Rrezikohet përfaqësimi efektiv i komuniteteve joshumicë

Kuvendi i Kosovës.

Votat nga komunat e banuara me shumicë serbe, të cilat i kanë fituar dy subjektet politike boshnjake, Komuniteti i Bashkuar - Adrijana Hoxhiq dhe Koalicioni Vakat, do të jenë arsyeja që dy subjektet tjera boshnjake, Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS), do të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Kështu kanë deklaruar Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat dhe Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike. Për më shumë, sipas tyre, në rast se ankesa në PZAP nuk do të marrin përgjigje, sipas tyre, të merituar, ankesa do të bëhen më pas në Gjykatën Supreme, por edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, thotë se të dyja partitë nga komuniteti boshnjak, Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike, kanë bazë të fortë kushtetuese për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese, por fillimisht, sipas tij, duhet t’i shterrin mjetet e rregullta juridike në PZAP dhe në Gjykatën Supreme.

SHIKONI EDHE: Lufta për ulëset e garantuara

Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të shihet se pjesa më e madhe prej 6.379 votave që ka marrë “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq”, është siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe. Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, më shumë se 5.300 vota për këtë subjekt janë evidentuar në komunat e banuara me shumicë serbe. Ky subjekt politik besohet se ka fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Po sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Koalicioni Vakat ka marrë 5.672 vota, prej të cilave të paktën mbi 700 vota janë evidentuar se kanë ardhur nga komunat e banuara me shumicë serbe. Gjithashtu, besohet se edhe ky subjekt politik ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia e Re Demokratike ka marrë 2.763 vota, ndërkaq, Unioni Socialdemokrat ka marrë 2.434 vota. Subjekti i pestë politik boshnjak Iniciativa “Nasha”, ka marrë 1.295 vota.

SHIKONI EDHE: Kushtet e komuniteteve për Kurtin

SDU-ja dhe NDS-ja: Ankesë, deri në Kushtetuese

Ish-deputetja Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat, thotë se do t’iu drejtohet të gjitha institucioneve kompetente për të shqyrtuar ankesën e saj, pra, fillimisht PAZP-së e më pas, nëse do të jetë e nevojshme edhe Gjykatës Supreme dhe në fund edhe asaj Kushtetuese.

“Do të thirrem në Kushtetutën e Kosovës. Unë dëshiroj që të më mbrojë Kushtetuta dhe dëshiroj që të definohet saktë momenti i Kushtetutës, në të cilin flitet se përfaqësuesi i popullit duhet të zgjidhet me votat e popullit të cilin e përfaqëson. Ju tash do të keni një deputete, Adrijana Hoxhiqin, për të cilën në 97 për qind të rasteve e kanë votuar serbët. Në këtë rast, se si mundet ajo të përfaqësojë interesat e boshnjakëve, është një pikëpyetje e madhe”, thekson Bale.

SHIKONI EDHE: Adrijana Hoxhiq e dyta më e votuara në mesin e boshnjakëve

Unioni Socialdemokrat, në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, besohet se nuk do të mund të arrijë të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Një ulëse të tillë të garantuar për komunitetin boshnjak, sipas rezultateve preliminare nga KQZ-ja, besohet se e ka siguruar Partia e Re Demokratike. Drejtuesja e saj, Emilija Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se megjithatë, edhe subjekti i saj do të parashtrojë ankesë, nëse do të jetë e nevojshme edhe deri në Gjykatën Kushtetuese. Ankesa, sipas saj, ka të bëjë me votat që Komuniteti i Bashkuar dhe Koalicioni Vakat kanë marrë nga komunat me shumicë serbe, ku sipas saj, nuk jeton asnjë boshnjak.

“Ne për këtë nuk mund të heshtim, sepse në të ardhmen mund të ndodhin lloj-lloj përvetësimesh nga të gjitha shtetet në rajon ose përbrenda shtetit tonë. Ne do të ankohemi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, para së gjithash në PZAP, si subjekt politik, për të parë se nga i kanë marrë votat, në bazë të nënshkrimeve të kujt, prej nga. Pastaj do të ankohemi në bazë të regjistrimit të popullsisë, sepse nuk kemi asnjë boshnjak në Zubin Potok, në Novobërdë dhe në të gjitha këto komunat serbe në Kosovë, kështu që, prej nga atyre ky rezultat?”, thotë Rexhepi.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

UZ-ja dhe Vakat: Votat serbe, fakt

Ndaj akuzave që kanë adresuar përfaqësueset e Unionit Socialdemokrat dhe Partisë së Re Demokratike, kanë reaguar përfaqësuesit e Komunitetit të Bashkuar (UZ) dhe Koalicionit Vakat.

