Ndërlidhjet

Fico arrin marrëveshje koalicioni pas fitores në zgjedhje


Peter Pellegrimi nga Hlas, Roberto Fico nga partia Smer dhe Andrej Danko nga SNS, gjatë nënshkrimit të memorandumit për formimin e koalicionit qeverisës të ri në Sllovaki.
Peter Pellegrimi nga Hlas, Roberto Fico nga partia Smer dhe Andrej Danko nga SNS, gjatë nënshkrimit të memorandumit për formimin e koalicionit qeverisës të ri në Sllovaki.

Ish-kryeministri i Sllovakisë, Roberto Fico, ka arritur marrëveshje me partitë e qendrës së majtë dhe partitë nacionalistë për të formuar Qeverinë e re, e cila pritet të zvogëlojë mbështetjen për Ukrainën.

Fico, partia e të cilit Drejtimi Social Sllovak (SMER) që fitoi zgjedhjet më 30 shtator, është zotuar se do të ndalë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka kritikuar sanksionet ndaj Rusisë. Qeveria e tij e re pritet të marrë detyrën para samitit të Bashkimit Evropian që do të mbahet më 26-27 tetor, ku Ukraina do të jetë në krye të agjendës.

Qeveria e udhëhequr nga Fico pritet ta afrojë Sllovakinë me Hungarinë, në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe shtetet e tjera perëndimore po tentojnë të mbajnë unitetin sa i përket mbështetjes për Ukrainën.

SMER dhe partia e qendrës së majtë Hlas (Zëri) dhe nacionalistët e SNS-së nënshkruan një memorandum për formimin e koalicionit qeverisës. Këto parti u zotuan më 11 tetor se do të vazhdojnë të mbajnë qëndrimet themelore të shtetit sa i përket politikës së jashtme, pasi Sllovakia është anëtare e NATO-s dhe BE-së.

“Partitë [nënshkruese të memorandumit] garantojnë orientimin e politikës së jashtme të Republikës Sllovake mbi bazën e anëtarësimit të Sllovakisë në BE, NATO dhe organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, përderisa do të respektojmë sovranitetin dhe interesat kombëtare”, u tha në memorandum.

Megjithatë, në memorandum nuk u dhanë detaje lidhur me politikën e jashtme.

Fico është zotuar se do të ndalë ndihmën ushtarake për Ukrainën, teksa ekzekutivi paraprak kishte dërguar në Ukrainë avionë luftarakë, sisteme të mbrojtjes ajrore të llojit S-300 dhe makina luftarake.

Para zgjedhjeve, ai po ashtu kishte thënë se dëshiron të rinegociojë traktatin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Uashingtonin.

Fico mbështet ndihmën humanitare dhe për rindërtimin e Ukrainës dhe dëshiron që BE-ja të nisë bisedime të paqes, që Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë refuzuar. Sipas Ficosd, armatosja e Ukrainës vetëm do të inkurajojë agresionin e Rusisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG