Afera e fundit me Klinikën e Onkologjisë në Shkup, lidhur me dyshimet për vjedhjen e terapive për të sëmurët me kancer dhe shitjen e tyre në tregun e zi, ka bërë që të ngrihet zëri si asnjëherë më parë në kërkim të përgjegjësive, jo vetëm për këtë, por edhe raste tjera që ende nuk kanë epilog.
Hetimet për klinikën e onkologjisë nisën në gusht bazuar në dyshimet serioze se shumë të sëmurë me kancer kanë humbur jetën pasi ishin privuar nga e drejta e trajtimit mjekësor, meqë dyshohet se terapitë e tyre të shtrenjta deri në 6.000 euro janë shitur nga punonjësit e klinikës.
Nga kjo aferë besohet se buxheti i shtetit i Maqedonisë së Veriut është dëmtuar për rreth 20 milionë euro, aq sa ka borxh klinika, ndërsa shumë të sëmurë e kanë paguar me jetën e tyre.
SHIKONI EDHE: Shkup: Afera në Onkologji zbeh besimin në shëndetësinë publikeKovaçevski: S’ka pardon për krimin
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se “pardon nuk do të ketë për askënd” në këtë rast.
“Është një rast i tmerrshëm për të cilin organet e ndjekjes po mbledhin të gjitha dëshmitë e mundshme. Pra, nuk do të ketë pardon për asnjë person pavarësisht se cilës parti politike i takon apo pjesëtar i cilit entitet është”, tha Kovaçevski.
Kërkohet rigjykim për 14 viktimat e modularit në Tetovë
Më 8 shtator 2021 nga një zjarr në spitalin modular në Tetovë jetën e humbën 14 persona të infektuar më sëmundjen Covid-19.
Gjykata Themelore në Tetovë i dënoi me nga një vit e gjysmë burgim me kusht drejtuesit e spitalit, por kjo nënkupton se nëse ata nuk kryejnë vepër të re penale brenda tre vjetësh, nuk do ta vuajnë fare dënimin.
Hetimet lidhur me këtë rast kanë anashkaluar një ekspertizë të ekspertëve gjermanë që kishin konstatuar se spitalet modulare për COVID-19, përfshirë atë të djegur në Tetovë, ishin ndërtuar në mënyrë të papërshtatshme, duke anashkaluar shumë procedura ligjore.
SHIKONI EDHE: Tragjedia në Tetovë nxit dyshime mbi cilësinë dhe sigurinë e spitaleveProtesta për kthimin e këtij rasti në rigjykim do të mbahen në Tetovë më 8 shtator, në dyvjetorin e tragjedisë.
Sektori civil me një letër i është drejtuar edhe kreut të shtetit që ta ngrejë zërin me kërkesën për “ndëshkimin e autorëve të krimit”.
“Presim që të thirreni në arsye dhe të kërkoni përgjegjësi institucionale për ndëshkimin e krimit të organizuar brenda institucioneve, për të cilën i gjithë sistemi juridik në Maqedoninë e Veriut është në një qorrsokak të madh. Kultura e pandëshkueshmerisë ka metastazuar në të gjitha nivelet e sistemit dhe ne nuk e dimë se cila onkologji mund ta shërojë Maqedoninë e sëmurë nga ky kancer”, thuhet në letrën që organizata joqeveritare “Më mirë për Tetovën” ia dërgoi presidentit, Stevo Pendarovski.
Drejtësia për viktimat e “Besa Trans”, në labirintet e gjyqësorit
Më 14 shkurt të vitit 2019 në afërsi të fshatit Llaskarcë, në autostradën Shkup-Tetovë, në një aksident të rëndë komunikacioni jetën e humbën 14 persona.
Për këtë aksident pronari i kompanisë transportuese, “Durmo Turs”, shoferi i autobusit, një i punësuar dhe inxhinieri i qendrës së kontrollit teknik, po gjykohen për “vepër të rëndë për sigurinë e njerëzve në komunikacion”.
Por, edhe katër vjet nga aksidenti procesi gjyqësor nuk ka marrë asnjë epilog.
Familjarët disa herë kanë dalë në protesta duke akuzuar organet gjyqësore për “mbrojtjen e të dyshuarve për shkak të lidhjeve me struktura të caktuara politike”.
SHIKONI EDHE: Rigjykimet rrisin mosbesimin në drejtësiEpilog gjyqësor nuk kanë marrë akoma edhe shumë raste tjera që kanë të bëjnë me përfshirje të zyrtarëve dhe ish-funksionarëve të lartë në afera korruptive, kurdisje të tenderëve, falsifikime të proceseve zgjedhore dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Vetëm nga qeverisja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski janë dhjetëra procese gjyqësorë që janë në zhvillim e sipër, dhe për shkak të vonesave disa prej lëndëve edhe janë vjetërsuar, që nënkupton mbylljen e tyre.
"Krimin s’mund ta luftojnë gjeneratorët e krimit"
Goran Tërpenovski, anëtar i komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, thotë se në Maqedoninë e Veriut “ askush nuk ka dëshirë” për luftimin e krimit, pasi, sipas tij në afera janë të përfshirë zyrtar të lartë, andaj edhe nuk mund të pritet që ata të ndërmarrin masa
“Vullnetin për luftë kundër korrupsionit e shoh vetëm tek anëtarët e komisionit antikorrupsion. Askush tjetër nuk ka dëshirë dhe vullnet të merret me këto fenomene. Gjitha premtimet e tyre janë vetëm se në letër, janë demagogji dhe asgjë tjetër. Pse ndodh kjo? Sepse nga ata që janë gjeneratorë të korrupsionit dhe shpërdorimeve nuk mund të prisnin luftimin e këtyre dukurive. Mendoj se nevojiten trupa të pavarur që të hetojnë gjithçka që po ndodh në këtë shtet, para se gjithash aferat që nuk po kanë asnjë epilog”, tha Tërpenovski.
SHIKONI EDHE: Qytetarët maqedonas s'iu besojnë institucioneve shtetëroreQytetarët duan përgjegjësi
Qytetarët që dolën të protestojnë për rastin me Klinikën e Onkologjisë kërkojnë masa konkrete, dorëheqje dhe përgjegjësi për secilin që është përfshirë në krim të dyshuar.
“E di se të punësuarit në këtë klinikë që nga viti 2015 shkojnë nëpër shtëpi private dhe u japin pacientëve terapinë e citostatikëve, por kurrë askush nuk ka ndërmarrë asgjë për të parandaluar këtë fenomen”, tha një qytetar që kishte trajtuar një familjar në klinikën e onkologjisë.
“Duhet të ketë dorëheqje, duhet të ketë përgjegjësi. Nuk mjafton të dalin në konferenca para mediave të dënojnë aktin dhe të premtojnë masa. Ne deri sot nuk kemi asnjë përgjegjësi, asnjë epilog për asnjë rast”, tha Dime Stojanov, pensionist.
“Ky shtet nuk është i ndershëm, është shtet kriminal. Jam punonjëse shëndetësore dhe turpërohen nga kjo që po ndodh. Sistemi duhet të pësoj ndryshime rrënjësore”, tha Vesna, një mjeke që kishte dalë në protestën para Qeverisë.