Ndërlidhjet

Sulmi në veri: Kosova bën përgjegjëse Serbinë, Serbia serbët e Kosovës


Oficerët e Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë më 24 shtator, 2023.
Oficerët e Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë më 24 shtator, 2023.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

Sipas tyre, njësitë policore vunë re në orët e para të së dielës vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.

Njësitë që shkuan në vendin e ngjarjes, u qëlluan me armë zjarri dhe njëri prej policëve u vra.

Autoritetet thanë se sulmuesit - rreth 30 syresh - ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Ata shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.

Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

“I gjithë territori i vendit është vendosur nën kontroll”, tha Sveçla, por nuk tha nëse personat e tjerë të armatosur, janë larguar.

Vendndodhja e manastirit të Banjskës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:35 0:00

Sipas tij, policia e Kosovës ka zbuluar edhe një sasi të madhe armatimi, përfshirë eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime e pajisje për barrikada.

“Lirisht mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues tjerë”, tha ministri i Brendshëm, për të shtuar se policia është duke kontrolluar edhe disa pelegrinë që kanë qenë në manastir, për të vërtetuar nëse ndonjëri prej sulmuesve është fshehur në mesin e tyre.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se gjashtë personat e arrestuar, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, dyshohen për “vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi është mbështetur nga Serbia.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, Kurti i përshkroi sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Ai i bëri thirrje grupit që t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.

I pyetur nga gazetarët se nga i siguruan serbët lokalë uniformat me të cilat shiheshin në fotografi, Vuçiq tha se ato “nuk janë uniforma të ushtrisë serbe apo të policisë serbe”. Uniformat blihen kudo në treg, tha ai.

“Fajtori i vetëm për atë që ndodhi në Kosovë është Albin Kurti”, tha Vuçiq, duke kritikuar edhe Perëndimin dhe, siç u shpreh, “hipokrizinë” e tij kur bëhet fjalë për Kosovën.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë atë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Rundi i fundit i bisedimeve mes tyre, më 14 shtator, përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

Policia e Kosovës tha mbrëmjen e së dielës se situata në veri, përkatësisht në fshatin Banjskë, vazhdon të jetë e tensionuar, edhe pse intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë.

Disa rrugë lokale dhe dy pika kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, u mbyllën gjatës ditës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli të hënën ditë zie, në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e dënoi vrasjen dhe tha se po ndjek nga afër situatën në Banjskë.

“Trupat e KFOR-it janë të pranishme në këtë zonë, të gatshme të reagojnë nëse kërkohet”, tha misioni paqeruajtës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë, po ashtu, se dënojnë ashpër sulmin.

Qytetarët ndezën të dielën mbrëma qirinj para selisë së Policisë së Kosovës në Prishtinë, në shenjë nderimi për policin e vrarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG