Ndërlidhjet

Mbi 50 milionë euro investime në shëndetësi


Sektori publik shëndetësor prej vitesh vuan nga mungesa e pajisjeve mjekësore për punë. Si rrjedhojë, vlerësohet se edhe cilësia e shërbimeve shëndetësore për pacientët është jokualitative.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se modernizimi i pajisjeve nëpër spitale është i domosdoshëm për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.

Andaj për këtë fushë, ai thotë se tashmë janë ndarë mbi 52 milionë euro për të gjitha spitalet, kurse 26 milionë euro për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për fushën e infrastrukturës së shëndetësisë është bërë një studim i fizibilitetit për ngritjen e infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore dytësore dhe tretësore, të financuar nga Komisioni Evropian përmes kornizës për investime në Ballkanin Perëndimor. Kjo nënkupton një studim të brendshëm se çka ka nevojë ky sektor për t’u kompletuar me pajisje të nevojshme për punë.

Ministri Ismaili shtoi se ballafaqimi i profesionistëve shëndetësorë me aparaturë të vjetër ka qenë i vështirë. Në mungesë të pajisjeve, profesionistët shëndetësorë ndonëse me përgatitje të mirë profesionale, shpeshherë, u tha se nuk kanë mundur të ofrojnë shërbime për pacientë dhe rrjedhimisht të njëjtit janë detyruar të kërkojnë shërim jashtë vendit.

“Ne përmes një plani emergjent kemi nisur modernizimin e pajisjeve, sidomos në QKUK, por tashmë do të vazhdojmë për të gjitha spitalet. Mbi 52 milionë euro në të gjitha spitalet, 26 milionë euro në QKUK-në. Përmes këtij projekti synojmë të modernizojmë spitalet për qytetarët e Kosovës”, tha ministri Ismaili.

Në anën tjetër, nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, kryetari Blerim Syla thotë se duhet të bëhet një studim më i detajuar në mënyrë që të mos investohet në objekte pa parë se a ka edhe staf të mjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha nevojat e objekteve, por edhe trajnime të stafit që të përdoren aparatura të reja.

“Nëse realizohet, kjo e ndihmon shërbimin dhe performancën. Por, nëse investohen në ndërtimin e spitaleve fantome, ashtu siç po e planifikojnë ndërtimin e objekteve, atëherë është dështim dhe vendim politik”, ka thënë Syla.

Ndërkaq zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Fatmir Gashi, tha se janë të përkushtuar që të financojnë projekte që kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

“Edhe ne si Qeveri e Kosovës nuk kemi pushuar të financojmë projekte që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve. Por, ky projekt është i pari në sektorin e shëndetësisë që mbështetet nga bankat e Evropës dhe është shumë i rëndësishëm. Ne jemi të vetëdijshëm që nevoja për investime në shëndetësi janë të mëdha dhe jemi duke e ndjekur logjikën e emergjencës dhe jemi duke vepruar”, tha Gashi.

Ndryshe në Kosovë kanë qenë ekspertë të huaj ku bashkë me ata vendorë kanë bërë një studim të brendshëm, për nevojat që ka sistemi shëndetësor publik, sa i përket kompletimit të aparaturave mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga “Western Balkans Investment Framework”, që përmes përkrahjes së Bankës Evropiane të investojë mbi 50 milionë euro për këtë projekt.

Sidoqoftë, përpos mungesës së aparaturës së nevojshme, ky sektor vuan edhe nga mungesa e barnave të listës esenciale që nga lufta e fundit në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG