Ndonëse vetëm gjatë këtij viti, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë investuar rreth pesë milionë euro, pacientët thonë se gjendja brenda klinikave nuk është e mirë.
Drejtori i Qendrës Klinike Universitare, Basri Sejdiu, thotë për Radion Evropa e Lirë se qëllimi ishte që investimet të përfshihen në 16 klinika, te të cilat është paraqitur nevoja që të intervenohet, qoftë në aparaturë apo edhe infrastrukturë. Ai thekson se këto investime kanë qenë projekte të mëhershme, derisa janë finalizuar këtë vit.
SHIKONI EDHE: Miliona euro donacione për shëndetësinë, pak përparime“Investimet gjatë këtij viti në shëndetësi kanë qenë vazhdimësi edhe e vitit të kaluar dhe mund të them se gati të gjitha klinikat janë prekur (nga investimet). Emergjenca është rinovuar tërësisht, krijimi i infrastrukturës moderne, pastaj Kardiologjia Invazive me Kardiokirurgji. Po ashtu, kemi investuar në Reumatologji, ambulancat specialistike, duke e bërë digjitalizimin e tyre. Gjithashtu, Klinika Neurologjike është pajisur me CT dhe renovim komplet”.
"Ndërsa, në klinikën në të cilën fare nuk ka pasur hapësira, është fjala për Alergologjinë, ku kanë qenë të punësuar 13 mjekë dhe një infermier, ka punuar me vetëm një dhomë dhe janë bërë vetëm vizita ambulantore. Tash aty pacientët mund të hospitalizohen, pra është krijuar hapësira sipas standardeve evropiane”, thotë Sejdiu.
SHIKONI EDHE: Mbi 50 milionë euro investime në shëndetësiPor, në vazhdimësi pacientët janë ata që mendojnë se nuk po u ofrohen shërbimet cilësore në këto klinika. Pacientja Genta H. Thotë se në sektorin e shëndetësisë ndonëse janë vërejtur investime, aty ka edhe shumë punë për t'u bërë.
“Po shoh që në shëndetësi po punohet, por gjendja reale nuk është ashtu siç do të donim. Prapë ka mungesë të shtretërve, ka mungesë të barnave, ka myk nëpër dhoma ku janë të hospitalizuar pacientët. Mendoj që edhe sjellja e mjekëve duhet përmirësohet karshi pacientëve, pasi ne si pacientë ballafaqohemi çdo ditë me ta”.
“Pastaj besimi i qytetarëve duhet të rikthehet, pasi për të kryer punë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duhet të kesh dikë që e njeh nga stafi mjekësor dhe kjo nuk është në rregull”, thekson Genta H. Ajo thotë se pacientët duhet të trajtohen njësoj dhe të marrin shërbime korrekte e cilësore pavarësisht se kush janë ata.
Njëra nga klinikat në të cilën është investuar, është Klinika e ORL-së (Klinika për vesh, fyt e hundë). Drejtori i kësaj klinike, Hajdin Thaçi, thotë se klinika tashmë ka pranuar disa pajisje, të cilat ua mundësojnë pacientëve që t’i marrin disa shërbime, të cilat deri më tani i kanë kërkuar jashtë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
“Ne si klinikë kemi ende shumë nevojë për përkrahje për investime, por që tashmë kemi filluar të shohim një dritë në fund të tunelit, pasi veç ka filluar investimi. Sa u përket investimeve tjera në Klinikën e ORL-së, jemi në pritje të aparaturës për investime në sallë, pasi mungojnë shumë mjete të punës”, thekson ai.
SHIKONI EDHE: Me dekada nuk ishte investuar në Klinikën e SyveNë anën tjetër, Basri Sejdiu thotë se investimet nëpër klinika janë në proces. Ai përmend edhe disa investime tjera, të cilat, sipas tij, pritet të përfundojnë së shpejti.
“Janë në procedurë komplet renovimi i Klinikës së Radiologjisë, Biokimisë, ndërtimi i sallave të Kirurgjisë plastike, janë duke u renovuar ambulancat specialistike së bashku me Klinikën e Oftalmologjisë dhe të ORL-së si dhe Klinikën e Logopedisë. Janë edhe shumë klinika në procedurë dhe qëllimi është që pacientët të kenë qasje më të lehtë dhe trajtim më profesional dhe cilësor. Por, qëllimi kryesor është që t’u kthehet besimi qytetarëve në institucione shëndetësore publike për shkak që ata të mos paguajnë shuma të mëdha për trajtime”, deklaron Sejdiu.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës është e vetmja qendër terciare, referente për tërë Kosovën.