Rohde e kritikon Listën Serbe për mosdënimin e sulmit ndaj Policisë së Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, e ka kritikuar të hënën Listën Serbe, për heshtjen e saj rreth sulmit të armatosur vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit një ditë më parë.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e mbështetur nga Beogradi – ka heshtur deri tani në lidhje me ngjarjet e fundit në veri.

SHIKONI EDHE: Sulmuesit në veri, “të strukturuar dhe të përgatitur”

“Kur e tërë bota, përfshirë Kisha Ortodokse Serbe, u trondit nga dhe i dënoi ngjarjet e djeshme: Pyes veten nëse Lista Srpska do t’i japë fund heshtjes dhe do të na bashkohet në qëndrimin tonë të qartë kundër këtij sulmi vrastar ndaj Policisë së Kosovës”, shkroi Rohde në rrjetin social X.

Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Të dielën, Vuçiqi e fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë “disa serbë të Kosovës” u rebeluan duke ngritur barrikada “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.

SHIKONI EDHE: Sulmi në veri: Kosova bën përgjegjëse Serbinë, Serbia serbët e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Kurti, ndërkohë, tha se sulmi është mbështetur nga Serbia.

“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.