Pas dy dekadash do të mund të dihet zyrtarisht për numrin e shqiptarëve të regjistruar në Serbi.
Procesi i regjistrimit të popullsisë në këtë vend ka nisur më 1 tetor dhe do të përfundojë më 31 të këtij muaji.
Shqiptarët e kanë bojkotuar regjistrimin e vitit 2011, për shkak të, siç është thënë atëbotë, obligimeve të paplotësuara të shtetit serb ndaj tyre dhe kushteve diskriminuese.
Por, kësaj radhe, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, që jetojnë kryesisht në pjesën jugore të Serbisë, u kanë bërë thirrje atyre që të regjistrohen.
SHIKONI EDHE: Shqiptarët e Luginës marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në SerbiMehmeti, edhe pse ka mbi 20 vjet që jeton në Prishtinë, planifikon të shkojë dhe të regjistrohet në Siarinë të Komunës së Medvegjës, aty edhe ku ka lindur.
“Jemi shtatë [anëtarë për t’u regjistruar], sepse fëmijët që kanë lindur këtu [në Prishtinë] nuk mund t’i regjistroj”, thotë ai.
Të vetmin shqetësim ai e ka për procedurat teknike.
“Ata [personat kompetentë për regjistrim] dalin shtëpi më shtëpi. Se në cilën ditë dalin, këtë nuk e di askush. Kjo është keq, sepse nëse nuk qëllon askush në shtëpi, ata na shlyejnë...”, shprehet Mehmeti, identiteti i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it.
Ai, po ashtu, thotë se ka informacione që adresa e tij në Siarinë është pasivizuar dhe druan se kjo mund t’i paraqesë problem në regjistrim.
Zyrtarët, megjithatë, sigurojnë se nuk ka pengesa të tilla.
Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, thotë se të drejtën për regjistrim e kanë të gjithë qytetarët që jetojnë në Serbi, si dhe ata që kanë lindur atje, por që tashmë jetojnë në Kosovë ose në diasporë.
“Mjafton numri personal dhe nuk kanë nevojë të vijnë vetë [të gjithë]. Do të ishte e dëshirueshme, por ata që nuk kanë mundësi të vijnë, mund të regjistrohen përmes një familjari. Shënimet i jep një familjar, i cili deklarohet se në emër të asaj familjeje, e merr përgjegjësinë për t’i dhënë shënimet e sakta”, thotë Kamberi, duke shpjeguar procedurat e regjistrimit.
Sipas tij, as pasivizimi i adresave nuk është problem, sepse “pasivizimi nuk do të thotë shlyerje nga nënshtetësia”.
“Ai qytetar, të cilit i është pasivizuar një adresë, ka gjithmonë mundësi ligjore që të hapë një adresë tjetër”, thotë Kamberi.
SHIKONI EDHE: Regjistrimi - shans për të përcaktuar se sa shqiptarë jetojnë në SerbiNgjashëm shpjegon për Radion Evropa e Lirë edhe Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
“Regjistruesi e ka për obligim që ta vizitojë tri herë shtëpinë dhe më pas ta lërë numrin e tij të telefonit për t’u kontaktuar, për ta caktuar terminin se kur mund ta bëjë regjistrimin. Përndryshe, vetëm një anëtar i familjes mund t’ia kumtojë regjistruesit të gjitha të dhënat për anëtarët [e tjerë] të familjes”, thotë Mustafi.
Sipas Ligjit për regjistrim në Serbi, qytetarët me vendbanim ose vendqëndrim atje, si dhe të huajt me vendbanim të përhershëm në Serbi janë të detyruar të marrin pjesë në regjistrim dhe të japin përgjigje të sakta dhe të plota për të gjitha pyetjet.
Refuzimi për ta bërë këtë, si dhe ofrimi i të dhënave jo të plota dhe të pasakta bartin përgjegjësi penale dhe gjobë prej 20.000 dinarësh (170 euro) deri në 50.000 dinarë (425 euro).
Regjistrimi pas dy dekadash
Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc - komuna të njohura bashkërisht si Lugina e Preshevës.
Për herë të fundit, ata kanë marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2002, i cili është zhvilluar nën monitorimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Shifrat e atij procesi kanë treguar se në Serbi kanë qenë të regjistruar mbi 7.4 milionë qytetarë.
Në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të 2002-ës, kanë qenë 88.966 qytetarë të regjistruar, prej tyre 57.737 shqiptarë, apo 65 për qind.
Ndarazi në komuna, Presheva ka pasur shumicë shqiptare 90%, Bujanoci 55% dhe Medvegja 26%.
SHIKONI EDHE: Votuesit ‘joekzistentë’ të LuginësGati dhjetë vjet më vonë, në regjistrimin e vitit 2011, shqiptarët nuk kanë marrë pjesë, duke u thirrur në disa arsye: moslejimin e regjistrimit të shqiptarëve që kanë lindur në Serbi, por që jetojnë në diasporë, dhe shtypjen e formularëve të regjistrimit vetëm në gjuhën serbe, përkatësisht alfabetin cirilik.
Numri aktual i shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është i qartë.
Kamberi thotë se politikanët serbë, në vazhdimësi, “kanë kontestuar shifrat e regjistrimit, të cilat kanë treguar se popullata shqiptare është shumicë në komunat Preshevë dhe Bujanoc”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë për Radio-Televizionin e Serbisë në korrik të vitit 2020 se “në Medvegjë jetojnë realisht 300 shqiptarë, e jo 4.000 siç keni gënjyer me dekada”.
Në bazë të një vlerësimi të OSBE-së, të bërë në vitin 2015, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë rreth 60.000 banorë shqiptarë të regjistruar.
Prej tyre, sipas organizatave joqeveritare dhe subjekteve politike nga Lugina e Preshevës, rreth 20.000 kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme.
Për procesin e sivjetmë të regjistrimit, përfaqësuesit politikë të Luginës thonë se autoritetet kanë siguruar kushte optimale për pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve.
Sipas tyre, janë siguruar edhe regjistrues shqiptarë, por edhe fletëregjistrime të përkthyera në gjuhën shqipe.
Pse është i rëndësishëm regjistrimi i shqiptarëve?
Për disa arsye, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.
“Tash e kemi një mundësi që ta rikonfirmojmë atë që ne e kemi zgjedhur edhe si moto: ‘të dëshmojmë se Lugina e Preshevës është shqiptare’. Jo se këtu jetojnë vetëm shqiptarët, por se, thjesht, ka shumicë shqiptare”.
“Ky është një parim, përmes të cilit, ne do të synojmë në dhjetëvjetëshin e ardhshëm që të përfitojmë në integrimin adekuat të shqiptarëve, të strukturës së popullsisë, në strukturat e organeve shtetërore dhe të institucioneve publike, ku ne akoma nuk jemi të integruar dhe integrimin tonë po e mohon Serbia”, thotë Kamberi.
SHIKONI EDHE: Pasivizimi i adresave, formë e legalizimit të pastrimit etnik në LuginëAi është deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, që ka dalë nga zgjedhjet e sivjetme parlamentare në këtë vend.
Mustafi vlerëson se me pjesëmarrjen e shqiptarëve në procesin e regjistrimit të popullsisë, mund të krijohen parakushte për të luftuar, sipas tij, diskriminimin.
“Me regjistrim përgjigjemi kundër diskriminimit strukturor që po u ndodh shqiptarëve, kundër pasivizimit të adresave, kundër gjithë shtypjes që po e përballojmë. Nga regjistrimi i popullsisë, përkatësisht regjistrimi i shqiptarëve, sigurisht që do të lindin edhe nevojat për të drejta kolektive, që nënkuptojnë më shumë shërbime, më shumë institucione dhe më shumë kujdes ndaj shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, thotë Mustafi.
Shqiptarët në Luginë ankohen, tash e sa kohë, për pasivizim të adresave të tyre, mosrespektim të të drejtave nga pushteti qendror dhe mungesë investimesh në rajonet ku jetojnë.
Sipas Ligjit për vendbanim dhe vendqëndrim në Serbi, “pasivizimi i adresës është tregues në evidencën e organit kompetent se shtetasi nuk jeton në adresën e vendbanimit të përhershëm ose të përkohshëm të regjistruar”.
Beogradi zyrtar, në përgjithësi, nuk e ka komentuar çështjen e pasivizimit të adresave.
REL i është drejtuar në disa raste më herët Ministrisë së Brendshme të Serbisë për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.
Si është duke shkuar regjistrimi?
Sipas Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, në Komunën e Preshevës procesin e regjistrimit po e kryejnë 73 regjistrues, në Bujanoc 83 regjistrues dhe në Medvegjë 24 regjistrues.
Në Preshevë dhe Bujanoc, shumica e regjistruesve janë shqiptarë, ndërsa në Medvegjë janë vetëm 3 regjistrues me përkatësi etnike shqiptare.
SHIKONI EDHE: Në Ballkan, numërimi nuk është kurrë i lehtë si 1, 2, 3....Kamberi thotë se prej se ka nisur procesi i regjistrimit në këto tri komuna, problemi i vetëm është shfaqur në Medvegjë, ku në vendbanimet shqiptare janë dërguar regjistrues serbë.
Por, sipas tij, vërejtja i është dërguar Entit Statistikor të Serbisë, përmes OSBE-së, dhe pritet që brenda ditësh në ato fshatra të dërgohen regjistruesit shqiptarë.
Regjistrimi, i cili realizohet nga Enti i Statistikave Republikane i Serbisë, mbledh të dhëna për popullsinë, moshën, gjininë, strukturën arsimore dhe martesore, aktivitetin ekonomik, strukturën e amvisërive dhe familjeve, si dhe fondin e banimit.
Mbledhjen e të dhënave nga qytetarët e bëjnë drejtpërdrejt regjistruesit, të cilëve u kërkohet të mbajnë dokument identifikimi dhe ta tregojnë atë përpara se të hyjnë në një familje.
Rezultatet preliminare të regjistrimit do të publikohen brenda 30 ditëve pas përfundimit të regjistrimit, ndërsa rezultatet përfundimtare do të dalin pjesë-pjesë, duke filluar nga marsi ose prilli i vitit të ardhshëm.
Regjistrimi i popullsisë në Serbi ka qenë i paraparë të bëhet në vitin 2021, por është shtyrë për këtë vit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.