Rënia e Assadit shthur boshtin iranian të rezistencës

Një portret i Bashar al-Assad i shoshitur nga plumbat në qytetin Hama, Siri.

Irani kaloi dekada duke ndërtuar të ashtuquajturin bosht të rezistencës, të përbërë nga përfaqësuesit e tij të armatosur rajonalë.

Ky rrjet përbën motorin kryesor të përpjekjeve të Teheranit për t’iu kundërvënë Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara dhe për të ushtruar ndikimin e tij në të gjithë Lindjen e Mesme.

Por, rënia e Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad - aleat i Teheranit - i shkaktoi dëme të pariparueshme rrjetit, thonë ekspertët.

Për Iranin, Siria siguronte një korridor të rëndësishëm tokësor për në Levant - rajonin që i ofronte mbështetje logjistike boshtit.

SHIKONI EDHE: ‘Boshti i rezistencës’: Rrjeti i Iranit për krijimin e kaosit dhe luftimin e armiqve

Korridori, i njohur gjithashtu si Gjysmëhëna Shiite, lidhte Teheranin me grupin e armatosur libanez, Hezbollah - një aleat ky i rëndësishëm dhe, njëherësh, pjesë integrale e boshtit.

“Nuk ka bosht pa qasje”, thotë Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Bruksel.

“Humbja e aftësisë për ta mbështetur Hezbollahun me logjistikë do të thotë humbje e thellësisë strategjike të Iranit”, sipas tij.

Korridori i thyer

Duke vënë në dukje rëndësinë e Sirisë, Irani shpenzoi miliarda dollarë për ta mbajtur Assadin në pushtet.

Teherani ndërhyri ushtarakisht në luftën civile të Sirisë në vitin 2013 dhe luajti rol kyç në mbështetjen e forcave të Assadit.

Ai dislokoi qindra oficerë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) për të rekrutuar dhe trajnuar dhjetëra mijëra luftëtarë shiitë - vendas dhe të huaj.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, takohet me presidentin e atëhershëm të Sirisë, Bashar al-Assad, në Teheran, në shkurt 2019.

Pas humbjes së korridorit tokësor, që lidh anëtarët e boshtit nga Irani me Libanin, “ka të ngjarë të shohim një rezistencë shumë të zvogëluar në muajt dhe vitet e ardhshme”, thotë Farzan Sabet, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Institutin e Gjenevës IHEID.

Boshti, sipas tij, do të ketë “një kapacitet dukshëm më të ulët për të kryer operacione ushtarake në të ardhmen”.

Në kulmin e tij, boshti ishte aktiv në Territoret e Pushtuara Palestineze, Liban, Irak, Siri dhe Jemen, dhe kishte për qëllim t’i siguronte Iranit aftësi për të goditur armiqtë e tij jashtë kufijve.

Por, qasja e tij pësoi një sërë pengesash goditëse në muajt e fundit.

Siria tani drejtohet efektivisht nga organizata Hayat Tahrir al-Sham (HTS) - e shpallur terroriste nga SHBA-ja - dhe aleatët e saj, disa nga të cilët janë të lidhur me Turqinë, rivalen e Iranit.

HTS-ja mori pushtetin në Damask më 8 dhjetor.

SHIKONI EDHE: Kush është udhëheqësi militant sirian që rrëzoi Assadin?

Hezbollahu, në anën tjetër, u dobësua rëndë pas luftës njëvjeçare me Izraelin, i cili vrau udhëheqësin e grupit, Hassan Nasrallah.

Lufta shkatërruese e Izraelit në Rripin e Gazës pakësoi gjithashtu aftësitë e Hamasit - organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera dhe njëherësh anëtare e boshtit.

Ngjarjet në Siri “me siguri se do t’i kufizojnë edhe më shumë aftësitë e Iranit për të ruajtur ndikimin e tij rajonal”, thotë Raz Zimmt, studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Izrael.

Opsionet “shumë të këqija” të Iranit

I dobësuar në aspketin rajonal, Irani duhet të marrë tani vendime të vështira, përfshirë rishqyrtimin e strategjisë së tij të mbrojtjes e ndoshta edhe zhvillimin e një bombe bërthamore, thonë ekspertët.

Zimmt thotë se Irani ka dy “opsione shumë të këqija” - të mos bëjë asgjë dhe të pranojë se mbrojtja e tij kundër Izraelit është komprometuar, ose të krijojë armë bërthamore dhe ta ekspozojë veten ndaj mundësisë së një sulmi izraelit.

SHIKONI EDHE: Lojtarët kryesorë në luftën civile në Siri 

Gjërat duken po aq të zymta edhe për boshtin e rezistencës, thotë Sabet, duke shtuar se Teherani do të jetë nën trysni për t’i kufizuar aktivitetet e tij rajonale.

Sabet thotë se Irani do të përpiqet të shfrytëzojë çdo kaos të mundshëm në rajon, përfshirë Sirinë e pas Asadit, për ta rikthyer ndikimin e tij.

"Nëse lufta civile në Siri nuk zgjidhet shpejt dhe nuk krijohet një rend i ri, ai vend mund të bëhet pikërisht lloji i mjedisit ku Republika Islamike ka lulëzuar historikisht”, thotë Sabet.

Përgatiti: Valona Tela