Ndërlidhjet

Rigjykimet rrisin mosbesimin në drejtësi


Zvarritja e proceseve gjyqësore dhe kthimi i tyre në rigjykim flet se Maqedonia e Veriut ende po ballafaqohen me problemet e së kaluarën në gjyqësor, thonë njohësit e së drejtës kushtetuese.
Zvarritja e proceseve gjyqësore dhe kthimi i tyre në rigjykim flet se Maqedonia e Veriut ende po ballafaqohen me problemet e së kaluarën në gjyqësor, thonë njohësit e së drejtës kushtetuese.

Familjarët e 14 viktimave dhe të lënduarve në aksidentin që kishte ndodhur më 14 shkurt të vitit 2019 në afërsi të fshatit Llaskarcë, në autostradën Shkup-Tetovë, ende janë në pritje të drejtësisë lidhur me këtë fatkeqësi komunikacioni.

Por, ata dyshojnë se zvarritja e procesit gjyqësor mund të çojë në rigjykimin këtë lëndë pasi tash e 90 ditë nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore.

Mitko Avramovski, i cili në këtë aksidenti kishte humbur djalin e tij Bobanin, 30-vjeçar, thotë se zvarritja e procesit gjyqësor i shkakton edhe më shumë vuajtje, ndërsa kërkon që vepra të kualifikohet si “vrasje”.

“Ne nuk pajtohemi me kualifikimin e veprës si fatkeqësi komunikacioni, por kërkojmë që kjo vepër penale, në të cilën i humbëm të afërmit tanë të rikualifikohet në veprën penale ‘vrasje’. Zvarritja e këtij procesi gjyqësor, ndërkohë, edhe më shumë na shton dhimbjen dhe na bën të dyshojmë se institucionet po i mbrojnë autorët e kësaj vepre të rëndë. Kanë kaluar tre vjet dhe ende nuk ka epilog, kjo është e rëndë për ne pasi gjërat janë të pastra dhe gjithçka duhet të përfundonte shumë shpejt”, thotë ai.

Në aksidentin në Llaskarcë ishin lënduar rreth 40 persona dhe një prej tyre është edhe Lulzimi 50-vjeçar nga Gostivari. Ai thotë se lëndimet që ai ka pësuar, i kanë kushtuar me humbje të vendit të punës.

“Edhe sot e kësaj dite i vuaj pasojat. Kam humbur vendin e punës pasi tani jam në pension invalidor. Porosis institucionet e drejtësisë që t’i japin fund këtij procesi që të mos zvarritet me vite të tëra pasi është dëshpërim i madh, të marrin masa, të zbardhet fatkeqësia dhe drejtësia të jetë në nivelin e duhur”, thotë Lulzimi.

Shkaqet e këtij aksidenti të rëndë ende nuk dihen, ndërsa pronari i kompanisë, “Durmo Turs”, shoferi i autobusit, një i punësuar dhe inxhinieri i qendrës së kontrollit teknik, po gjykohen për “vepër të rëndë për sigurinë e njerëzve në komunikacion”.

Autobusi besohet të ketë qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe në momentin që ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga autostrada, por vendim gjyqësor ende nuk ka.

Gjatë tre vjetëve janë mbajtur dhjetëra seanca, por edhe shumë tjera janë anuluar për shkak të mungesës së ndonjërit nga anëtarët e trupit gjykues, mungesës së mbrojtjes, dëshmitarëve apo edhe për shkak të kërkesave për ekspertiza të reja. Nga gjykata nuk pranojnë se proceset janë shtyrë qëllimisht.

“Ky rast gjatë këtij viti është proceduar siç edhe ishte planifikuar. Janë dëgjuar dëshmitarët e propozuar, të lënduarit dhe ekspertët. Ka mbetur vetëm që të kryhet super ekspertiza, e cila do të mbyllë procedurën e provave dhe çështja do të kalojë te fjalët përmbyllëse dhe aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatë Penale Shkup.

Por, meqë në 90 ditët e fundit nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore, i gjithë procesi mund të kthehet në rigjykim, nëse mbrojtja e të akuzuarve e kërkon një gjë të tillë, apo nëse paraqiten kërkesa për prova të reja, siç ishte edhe ajo për një ekspertizë të veçantë, e cila ende nuk ka përfunduar.

Ky rast nuk është i vetmi që është kthyer në rigjykim shkaku i zvarritjes së procedurave apo për arsye të tjera.

Në rigjykim ishte kthyer edhe rasti “Monstra”, lidhur me vrasjen e pesë maqedonasve më 12 prill të vitit 20212 në afërsi të Smillkovës në Shkup, pastaj rasti “Sopoti”, i dënimit të 11 banorëve fshatit Sopot të Kumanovës me 150 vjet burgim për vendosjen e një mjeti shpërthyes në mars të vitit 2003 nga i cili kishin humbur jetën dy ushtarë polakë të NATO-s, por edhe raste tjera, të cilat ose ishin kthyer në rigjykim ose janë vjetërsuar.

Zvarritja e proceseve gjyqësore dhe kthimi i tyre në rigjykim, sipas profesorit të së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti, flet se Maqedonia e Veriut ende po ballafaqohen me problemet e së kaluarën në gjyqësor, si prania e korrupsionit, por edhe ndikimet politike.

“Kësaj radhe më tepër mund të ketë elemente të korrupsionit që çojnë në zvarritjen e procedurave përderisa deri tani ballafaqoheshim me ndikimet politike, të cilat po ashtu nuk mund t’i përjashtojmë. Kjo tregon edhe njëherë se sistemin gjyqësor këtu, apo më saktë gjyqtarëve u duhet një lloj i vetingut që është i pashmangshëm pasi duke analizuar një sërë faktorësh e shohim se në çfarë gjendje e kemi gjyqësorin këtu te ne”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Maksuti, profesor në Universitetin e Tetovës.

Nga shoqata “Të gjithë për gjykim të drejtë”, thonë se mosefikasiteti i gjyqësorit, ngecja dhe vjetërsimi i lëndëve po ndikon negativisht në perceptimin e qytetarëve ndaj punës së gjyqësorit.

“Shtyrja e vazhdueshme e proceseve gjyqësore dhe mungesa e një sinkronizimi gjatë seancave, ndikon që të mos kemi një proces gjyqësor të pavarur. Kjo reflektohet te qytetarët, të cilët krijojnë përshtypjen se nuk po marrin drejtësinë që e presin nga institucionet gjyqësore”, thotë Natalija Petrovska nga shoqata “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi është kritikuar nga institucionet ndërkombëtare, të cilat në të gjitha paraqitjet kërkojnë reforma që vlerësohen si kyçe në procesin e integrimit evropian të vendit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG