Julianne Smith: Po kërkojmë zgjidhje për rezistencën e Turqisë ndaj Suedisë dhe Finlandës

Ambasadorja Julianne Smith gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, 28 mars 2022.

Përfaqësuesja e Përhershme e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith, në një intervistë për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë, rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s. Ajo, megjithatë, paralajmëroi se një vendim i mundshëm për këtë merret me konsensus, ku votojnë edhe ato vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ambasadorja Smith, po ashtu, konfirmoi se aleanca veri-atlantike është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Smith konfirmoi se edhe situata në Bosnje dhe Hercegovinë do të diskutohet në samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet mes 28 dhe 30 qershorit në Madrid.

Ajo theksoi se anëtarët e NATO-s janë në kontakt të vazhdueshëm me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për të parandaluar ndikimin e mundshëm rus në këto vende.

Ambasadorja Smith ka folur veçanërisht për përpjekjet e Aleancës për të kapërcyer kundërshtimin e Turqisë ndaj anëtarësimit të mundshëm të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Dy vendet skandinave kanë nisur procesin e anëtarësimit në Aleancë, duke hequr dorë nga neutraliteti i tyre ushtarak prej dekadash, pasi Rusia pushtoi Ukrainën fqinje.

Radio Evropa e Lirë: Samiti i NATO-s në Madrid do të zhvillohet pas disa javësh dhe megjithëse ishte planifikuar shumë më herët, agjenda është subjekt i ngjarjeve të fundit. Dhe, nuk po flas vetëm për luftën në Ukrainë, por edhe për diçka që ishte e paimagjinueshme vetëm disa muaj më parë. Këto janë dy vende neutrale që aspirojnë të anëtarësohen në NATO. A është i mjaftueshëm afati për nënshkrimin e marrëveshjes në Madrid për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO?

Julianne Smith: Siç e dini mirë, ne kemi një anëtare të Aleancës (Turqia), e cili doli dhe shprehu shqetësimin për kërkesën e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me Aleancën. Aktualisht, po kërkojmë mënyra për t’i zgjidhur këto probleme. Për fat të mirë, Aleanca ka një histori të gjatë në trajtimin e situatave të tilla, ku një aleat vjen në tryezë dhe ka një shqetësim apo çështje që dëshiron të ngrejë. Prandaj, ne shpresojmë se do të jemi në gjendje ta zgjidhim këtë, se do ta kapërcejmë këtë dhe se Finlanda dhe Suedia përfundimisht do t’i bashkohen kësaj aleance gjatë këtij viti.

SHIKONI EDHE: Finlanda dhe Suedia dorëzojnë aplikimet për anëtarësim në NATO

Sa i përket çështjes së samitit në Madrid, do të shohim se si do të shkojnë bisedimet, të cilat janë duke vazhduar. Ne shpresojmë se ata ndoshta do të mund të na bashkohen në samitin në Madrid, si të ftuar, nëse gjërat shkojnë sipas planit. Por, këtë do ta shohim nga java në javë dhe do të shohim se si do të zhvillohen diskutimet.

Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për këtë, njërin aleat. Kjo në një farë mënyre është kthyer në një çështje dypalëshe ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë. A mund ta zhbllokoni këtë çështje që nga ky moment e deri në fund të qershorit?

Julianne Smith: Epo, nuk e kemi përshtypjen se është vetëm një çështje dypalëshe. Ajo që ndodhi është se Turqia erdhi në aleancën e NATO-s pak ditë më parë, më shumë se një javë më parë, dhe shprehu shqetësime të caktuara për të dy vendet kandidate, Suedinë dhe Finlandën. Ndërkaq, ajo që ne po bëjmë është që të inkurajojmë turqit që të bashkëpunojnë ngushtë me këto vende dhe të punojnë për zgjidhjen e këtyre çështjeve mes këtyre të triave, në mënyrë që të vazhdojmë me negociatat për anëtarësim.

SHIKONI EDHE: Pse Turqia është kundër Finlandës dhe Suedisë në NATO?

Radio Evropa e Lirë: Por, po i shmangeni përgjigjes për pyetjen nëse SHBA-ja po punon me Turqinë për t’u mundësuar anëtarësimin ose të paktën një ftesë (për Suedinë dhe Finlandën)?

Julianne Smith: Të gjithë aleatët këtu në NATO po konsultohen me Suedinë, Finlandën dhe Turqinë, duke u përpjekur të kuptojnë se sa kolektivisht mund t’i zgjidhim problemet. Ka pasur disa thirrje të nivelit më të lartë, të cilat, ne zyrtarët, ia kemi drejtuar. Gjithashtu, ministri turk i Punëve të Jashtme ka qenë së fundmi në Uashington, si dhe ka pasur rastin të ulet dhe të takohet me sekretarin (Anthony) Blinken në Nju Jork, në margjinat e konferencës për sigurinë ushqimore.

Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht se ekziston njëfarë optimizmi i kujdesshëm se gjërat mund të kthehen në drejtimin e duhur dhe se mund të ketë një ftesë për dy vendet, me çka do të arrihej zgjerimi i NATO-s. Në mënyrë ironike, veprimet e Putinit në Ukrainë kontribuojnë drejtpërdrejt në zgjerimin e NATO-s, ndërsa qëllimi i tij ishte ta parandalonte këtë?

Julianne Smith: Po, është plotësisht e saktë. Presidenti Putin ka pasur një sërë synimesh në muajt e fundit. Nën një, ai dëshironte të shkonte në Kiev dhe të merrte Ukrainën brenda pak ditësh. Ai deshi që të përçante Perëndimin dhe të sigurohej që ne të mos jemi të bashkuar që të ushtrojmë presion mbi Moskën që ta ndalojë këtë luftë. Dhe, sigurisht, nuk donte të shihte NATO-n të pranonte anëtarë të rinj ose të shihte anëtarët e NATO-s të lëviznin forcat dhe pozicionet e tyre në Evropën Lindore. Në fakt, këto gjëra ndodhën. Ne pamë që NATO-ja tani po merr aplikime nga Suedia dhe Finlanda. Ne pamë aleatët të lëvizin forcat e tyre në Evropën Lindore. Rusia nuk arriti ta merrte Kievin, madje as të gjithë Ukrainën dhe nuk arriti ta përçajë Perëndimin.

Your browser doesn’t support HTML5

Putin nuk arrin ta frenojë NATO-n


Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ka aleatë që janë të shqetësuar. Duhet pranuar që e gjithë bota është e shqetësuar, por e kam fjalën për anëtarët e NATO-s, të cilët janë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të Rusisë. Jo vetëm shtetet baltike, por edhe ato në Ballkanin Perëndimor. Ballkani dhe anëtarët e NATO-s nga rajoni, janë territor i përsosur për aksionet e mundshme ruse në të ardhmen. A po ndërmerr NATO ndonjë veprim për të parandaluar çdo ndikim të mundshëm të agresionit rus në Ballkanin Perëndimor, në mesin e aleatëve? Po flas për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

SHIKONI EDHE: Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO me ndikim edhe në Ballkan


Julianne Smith: Ajo që bëri Aleanca në javët para 24 shkurtit, kur Rusia hyri në Ukrainë, ishte të ulej me të gjithë anëtarët, përfshirë disa nga anëtarët më të rinj si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, për të shqyrtuar nëse ka nevoja sigurie në këtë moment. Më pas, kur Rusia hyri në Ukrainë, ato bisedime vazhduan. Këtu të gjithë e dimë mënyrën e të vepruarit rus.

Ne e dimë se, përveç luftës në Ukrainë me forcat ushtarake konvencionale, rusëve u pëlqen të mbështeten në gjëra të tilla si sulmet kibernetike ose fushatat e dezinformimit. Përpiqen të inkurajojnë paqëndrueshmërinë ose të na ndajnë nga brenda. I kemi ndjekur nga afër këto lloj taktikash javët dhe muajt e fundit. Edhe Aleanca përgjigjet. Kemi pasur biseda të ngushta me të gjithë aleatët tanë, por edhe me shumë partnerë tanë, për të trajtuar llojet e taktikave që çdo vend beson se i identifikon në këtë moment ose pret të shohë në të ardhmen.

SHIKONI EDHE: Fuqia e armëve nordike: Pajisjet ushtarake që Suedia dhe Finlanda do t'ia sillnin NATO-s

Radio Evropa e Lirë: T’i kthehemi samitit në Madrid. Në mesin e shumë çështjeve që do të diskutoni, liderët do të kenë kohë për të diskutuar edhe për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Bosnjë e Hercegovinën. A mund të na thoni se cili do të jetë konkretisht fokusi i debatit për këtë vend?

Julianne Smith: Nuk kam kurrfarë krye-lajmi konkretisht për Bosnjën. Ajo që mund të them për Bosnjën është se ajo është një partner i ngushtë i aleancës së NATO-s. Bosnja ka një marrëdhënie me NATO-n për një kohë të gjatë. Ne vazhdojmë të kërkojmë mënyra për të forcuar këtë marrëdhënie ndërmjet Bosnjës dhe NATO-s. Ne do të duhet të shohim për përpjekjet e ardhshme që mund të bëhen ose në Madrid ose diku tjetër, në mënyrë që kjo marrëdhënie të vazhdojë të zgjerohet dhe forcohet.

Radio Evropa e Lirë: Në dritën e luftës në Ukrainë, a ekziston nevoja në NATO-n, e cila sigurisht ekziston në rajon, për lidhje më të ngushta me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të NATO-s. Konkretisht po flas për përmirësimin e planit të veprimit për anëtarësimin e Bosnje e Hercegovinës nga njëra anë, por edhe që Kosovës t’i ofrohet diçka. Kosova ka shprehur gatishmërinë e saj për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe. Megjithatë, ne kemi katër shtete që nuk e njohin Kosovën dhe që mund ta pengojnë këtë. A ka ndonjë mënyrë për gjetjen e zgjidhjes politike që Kosova të afrohet me strukturat e NATO-s apo programet e NATO-s?

Julianne Smith: Më lejoni të flas vetëm nga këndvështrimi ynë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin integrimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet evropiane apo euroatlantike. Ne besojmë se vendet duhet të kenë të drejtën të përcaktojnë bashkimin dhe anëtarësimin e tyre. Ne sigurisht që do të mbështesnim lëvizjen e Kosovës drejt programit të Partneritetit për Paqe.

SHIKONI EDHE:

Hodges: SHBA dhe BE duhet të kenë strategji të qartë për Kosovën Çfarë është Partneriteti për Paqe ku Kosova synon të anëtarësohet?Osmani kërkon ndihmën e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Por, keni të drejtë kur theksoni se gjithçka që ndodh këtu në aleancën e NATO-s, ndodh me konsensus. Nuk ka votim me shumicë të kualifikuar. Këtu të gjitha vendimet merren mes nesh, 30 anëtarëve. Ky është termi që ne përdorim, ku të 30 shtetet duhet të pajtohen për këtë. Pra, ky do të jetë një vendim që do të duhet të merret me konsensus nëse Kosova vendos të përpiqet të ecë drejt Partneritetit për Paqe.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, a po punon SHBA-ja të paktën me katër shtetet që nuk e njohin Kosovën, për të provuar që t’i bindë ato se kjo është për hir të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe se nuk është një çështje politike që do të minonte qëndrimin e tyre politik ndaj statusit të Kosovës. A është e mundur që kjo të ndodhë?

Julianne Smith: Shikoni, unë mendoj se ajo që mund të them është se ajo që po ndodh këtu në aleancën e NATO-s është se ne të gjithë jemi të shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe se ne duam të punojmë së bashku për këtë qëllim. Pra, më lejoni të përsëris, SHBA-ja do të mbështesë Kosovën në vendosmërinë dhe përpjekjet e saj për t’u bërë anëtare e Partneritetit për Paqe.

Radio Evropa e Lirë: T’i kthehemi luftës në Ukrainë dhe zgjerimit të NATO-s. Më 24 shkurt ndodhi pikërisht për shkak të Planit të veprimit për anëtarësimin e Ukrainës. A është e përjashtuar plotësisht kjo tani në dritën e asaj që po ndodh në këtë vend?

SHIKONI EDHE: Shefi i NATO-s: Ukraina mund ta fitojë këtë luftë


Julianne Smith: Jo. Mendoj se ajo që ishte shumë, shumë e qartë, jo vetëm që nga 24 shkurti, por edhe para se Rusia të hynte në Ukrainë, është mesazhi që vjen nga Brukseli, këtu në selinë e NATO-s, se dera e NATO-s do të mbetet e hapur. Ne patëm, më 12 janar, një takim shumë të gjatë të Këshillit NATO-Rusi, këtu në NATO. Asokohe pala ruse u ul në tryezë dhe në fakt pyeti nëse NATO-ja do të rishqyrtonte politikën e saj të dyerve të hapura. Mesazhi në atë takim ishte i qartë. Dhe, kështu, dera e NATO-s do të mbetet e hapur.

Së pari do të fokusohemi në përfundimin e luftës në Ukrainë. Ky është prioriteti kryesor, për momentin, por ne besojmë se Ukraina ka ende të drejtën të vendosë në një moment se a dëshiron të anëtarësohet në NATO. Ne do ta lëmë këtë në duart e presidentit (Volodymyr) Zelensky, por këtu në aleancën e NATO-s, ne ishim shumë të qartë në mesazhin tonë që askush nuk i mbyllë dyert e hapura të NATO-s.

Përgatiti: Bekim Bislimi