve jo vetëm përmes kufizimit të marzhës, por edhe ndryshimit të politikave tatimore.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas miratimit të dielën të masave anti-krizë, tha se prioritet i Qeverisë që drejton mbetet mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive.

Por, për liderin e opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, masat e Qeverisë aspak nuk i zgjidhin problemet e qytetarëve pasi nuk ofrojnë zgjidhje sistemore.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG