Numri i punëtorëve shëndetësorë në Kosovë, të infektuar me koronavirus, që shkakton sëmundjen Covid- 19, deri më datën 30 qershor, ka arritur në 160, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Federata Sindikale e Shëndetësisë.
“Përveç kësaj, rreth 500 punëtorë shëndetësorë janë duke qëndruar në izolim. Por, kjo situatë ndryshon nga ora në orë”, thonë nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.
Ekspertët mjekësorë paralajmërojnë se infektimi i një numri të madh të personelit shëndetësor mund të paraqesë sfidë serioze në trajtimin adekuat të pacientëve.
SHIKONI EDHE: QKUK-ja ka rreth 500 shtretër për pacientët me Covid-19Së fundmi, brenda një jave, tri raste të infektuara me koronavirus janë shënuar në kuadër të stafit shëndetësor në Klinikën Pulmologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në të cilën po ashtu trajtohen pacientët e infektuar me koronavirus.
Klinikat me pjesëtarë të infektuar të stafit
Por, marrë parasysh, rrethanat dhe dinamikën e punës në situatën aktuale të përballjes me pandeminë e koronavirusit, sipas drejtoreshës së Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, numri prej vetëm 3 infermierëve të infektuar në këtë klinikë, konsiderohet ende i lehtë për t’u menaxhuar. Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se që nga fillimi i pandemisë në mesin e muajit mars, e deri para një jave, nuk ka pasur pjesëtar të stafit shëndetësor të infektuar me koronavirus në klinikën që ajo drejton.
“Qysh prej fillimit të pandemisë, vetëm 3 infermiere janë sëmurë. Njërën infermiere e kemi diagnostikuar pardje, tjetrën para dy ditësh dhe një tjetër para një jave. Kjo ndoshta tash ndodhë sepse janë lodhur njerëzit dhe nuk kanë koncentrim. Përkundër që i kanë masat mbrojtëse, ka humbur koncentrimi se si duhet vepruar në momentin kur dalin prej zonës Covid në atë joCovid. Kjo ka bërë që këta të infektohen”, tha ajo.
“Mirëpo, gjithmonë ne duhet që të jemi më të kujdesshmit dhe që nga momenti kur hyjmë në punë, duhet të mendojmë vetëm për punën dhe si të mbrohemi, si ta ruajmë vetveten në radhë të parë, sepse po ra stafi shëndetësor, atëherë popullata me të vërtetë do të jetë në një gjendje shumë të rëndë”, theksoi Mehmeti.
SHIKONI EDHE: Burrë e grua në luftë me virusin dhe larg fëmijëveAjo shtoi se infermieret e infektuara me koronavirus janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë duke qëndruar në izolim.
Në Klinikën Infektive, e cila ka barrën kryesore të përballjes me pacientët e sëmurë nga koronavirusi, më herët janë shënuar 5 raste të infermiereve të infektuara me këtë virus, të cilat tashmë janë shëruar plotësisht, si dhe së fundmi edhe një punëtor i sigurimit fizik.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thotë se me rritjen e numrit të rasteve të personave të infektuar me koronavirus dhe fillimin e trajtimit të tyre edhe në Klinikën Pulmologjike, por edhe në repartin intensiv të Ndërtesës Sportive, rreziku potencial për t’u infektuar punëtorët shëndetësorë është mjaft i përhapur. Ky rrezik, sipas tij, nuk e kanosë vetëm Qendrën Klinike Universitare, por edhe të gjitha institucionet shëndetësore, qoftë të nivelit parësor, por edhe dytësor.
SHIKONI EDHE: Klinikës Infektive po i rrezikohen kapacitetet për të sëmurët me Covid-19“Tani jemi dëshmitarë që në disa klinika të QKUK-së, ka staf shëndetësor të infektuar me virus, ka personel mjekësor, por ka edhe staf të infermierisë. Po ashtu, dëgjojmë që edhe nëpër komunat tjera, në spitalet rajonale, kemi staf të infektuar. Kjo mund të paraqesë një sfidë në javët e ardhshme, nëse vazhdon ky trend i rritjes së numrit të të infektuarve. Infektimi i një numri të madh të personelit shëndetësor mund të paraqesë sfidë serioze në trajtimin adekuat të pacientëve”, theksoi Krasniqi.
Sistemi shëndetësor në Kosovë është i organizuar në tri nivele: parësor, dytësor dhe tretësor.
Por, a ka kuadro të mjaftueshme brenda të tri niveleve që të përmbushin zbrazëtirat e mungesës së personelit mjekësor dhe të infermierisë në rast se eventualisht do të ketë më shumë të infektuar brenda këtij personeli?
Mungesa e kuadrove shëndetësore, sfidë për javët e ardhshme
Doktor Krasniqi thotë që kujdesi primar, në komunat më të mëdha, mund të kenë një mundësi më të madhe për të menaxhuar një situatë të tillë, ndonëse me vështirësi. Por, në klinika, sipas tij, situata është më e rënduar.
“Sa u përket klinikave, si staf i limituar dhe në numër të vogël, ju e dini që kemi infektologët, mikrobiologët, anesteziologët dhe po ashtu edhe pulmologët. Pra, tani për tani, kemi një numër të mjaftueshëm për të trajtuar rastet, por nëse vazhdon rritja e numrit të të infektuarve dhe eventualisht nëse ndodh infeksioni në mesin e punëtorëve shëndetësorë, veçmas të këtyre profileve që i përmenda, atëherë mund të përballemi me sfida serioze”, tha Krasniqi.
SHIKONI EDHE: Bumerangu i mosinvestimeve në shëndetësiDrejtoresha e Pulmologjisë, Mehmeti, tha që nevoja për më shumë staf mjekësor dhe të infermierisë ekziston që moti, por për më shumë, kjo është bërë e domosdoshme tash gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Po mundohemi që me këto resurse që i kemi, ta organizojmë punën për aq sa mundemi. Normalisht që lodhen për shkak se kujdestarojnë 12 orë, kujdestarojnë 24 orë. Mirëpo gjithmonë janë me ndërrime, sepse një infermiere rri 4-5 orë në trajtimet për Covid, pastaj del dhe hyn tjetra. Kështu ndodh edhe me mjekët. Pra, hyn një grup dhe del grupi tjetër, që të mund të pushojë. Ata nuk janë 24 orë me ata pacientë, sepse është e pamundur dhe shumë e lodhshme për t’i mbajtur veshjet mbrojtëse. Sikur të ishte kjo për 24 orë, po ju garantoj që brenda javës kishin për të rënë të gjithë”, tha Mehmeti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, ka deklaruar që janë duke u krijuar kapacitete shtesë në Klinikën Infektive dhe në klinikat tjera për trajtimin e pacientëve me koronavirus.
SHIKONI EDHE: Përhapje shqetësuese e koronavirusit në KosovëMinistria e Shëndetësisë, më 17 qershor, ka shpallur konkursin për rekrutimin e 200 profesionistëve shëndetësorë në funksion të menaxhimit të pandemisë së koronavirusit, ku është paraparë punësimi për të paktën 3 muaj, me mundësi vazhdimi edhe për 1 muaj më shumë, për 100 mjekë specialistë ose të përgjithshëm, 62 infermierë, 20 inspektorë sanitarë, 4 specialistë të mikrobiologjisë, 8 laborantë dhe 6 pozita për staf teknik.
Deri më datën 30 qershor, në Kosovë janë shënuar 2, 878 raste me të infektuar me koronavirus, prej të cilëve janë shëruar 1, 577 raste, ndërkaq, aktive janë edhe 1250 raste. Deri më tash, 52 persona kanë vdekur.