Rrëzohet një helikopter rus në Siberi, gjashtë të vrarë dhe shtatë të plagosur

Fotografi ilustruese.

Një helikopter u rrëzua në Siberi të Rusisë më 27 korrik, duke lënë gjashtë persona të vrarë dhe shtatë të tjerë të plagosur, njoftuan zyrtarët rusë të emergjencës.

Helikopteri i llojit Mi-8 në Republikën Altai në Siberinë jugore mori flakë teksa po ateronte dhe u përplas me një linjë elektrike, tha dega e Ministrisë së Emergjencave të Rusisë në Altai. Kjo zyrë publikoi një deklaratë në internet, ku shihej një foto e rrënojave të helikopterit të vënë në zjarr.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti raportoi, duke cituar rregullatorin e aviacionit civil të vendit, se helikopteri i përkiste një kompanie private dhe po transportonte një grup turistësh.

SHIKONI EDHE: Të goditura nga sanksionet perëndimore, kompanitë ajrore ruse shfaqin defekte

Ende nuk dihet saktësisht numri i njerëzve që ishin në atë helikopter para se të ndodhte aksidenti.

Sipas RIA Novosti, në bord ndodheshin gjithsej 12 pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit, por Ministria e Emergjencave tha se numri i përgjithshëm në bord ishte 13.

Agjencia e lajmeve AP nuk ka mundur ta verifikojë numrin e pasagjerëve.

Mi-8 është një helikopter me dy motorë, i cili ishte projektuar në vitet 1960. Ai është përdorur gjerësisht në Rusi, ku përplasjet kanë qenë të shpeshta, në vendet fqinje dhe në shumë vende të tjera.

SHIKONI EDHE:

Disa të vdekur nga rrëzimi i helikopterit në RusiTetëmbëdhjetë viktima në Siberi pas rënies së helikopterit rusKremlini: Nga rrëzimi i helikopterit të Rusisë në Siri – 5 të vrarë