Që një vit punon me ndërrime 12-orëshe, kujdeset për gati 20 pacientë me COVID-19 dhe e pranon se e ka të pamundur që t’i trajtojë të gjithë në mënyrën e duhur.
Mungesa e stafit shëndetësor po vazhdon të paraqesë probleme në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku po trajtohen pacientët e infektuar me koronavirus.
Një infermiere (identiteti i të cilës është i njohur për redaksinë), më 6 shtator rrëfeu për punën e saj në pikun e pandemisë.
"Lodhje jashtëzakonisht e madhe. Të jesh motër që kujdesesh për 20 pacientë, kjo është diçka e tepërt. Të japësh terapi, të përcjellësh oksigjenin, temperaturën e shumë punë të tjera e kërkesa, të cilave duhet t’iu dalësh ballë”, tregon ajo për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, sfidat janë të shumta dhe në mungesë të stafit, kjo infermiere tregon se ka raste kur nuk mund t’u japë shërbimin e njëjtë të gjithë pacientë dhe me raste ata edhe mund ta pësojnë.
"Për shembull, një pacienti i rëndohet gjendja dhe mjeku thotë ‘shpejt t’i dërgohet gjaku për analiza në Emergjencë’. Ju duhet t’i lini të gjithë pacientët dhe terapitë e tyre përgjysmë dhe nuk mund ta refuzosh një urdhër të tillë”, tregon infermierja.
SHIKONI EDHE: Shumë punë e pak shtesa për punëtorët shëndetësorëPo ashtu, në një klinikë të QKUK-së, ku trajtohen rreth 60 pacientë me COVID-19 janë vetëm tri bombola të vogla me oksigjen për pacientët dhe ata duhet t’i lëvizin këto bombola kur shkojnë, për shembull, në tualet apo për të kryer fotografime të ndryshme jashtë klinikës.
“Duhet që ta përcjellësh atë bombol oksigjeni dhe karrocën e pacientit. E ndërkohë ju jeni me pacientë të tjerë... por, duhet ta përcillni bombolën, karrocën – nuk ka shanse t’i bësh të gjitha sepse je vetë. Ne kemi vetëm tri bombola, të cilat duhet të shkosh t’i mbushësh, dhe të gjitha këto kanë punë. Ndodh që nuk arrijmë t’i shërbejmë të gjithë”, shpjegon ajo.
Vdekjet e pacientëve dhe ballafaqimi me familjarët e tyre nuk janë ngjarje të rralla në repartin ku punon kjo infermiere.
“Krahas punëve të tjera, infermierja që është në ndërrim duhet të merret vetë me kufomën, nëse ka qenë pozitiv (me koronavirus) janë procedura të veçanta, ku duhet të vendoset në thesin e caktuar, të plotësohen formularët me të dhënat e pacientit e gjëra të tjera”, thotë ajo.
“Kam pasur raste kur pacienti, siç tregojnë familjarët, asnjëherë nuk ka pasur probleme shëndetësore, por brenda një jave ka ndërruar jetë për shkak të problemeve me oksigjen. Rastet e tilla te ne ndikojnë shumë. Non-stop e kam përcjell rastin, veç vinte duke i rënë (niveli) i oksigjenit, pulsi dhe më pas ai vdiq. Aty (brenda repartit) ndiejmë dhimbje shumë të mëdha sepse ka shumë momente prekëse”, shton infermierja.
SHIKONI EDHE: Batanije, dyshekë, ushqim: Në përkujdesje të familjarëve me COVID-19Pushimi brenda orarit të punës është pothuajse i pamundur për këtë infermiere.
“Nuk kemi kohë për pauzë, absolutisht. Më herët e kemi pasur kuzhinën e hapur, por që dy javë e kanë mbyllur kuzhinën. Darkën na e sjellin, por të ftohtë. Së pari, nuk kemi as ku të ulemi, e shfrytëzojmë kuzhinën e pacientëve kur është e hapur”, tregon ajo.
Kjo infermiere, që vetë ka qenë e infektuar me koronavirus, thotë se virusin e barti edhe tek anëtarët e familjes.
“Sivjet e kam marr edhe pushimin, por edhe atë pushim na e kanë ndërprerë, nuk kemi mundur që ta shfrytëzojmë”, tregon ajo.
Your browser doesn’t support HTML5
Në sektorin publik, paga mujore e mjekut është rreth 600 euro në muaj, ndërsa infermierët për punën e tyre paguhen me rreth 400 euro.
Ministria e Shëndetësisë në Kosova më 6 shtator ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se kanë filluar angazhimin e stafit shtesë shëndetësorë që do të merren me menaxhimin e pandemisë dhe procesin e imunizimit.
“Në javën e kaluar 200 infermierë janë angazhuar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, 100 të tjerë janë duke nënshkruar kontratat sot (6 shtator), derisa 5,000 infermierë të tjerë pritet nga data 6 shtator të jenë gati për fillim të punës gjithashtu”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Më 18 gusht, Qeveria e Kosovës pati miratuar vendimin për rritjen e stafit shëndetësor.
Gjatë javës së kaluar, drejtorët e spitaleve të përgjithshme në disa komuna të Kosovës, ku po trajtohen pacientët e infektuar me koronavirus, patën deklaruar se kanë mungesë të stafit shëndetësor.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri më 6 shtator, 17 për qind e popullsisë së përgjithshme është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.
Dozën e parë, ndërkaq, e ka marrë 35 për qind e popullsisë.
Në shtatë ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 181 raste të vdekjes dhe 8,901 raste të reja me koronavirus.