Kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico - i cili u plagos rëndë në një atentat - i është rikthyer vetëdija pasi iu nënshtrua një operacioni disaorësh, njoftuan mediat vendore të enjten. Ndërkohë, ndaj një të dyshuari është ngritur aktakuzë për tentim-vrasje.
Zyrtarët e spitalit në qytetin qendror të Sllovakisë, Banska Bistrica, thanë se lideri populist, 59 vjeç, iu nënshtrua një operacioni pesorësh, i cili u krye nga dy ekipe mjekësh mbrëmjen e 15 majit. Fico luftoi për jetën si pasojë e plagëve të rënda nga të shtënat.
“Gjatë natës, mjekët ia dolën ta stabilizojnë gjendjen e pacientit”, tha zëvendëskryeministri Robert Kalinak për gazetarët që ishin mbledhur pranë spitalit ku po mjekohet Fico.
*Video: Atentati ndaj kryeministrit sllovak
Your browser doesn’t support HTML5
“Fatkeqësisht, gjendja e tij është ende serioze, sepse plagët janë të komplikuara”, tha Kalinak, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes dhe aleat i ngushtë i Ficos në partinë e tij Smer.
Sipas tij, sulmuesi ishte i “motivuar politikisht”.
Mediat lokale raportuan të enjten se i dyshuari për atentatin ndaj Ficos, i cili u arrestua në vendin e ngjarjes pak çaste pasi shtiu me armë zjarri, akuzohet për tentim-vrasje.
Emri i të dyshuarit nuk është bërë i ditur, por mediat raportojnë se ai është një burrë 71-vjeçar.
Presidentja sllovake, Zuzana Caputova, bëri thirrje të enjten që të ndalet "urrejtja e dhunshme" që e ka kapluar Sllovakinë.
"Ne duhet të dalim nga ky cikël i urrejtjes së dhunshme dhe nga akuzat e ndërsjella. Ajo që ndodhi dje, ishte akt individual, por atmosfera e tensionuar e urrejtjes është vepër e jona e përbashkët", tha ajo.
Zëvendëskryeministri sllovak dhe ministri i Mbjedisit, Tomas Taraba, tha më herët për BBC se një plumb e goditi Ficon në stomak, ndërkaq plumbi i dytë në një kyç.
SHIKONI EDHE: Fico arrin marrëveshje koalicioni pas fitores në zgjedhjeFico, një politikan veteran në Sllovaki që u rikthye për t’u bërë kryeministër për herë të katërt pasi partia e tij Smer i fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar, kishte dalë nga një takim i Qeverisë së tij në qytetin Handlova, gati 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak, kur një burrë i armatosur iu afrua dhe e qëlloi.
Gazetarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, thanë se u dëgjuan disa të shtëna me armë.
Një video shfaqi Ficon duke u futur nga rojet e sigurisë me nguti në një veturë, e cila u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policia u pa gjithashtu duke e arrestuar një person, i cili besohet të jetë i dyshuari.
Të shtënat në Handlova e tronditën Sllovakinë dhe nxitën dënim ndërkombëtar.
Sllovakia, shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, është përballur me pak raste të dhunës politike.