Adrijana Hoxhiq, themeluese dhe bartëse e listës së Komunitetit të Bashkuar thotë për Radion Evropa e Lirë se “ata që humbin kanë të drejtë të hidhërohen” dhe se ajo ka filluar një proces demokratik dhe se “secila votë që ka marrë është votë e qytetarit të Kosovë” që ka besuar në programin e saj.

“Unë jam e bindur që kam pasur vota edhe nga komuniteti serb, por edhe nga komuniteti shqiptar, nga komuniteti turk dhe nga komuniteti boshnjak. Por, mos harroni që komunat ku komuniteti serb është shumicë, këto komuna nuk janë një-etnike. Aty jetojnë edhe komunitete tjera. Kështu që unë, si një kandidate, mund vetëm të krenohem që ndoshta jam e vetmja që ka marrë vota nga të gjitha komunitetet dhe do të mundohem që ta arsyetoj këtë”, theksoi Hoxhiq.

SHIKONI EDHE: Lista Serbe në luftë për vota jo vetëm të pakicës serbe 

Rasim Demiri, kryetar Koalicionit Vakat, i cili vetë nuk ka mundur të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të një dënimi që ka pasuar nga një gjobë në trafik, thotë për Radion Evropa e Lirë, që të gjitha subjektet politike boshnjake, pa përjashtim, kanë marrë vota jo vetëm në komunat ku jeton komuniteti boshnjak, por edhe komunitetet tjera.

“Fakti që po lajmërohet një numër i vogël, diku rreth 550 vota në disa mjedise ku popullata shumicë është serbe, unë vërtet për këtë nuk kam asnjë informatë. Është njëjtë sikurse në zgjedhjet e mëparshme, kur në Kaçanik, kemi pasur 350 vota, si koalicion Vakat. Kështu që ne nuk kemi asnjë lidhje me ato vota dhe koalicioni Vakat nuk ka nevojë absolutisht për vota të tilla”, thotë Demiri.

SHIKONI EDHE: Veriu mes integrimit në Kosovë dhe kontrollit të Beogradit

Hasani: Subjektet që ankohen, kanë bazë kushtetuese

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në ankesat e Unionit Socialdemokrat dhe Partisë së Re Demokratike, në rast se parashtrohen në organet kompetente, përfshirë si hap të fundit edhe në Gjykatën Kushtetuese, janë krejtësisht të bazuara. Norma kushtetuese, siç thotë ai, i garanton përfaqësim të efektiv secilit komunitet në vend.

“Në këtë rast, vota është e qartë që nuk është votë e atyre që deklarohen si boshnjakë, përkatësisht rom dhe komunitetet tjera joserbe dhe joshqiptare dhe është tërësisht votë jokushtetuese dhe që është kundër demokracisë konsociacionale që ekziston në Kosovë. Demokracia konsociacionale do të thotë që secili komunitet ta ketë përfaqësimin e vet. Në këtë rast, në mënyrë efektive, partitë që deklarohen si boshnjake, rome dhe të tjera, që deri më dje i kanë përfaqësuar komunitetet, tash përfaqësohen në mënyrë efektive nga komuniteti serb”, thekson Hasani.

Përplasje konceptesh ndërmjet subjekteve boshnjake

Menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve në fillim të janarit 2021, Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike, subjekte politike që përfaqësojnë boshnjakët, kanë akuzuar Listën Serbe se po planifikonte që “përmes trupit të saj votues të ushtrojë ndikim dhe të vë nën kontroll disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Në këtë kontekst, ato kanë akuzuar për bashkëpunim me Listën Serbe, Komunitetin e Bashkuar të Adrijana Hoxhiqit dhe Iniciativën rome të Gazmend Salijeviqit nga Graçanica, gjithashtu komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

SHIKONI EDHE: Çka tash?

Hoxhiq kishte kundërshtuar ashpër këto akuza duke thënë se nuk ekziston kurrfarë marrëveshje ndërmjet nismës së saj dhe Listës Serbe.

Lista Serbe është themeluar dhe i mbështetur në vazhdimësi nga Beogradi zyrtar. Ky subjekt politik ka marrë shumicën dërmuese të votave dhe besohet që ka siguruar 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Liderja e Unionit Socialdemokrat, Duda Bale, shpreh mendimin që në rast se votat e një komuniteti tjetër, qoftë ai shumicë ose joshumicë, i jepen një subjekti politik të komunitetit tjetër dhe në këtë mënyrë ndikojnë në rezultatin zgjedhor të subjektit politik të caktuar, atëherë, siç thotë ajo, po përdhoset norma kushtetuese e përfaqësimit efektiv të komunitetit të caktuar, cilido qoftë ai.

“A e kuptoni se çfarë mund të ndodhë? Të themi që unë mund që nesër të konkurroj në vend të romëve dhe me numër shumë më të vogël të votave të bëhem përfaqësuese e romëve, ndërkohë që unë s’kam asnjë lidhje me romët, në kuptimin kombëtar. Në këtë mënyrë humbet tërësisht kuptimi shumetnik i parlamentit”, thekson Bale.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike.

“Është hapur ‘Kutia e Pandorës’. Në zgjedhjet e ardhshme, për shembull, Lëvizja Vetëvendosje të marrë 10 ulëset e garantuara të serbëve, duke u dhënë 50 mijë vota. Pra, një sistem i pavarur është shembur dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i një shteti tjetër në skenën tonë, është shumë i dëmshëm”, thekson Rexhepi.

Në anën tjetër, Adijana Hoxhiq nga Komuniteti i Bashkuar, ka këndvështrim tjetër. Sipas saj, secila votë që ka marrë subjekti i saj politik, është e qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, por që kanë besuar në programin e këtij subjekti.

“Ne shpresojmë që qasja e duhur është që ta kemi një gjendje ku edhe komuniteti pakicë respektohet. Duhet ta kemi bashkëjetesën në nivel të lartë. Pra, një bashkëjetesë, e cila është e logjikshme dhe natyrale. Ky ka qenë programi ynë të cilin e kanë përkrahur të gjitha komunitetet”, thekson Hoxhiq.

A janë prishur parametrat e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë?

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vlerëson që në rast se, në mënyrë hipotetike, Gjykata Kushtetuese nuk e mbron garancinë kushtetuese të përfaqësimit të komuniteteve joshqiptare dhe joserbe, i cili duhet të jetë efektiv dhe jo iluzion, atëherë, në të ardhmen, problemet për komunitetet joshumicë janë të pashmangshme.

SHIKONI EDHE: Lista Serbe: I kemi fituar të dhjetë mandatet e rezervuara

Sipas tij, komuniteti serb, por dhe komunitetet tjera që kanë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës, mund t’i humbin të gjitha ato vende, të cilat do të shkojnë në favor të personave që deklarohen se i përkasin atyre komuniteteve joshumicë, madje edhe në rastin kur ata në mënyrë efektive u përkasin komuniteteve të caktuar joshumicë, por që kanë një lojalitet të caktuar politik momental.

“Po të shkohet me atë logjikë, do të thotë që është abuzim me normën kushtetuese që garanton përfaqësim efektiv komuniteteve. Atëherë edhe komuniteti shqiptar, si komunitet shumicë, mund ta luajë të njëjtën lojë në të ardhmen dhe të prishen parametrat e përfaqësimit. Aktualisht, me këtë janë prishur parametrat e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë. Unë ju garantoj që në zgjedhjet tjera do të kemi shqiptarë, në mes të Skenderajt, kur do të votojnë ata serbë, të cilët eventualisht mund të jenë të tillë që kanë përfaqësimin më të ulët të komunitetit serb. Pra, që janë besnikë ndaj konjukturave ditore, për arsye krejt të ndryshme. Ndërkaq ideja e Kushtetutës është për përfaqësim efektiv”, shprehet Hasani.

Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike kanë theksuar se ankesat e tyre në organet kompetente do të parashtrohen menjëherë pasi që të dalin rezultatet zyrtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja.