*Pikëpamjet e shprehura në koment nuk pasqyrojnë domosdo pikëpamjet e REL-it
Në javët e fundit, janë publikuar dy të ashtuquajtura “non-papers” mbi çështje të ndjeshme politike, që kanë trazuar një pjesë të Ballkanit Perëndimor. Ajo që ndryshon me këto “non-papers” nga ato që zakonisht qarkullojnë nëpër korridoret e Brukselit, është se shumë pak, nëse ka, politikanë dhe diplomatë evropianë që vërtetë duket se i posedojnë këto dokumente.
Kjo nënkupton: se gjërat duket se po lëvizin në këtë rajon, veçanërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se dikush ose dëshiron t’i testojë ujërat me ide të ndryshme ose, ndoshta është më djallëzor dhe dëshiron të shkatërrojë gjërat.
“Non-papers” janë pjesë e procesit të Brukselit. Qindra prej tyre zakonisht qarkullojnë në mesin e diplomatëve të cilët merren me çështje të ndryshme. E gjithë ideja e këtyre dokumenteve është që të nxiten diskutime brenda bllokut në mënyrë që të dilet me ide të reja në një mënyrë joformale. Prandaj, quhet “non-paper”. Ky dokument nuk është dokument zyrtar dhe nuk nënshkruhet e as miratohet përmes ndonjë vote të ndonjë eurodeputeti të zgjedhur.
Të gjitha këto dokumente normalisht kanë dy gjëra të përbashkëta: së pari, ato nuk janë nxitëse, shkruhen nga zyrtarë dhe burokratë për një temë shumë specifike dhe shpesh jo për tema të rëndësishme. Së dyti, shteti që është autor i një “non-paper” zakonisht ka dëshirë që atij dokumenti t’i bashkohen edhe të tjerët, në mënyrë që si i tillë të ketë më shumë rëndësi, prandaj zakonisht autorët janë të hapur që ta ndajnë një dokument të tillë me të tjerët. Tek e fundit, gjithkush do që të ketë publicitet për idetë e tyre të shkëlqyeshme.
Dy “non-papers” të pretenduar, që dolën në media javët e fundit, nuk kanë këto karakteristika. “Non-paperi” i parë, që u cilësua si “non-paperi slloven”, që mediat boshnjake më herët gjatë këtij muaji thanë se kryeministri slloven, Janez Jansa i dërgoi presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, është më interesanti.
SHIKONI EDHE: Jansha refuzon të komentojë dokumentin ‘non-paper’ për Ballkanin PerëndimorI shkruar pa asnjë konsideratë për korrektësinë diplomatike të Brukselit, paturpësisht propozon ricaktimin e kufijve në linja etnike në ish-Jugosllavi dhe në Shqipëri. Për këtë dokument ende po diskutohet në media për shkak se Jansa dështoi ta mohojë ekzistencën e tij edhe pse ai thënë se nuk është autor i dokumentit dhe ka mohuar se e ka dërguar atë. Por, po ashtu ky dokument vazhdon të jetë aktualisht edhe për shkak të paaftësisë së zyrës së Michelit për të konfirmuar ose mohuar se ai ka pranuar një dokument të tillë.
Dokumenti tjetër, që u publikua më herët gjatë kësaj jave nga një media në Kosovë, është i shkruar më mirë. Në dokumentin, që pretendohet se është hartuar nga Gjermania dhe Franca, parasheh marrëveshjen përfundimtare të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Megjithatë, aty nuk ka shumë elemente të reja, përveç se thuhet se marrëveshja duhet të arrihet deri në shkurt të vitit 2022 dhe aty parashihet krijimi i një rajoni të posaçëm në komunat në veri të Kosovë, që banohen me shumicë serbe. Gjermania dhe Franca menjëherë mohuan se e kanë shkruar këtë dokument. Por, në të njëjtën kohë, ata nuk e përjashtuan mundësinë për ekzistimin e një dokumenti të tillë, duke rritur kështu edhe më shumë dyshimet.
Ka disa ngjashmëri në mes të këtyre dy dokumenteve, që po ashtu i bëjnë që të dallojnë nga “non-paper” tradicional. Fillimisht, ato nuk kanë tituj, data dhe askush në Bruksel nuk duket se i disponon të njëjtat – duke bërë që diplomatët, me shaka, të ju referohen këtyre dokumenteve si “non-papers që nuk ekzistojnë” ose “non-papers fantome”. Është e çuditshme që për “non-paper” nga Slovenia u raportua se i është dërguar vetëm Charles Michelit dhe askujt tjetër (dhe po aq e çuditshme që zyra e tij as nuk e mohon e as pohon këtë gjë) dhe po ashtu është e çuditshme që “non-paperi” gjermano-francez, duket se buron nga Prishtina dhe nuk është dërguar diku tjetër.
SHIKONI EDHE: Gjermania: “Non-paper” për Kosovën nuk është i vërtetëPrej këtyre dy dokumenteve, ai që pretendohet se është shkruar nga Gjermania dhe Franca duket më shumë si një balon provues, edhe pse mund të mos e dimë kurrë se kush e lëshoi atë. Megjithatë, ka disa pikëpyetje. Pse të tregoni se çfarë përfundimi dëshironi të shihni? Ju mund të tregoni për hapat që do të ndërmerrni për të arritur qëllimin, por pse t’i zbuloni të gjitha letrat e juaja? Gjithashtu, Franca dhe Gjermania shumë rrallë kanë të njëjtin qëndrim kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, ku Berlini është mjaft aktiv që ta afrojë këtë rajon në BE, ndërkaq Franca në këtë drejtim, hapur është shprehur skeptike, duke e parë zgjerimin e bllokut si një pengesë për qëllim e saj kryesor që është forcimi i mëtejmë i bllokut, duke marrë më shumë borxh të përbashkët ose duke rritur bashkëpunimin evropian sa i përket mbrojtjes.
Sa i përket dokumentit slloven, ka spekulime se ka rrjedhë dhe është publikuar në media për të minuar qeverinë në Lubjanë, para se Sllovenia më vonë gjatë këtij viti, të nisë kryesimin e presidencës së BE-së, por edhe mundësisë që pas gjithë kësaj qëndron Hungaria. Diplomatët evropianë më kanë thënë se ata dyshojnë se Rusia mund të jetë pjesë e gjithë kësaj, me qëllim që të nxisë mëdyshje dhe konfuzion. Ky dokumente duket se e ka arritur këtë qëllim, duke pasur parasysh që gazetarët po vazhdojnë të bëjnë pyetje për dokumentin dhe politikanët po detyrohen që vazhdimisht të përsërisin mbështetjen e tyre për integritetin territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
SHIKONI EDHE: Maas: Idetë për ndryshim kufijsh janë joreale dhe të rrezikshmeMegjithatë, këto dokumente – pavarësisht se a janë të vërtetë apo jo – lënë të kuptohet se gjërat kanë filluar që të lëvizin sërish në rajon. Me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin, Kosova dhe Serbia tani kanë dy liderë që kanë mbështetje dhe mandat që të arrijnë një marrëveshje, nëse duan ta bëjnë një gjë të tillë. Gjermania mund të përballet me zgjedhje të paqarta në vjeshtë, por vazhdon të jetë e përkushtuar për bisedimet, pavarësisht se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve. Por, duhet vëzhguar me vëmendje presidentin francez, Emmanuel Macron, që pritet të përballet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me nacionalisten, Marine Le Pen.
Për shkak të zgjedhjeve lokale në Francë disa vite më parë, ai kishte pezulluar rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Por, tani situata është më serioze – që do të thotë se dritarja për të arritur marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë e hapur tash, por jo për një kohë shumë të gjatë.