Ndërlidhjet

Partia majtiste e ish-kryeministrit pro-rus i fiton zgjedhjet në Sllovaki


Lideri i partisë majtiste SMER-SSD dhe ish-kryeministri i Sllovakisë, Roberto Fico (i dyti nga e majta) duke e festuar fitoren në zgjedhjet parlamentare bashkë me anëtarët e partisë në Bratislavë, 1 tetor 2023.
Lideri i partisë majtiste SMER-SSD dhe ish-kryeministri i Sllovakisë, Roberto Fico (i dyti nga e majta) duke e festuar fitoren në zgjedhjet parlamentare bashkë me anëtarët e partisë në Bratislavë, 1 tetor 2023.

Partia majtiste e ish-kryeministrit, Roberto Fico, i ka fituar zgjedhjet parlamentare të së shtunës në Sllovaki, pas një fushate pro-ruse dhe mesazheve anti-amerikane, kur janë numëruar pothuajse të gjitha votat.

Partia e Ficos, Drejtimi Social Demokrat, SMER-SSD, doli e para me 22.9%, tha të dielën në mëngjes Zyra e Statistikave të Sllovakisë, pasi janë numëruar 99.98% të votave nga 6.000 vendvotime.

Zgjedhjet e së shtunës ishin një test për vendin e vogël të Evropës lindore në lidhje me mbështetjen e fqinjit të saj, Ukrainës, në luftën kundër Rusisë, prandaj, fitorja e Ficos mund ta dëmtojë edhe më shumë unitetin e brishtë në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Fico, 59 vjeç, u zotua se do ta ndalë mbështetjen ushtarake të Sllovakisë për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtuesit, Rusisë, nëse ia del të kthehet në pushtet.

Sllovakia ka qenë përkrahëse e madhe e Ukrainës qëkur Rusia e nisi pushtimin e saj në shkurt 2022, duke i dhuruar armatim dhe duke i hapur kufijtë për refugjatët e ikur nga lufta.

Meqë asnjë parti nuk e fitoi shumicën parlamentare, atëherë nevojitet koalicion për formimin e Qeverisë së re. Presidenti tradicionalisht i kërkon fituesit të zgjedhjeve të përpiqet ta fromojë Qeverinë e re, prandaj gjasat janë shumë të mëdha që Fico të bëhet përsëri kryeministër.

Ai shërbeu si kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2010 dhe përsëri nga viti 2012 deri më 2018.

Partia liberale pro-perëndimore, Partia Sllovakia Progresive (PS), doli e dyta me 18% të votave të fituara.

Lideri i saj Michal Simecka, i cili është nënkryetar i Parlamentit Evropian, tha se partia e tij e pranon rezultatin e zgjedhjeve.

“Por, ky është lajm i keq për Sllovakinë. Do të jetë edhe më keq nëse Roberto Fico ia del ta formojë Qeverinë”, tha Simecka.

Partia tjetër majtiste, Zëri, e udhëhequr nga ish-zëvendësi i Ficos, Peter Pellegrini, doli e treta me 14.7% të votave.

Pellegrini e uroi Ficon për fitoren, por tha se dy ish-kryeministra në një Qeveri mund të mos shkojë mirë.

“Nuk do të ishte ideal, por kjo nuk nënkupton se një koalicion i tillë nuk mund të krijohet”, tha Pellegrini.

Një partner tjetër i mundshëm për koalicion për Ficon, Partia ultranacionale e Sllovakisë, e cila është haptazi pro-ruse, i fitoi 5.6% të votave.

Këto tri parti mund ta formojnë një shumicë parlamentare nëse i bashkojnë forcat në një koalicion qeveritar.

Fico i kundërshton sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, ka dyshime nëse Ukraina mund vërtet ta mposhtë pushtimin rus dhe dëshiron ta parandalojë futjen e Ukrainës në NATO.

Ai dëshiron që, në vend se t’i dërgohen armë Kievit, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta përdorin ndikimin e tyre për ta detyruar Rusisë dhe Ukrainën të bëjnë marrëveshje kompromisi për paqe.

Fico i ka përsëritur pretendimet e pabaza të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se Qeveria e Ukrainës e udhëheq një shtet nazist nga i cili duhet të mbrohen rusët etnikë në lindje të vendit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është hebre dhe humbi të afërm të vet në holokaust.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG