Ndërlidhjet

Hodges: SHBA dhe BE duhet të kenë strategji të qartë për Kosovën 


Ben Hodges, bashkëpunëtor i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), me seli në Uashington. 
Ben Hodges, bashkëpunëtor i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), me seli në Uashington. 

Rusia ka zero interes në një Ballkan të qëndrueshëm dhe do të pengojë integrimin e tij në strukturat euro-atlantike, thotë Ben Hodges, bashkëpunëtor i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), me seli në Uashington.

Sipas tij, mungesa e një strategjie të qëndrueshme perëndimore e ka lënë Ballkanin të cenueshëm përballë Rusisë.

“Nuk mund të lëvizim herë brenda, herë jashtë, duhet të ketë interes të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, thotë Hodges për Radion Evropa e Lirë.

Hodges, i cili ka shërbyer edhe si komandant i forcave amerikane në Evropë, thotë se e kupton interesimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, por shton se në afat të shkurtër, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të kenë një strategji të qëndrueshme për rajonin, e cila adreson zhvillimin ekonomik, ashtu si edhe sigurinë dhe çështje të tjera.

Duke komentuar kërkesën e Kosovës për një bazë të përhershme amerikane në territorin e saj, Hodges thotë se misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është përgjigjja e duhur.

Radio Evropa e Lirë: Në kohën kur lufta në Ukrainë po i bën gati tre muaj, shumë politikanë e kanë kthyer vëmendjen te Ballkani Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar i ka kërkuar Perëndimit të dërgojë armë atje. A mendoni se ky rajon mund të bëhet cak i radhës i Rusisë?

Ben Hodges: Rusia gjithmonë ka supozuar se mund t’i manipulojë gjërat në Ballkan, sepse Perëndimi nuk i ka kushtuar vazhdimisht vëmendje të mjaftueshme [këtij rajoni]. Për shembull, Bashkimi Evropian nuk ka qenë i gatshëm ose i aftë për t’i integruar më shpejt vendet e Ballkanit Perëndimor. Shtetet e Bashkuara kanë demonstruar se kanë interesa strategjike atje, por vetëm herë pas here. Dhe, për shkak të mungesës së një strategjie të qëndrueshme nga ana jonë - për të gjithë rajonin e Detit të Zi, me Ballkanin në njërën anë dhe Kaukazin në anën tjetër - Rusia e ka shfrytëzuar situatën.

Rusia ka zero interes në një Ballkan të qëndrueshëm. Ajo do t’i pengojë vendet, përfshirë Serbinë, nga integrimi i mëtejshëm perëndimor. Andaj, vazhdon të nxisë dhe mbështesë organizata të ndryshme, si Republika Sërpska, sepse nuk ka interes për respektimin e ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare dhe për promovimin e stabilitetit dhe të sigurisë.

Kjo është arsyeja përse ne, Shtetet e Bashkuara, Aleanca [e NATO-s] dhe Bashkimi Evropian, duhet të mendojmë në mënyrë strategjike për Ballkanin Perëndimor, por edhe për rajonin e Detit të Zi. Sepse, ajo që ndodh në Ballkanin Perëndimor, prek Rumaninë, Hungarinë, Bullgarinë.

Kisha në Serbi është e fuqishme, Rusia e shfrytëzon situatën

Radio Evropa e Lirë: Vëmendja e Perëndimit ka qenë më e përqendruar te Serbia, e cila refuzon t’iu bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Cilat mund të jenë pasojat e kësaj politike?

Ben Hodges: Serbia është e rëndësishme për disa arsye. Në Ballkanin Perëndimor, ajo është fuqia më e madhe ushtarake. Mendoj se ajo nuk është e bindur në mbështetjen e Perëndimit dhe të SHBA-së. Atje ka grupe, organizata veteranësh dhe është kisha natyrisht, që unë i shoh si agjente të Kremlinit. Kjo është arsyeja përse të menduarit strategjik është aq i rëndësishëm.

Këtu bën pjesë edhe Lumi Danub, që kalon përmes Beogradit. Çdo shpresë që mund të kemi për të përmirësuar qëndrueshmërinë ekonomike në Danub, duhet të përfshijë edhe dëshirat e Serbisë. Pra, ka aq shumë çështje të lidhura me një strategji, që do të përfshinte diplomacinë, investimet ekonomike, e jo vetëm bashkëpunimin në sigurinë ushtarake.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të vazhdojë t’i shmangë sanksionet kundër Rusisë?

Ben Hodges: Ai duhet të ketë disa opsione. Si çdo udhëheqës, ai ka çështje të brendshme, me të cilat duhet të përballet. Unë mendoj se shumica e njerëzve atje duan një qasje më perëndimore dhe demokratike, por kisha është e fuqishme, disa organizata të veteranëve janë të fuqishme dhe Rusia e shfrytëzon këtë situatë.

Nëse mendojmë në mënyrë strategjike, ne nuk e trajtojmë Serbinë si një ishull, por shikojmë gjithë rajonin, shikojmë mënyra për të krijuar mundësi për miliona njerëz, që jetojnë jo vetëm në Serbi, por në të gjithë rajonin, që i duan mundësitë që i ofron një shoqëri liberale demokratike dhe integrimi perëndimor. Kjo është gjëja e fundit që Kremlini do. Andaj, duhet të realizojmë.

Radio Evropa e Lirë: Ndjenja pro-ruse nuk kufizohet vetëm në Serbi. Mbështetja për Moskën është e përhapur edhe në mesin e serbëve të Bosnjës. Udhëheqësi i tyre, Milorad Dodik, ka kërcënuar se do ta ndajë Republikën Sërpska nga federata e përbashkët, për t’iu bashkuar Serbisë. A mendoni se Rusia mund ta shfrytëzojë këtë moment të brishtë?

Ben Hodges: Rusia tani i ka duart plot. Unë mendoj se ajo është turpëruar në Ukrainë. Ka humbur një të tretën e forcave të saj ushtarake brenda Ukrainës. Mendoj se njerëzit që, në të kaluarën, e kanë lidhur veten me Kremlinin, kanë filluar të rishqyrtojnë të ardhmen e tyre. Pra, a duan të prangosen nga [presidenti rus] Vladimir Putin, nga Kremlini, dhe të rrezikojnë të përjashtohen nga mundësitë ndërkombëtare?!

“Kërcënime boshe kundër Bosnjës”

Radio Evropa e Lirë: Ambasadori i Moskës në Sarajevë, Igor Kalabukhov, e ka kërcënuar Bosnjën me skenarin e Ukrainës nëse Bosnja lëviz drejt anëtarësimit në NATO. Sa shqetësuese është kjo?

Ben Hodges: Mendoj se është shaka. Çfarë kërcënimi është ky? Skenari i Ukrainës nuk është gjë tjetër, veçse një lajm i keq për Rusinë. Nëse ky është kërcënimi i tij, atëherë Bosnja nuk duhet të shqetësohet shumë. Çfarë mendon se mund të bëjë ambasadori rus? Cilat trupa ruse do të shfaqen në Bosnje?

Radio Evropa e Lirë: Rusia, megjithatë, ka pushtuar Ukrainën...

Ben Hodges: Po, por shikoni, ata [Rusia] kanë humbur një të tretën e forcave të tyre tokësore. Ata janë turpëruar. Ministria e tyre e Mbrojtjes është ekspozuar si një nga institucionet më të korruptuara në të gjithë Evropën dhe natyrisht në të gjithë Rusinë. Andaj, mendoj se është një kërcënim bosh të thuash se Bosnja do të ekspozohej ndaj të njëjtit skenar si Ukraina.

Radio Evropa e Lirë: Tensionet janë të larta edhe në Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve me Serbinë. Çfarë efektesh mund të ketë lufta në Ukrainë në Kosovë?

Ben Hodges: Para së gjithash, mendoj se ne duhet t’iu japim udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë hapësirë, për të qenë në gjendje të negociojnë. Pa vija të kuqe nga ne, pa leksione, le t’iu japim hapësirë këtyre dy liderëve që realisht të negociojnë me njëri-tjetrin. Sigurisht se kanë dallime të thella dhe ato nuk do të zhduken.

Por, sipas mendimit tim, ato nuk janë të pakapërcyeshme, nëse udhëheqësve të të dyja vendeve u jepet mundësia dhe mbështetja nga organet legjislative, për të punuar me njëri-tjetrin. Perëndimi duhet të tregojë se nuk e lejon sjelljen e keqe. Ne nuk kemi pse ta demonizojmë Serbinë gjatë gjithë kohës, por, në të njëjtën kohë, duhet të sigurojmë se të gjitha palët i përmbahen ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve të mëparshme.

Dhe, në fund, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të shfaqin interes të qëndrueshëm. Nuk mund të lëvizim herë brenda, herë jashtë, duhet të ketë interes të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Mendoj se kjo do t’i inkurajonte liderët e të dyja palëve që të angazhohen në një mënyrë më produktive.

Fokusi i Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë tek e ardhmja

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni apo parashikoni ju zgjidhjen mes tyre?

Ben Hodges: Mendoj se ka tendenca nga shumë njerëz që të jetojnë në të kaluarën. Mendoj se liderët duhet të jenë më largpamës, të largojnë presionin politik dhe të përqendrohen në të ardhmen, në atë që është më e mira për të rinjtë. Nuk ka të ardhme të mirë për të rinjtë në Serbi, në Bosnje apo në Kosovë, nëse fokusi është gjithmonë në atë se kush çfarë ka bërë 200, 300, apo 400 vjet më parë.

Radio Evropa e Lirë: Kosova i ka kërkuar NATO-s që të përshpejtojë integrimin e saj në aleancë pas pushtimit rus të Ukrainës. Sa e rëndësishme është për Kosovën që të anëtarësohet në NATO?

Ben Hodges: Mendoj se të gjithë mund të shohin se anëtarësimi në Aleancë është një garanci. Pra, ka një Perde të Hekurt këtu. Rusia do të kërcënojë, por nuk do të guxojë të sulmojë një vend të NATO-s. Ajo nuk ka hezituar të sulmojë vende joanëtare të NATO-s, si Gjeorgjinë, Moldavinë, Ukrainën. Po ashtu, hyn e del në Bjellorusi kur të dojë. Pra, e kuptoj se përse Kosova do që të anëtarësohet në NATO dhe shpresoj që kjo të realizohet një ditë.

Por, në afat të shkurtër, përpara se të flasim për anëtarësinë në NATO, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të kenë një strategji të qëndrueshme për rajonin, e cila adreson zhvillimin ekonomik, ashtu si edhe sigurinë dhe të gjitha ato gjëra thelbësore për shoqëritë liberale demokratike: mediat e lira, transparencën në institucionet financiare dhe në sistemet ligjore.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se kjo lloj strategjie do ta pengojë Rusinë të përfshihet më shumë në rajon?

Ben Hodges: Po, ajo parandalohet pikërisht kështu - me investime ekonomike dhe në institucione të tjera. Është rrezik për të gjitha vendet e rajonit që të rinjtë e tyre duan të shkojnë në Perëndim, në Evropë, në Kanada, në SHBA. E gjithë ajo fuqi truri dëshiron të largohet. Është në interesin e Perëndimit që të rinjtë e zgjuar të këtyre vendeve të duan të qëndrojnë në shtëpi.

KFOR-i, spirancë stabiliteti

Radio Evropa e Lirë: Kosova ka kërkuar, po ashtu, nga SHBA-ja që të krijojë njëbazë të përhershme ushtarake atje. Cilat janë gjasat për këtë?

Ben Hodges: Mendoj se misioni [paqeruajtës i NATO-s] KFOR është përgjigjja e duhur. Mendoj se KFOR-i - me investime relativisht të vogla të vendeve - ofron një spirancë stabiliteti. Më kujtohet kur kam qenë në ushtri, vetëm disa vite më herët... nuk dua të jem shumë specifik, por zyrtarë të lartë në Shqipëri dhe Serbi më kanë thënë: ju lutem, mos e largoni KFOR-in. Është e vetmja spirancë e stabilitetit në rajon. Fakti që të dyja palët e duan atje, mendoj se është i fuqishëm. NATO bën gjënë e duhur me vazhdimin e misionit të KFOR-it.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG