Java me REL-in

Gjatë kësaj jave, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Veç tjerash, anëtarësimi në këtë organizatë, do t'i mundësonte qytetarëve të Kosovës t'i adresohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përfitimet që do të mund të kishin qytetarët nëse shteti pranohet në këtë organizatë; ideja e presidentit të Francës, Emmanuel Macron rrezikon që të lërë Ballkanin Perëndimor jashtë Bashkimit Evropian; lufta në Ukrainë rikthen kujtesën e fashizmit në Evropë në fundin e viteve 1930; rrobat e përdorura si mundësi për ruajtjen e mjedisit.

Këto janë disa prej temave që Radio Evropa e Lirë ka trajtuar në javën që po e lëmë pas, e të cilat, të përmbledhura, po ua risjellim përmes këtij artikulli.

Anëtarësimi në Këshill të Evropës, mundësi për drejtësi

Selia e Këshillit të Evropës në Strasburg të Francës. 14 mars 2022.

Më 12 maj, ministrja e Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, dorëzoi në selinë e Këshillit të Evropës në Strasburg, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Nëse Kosova pranohet në këtë organizatë, atëherë qytetarët do të mund t’i drejtoheshin edhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastet kur ata mendojnë se shteti u ka shkelur të drejtat.

Mundësia që t’i drejtohej kësaj gjykate është e mirëseardhur për Bekim Gashin nga Tërnja, Komuna e Suharekës, i cili tash e 23 vjet, nuk ka gjetur drejtësi për nënën dhe katër motrat e vrara nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë, më 1999.

“Do të doja shumë që të vazhdoja më tutje”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë, por shtoi se i duhet mbështetje financiare dhe juridike për t’iu drejtuar kësaj gjykate.

Aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk është mirëpritur në Serbi, teksa zyrtarët serbë kanë thënë se nëse Kosova pranohet, Serbia duhet të shpallë neutralitet politik, ashtu siç shpalli luftë.

A po i rikthehet Kosova opsionit të gazit?

Një punëtor duke punuar në ndërtimin e tubacioneve të gazit. Fotografi ilustruese.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka infrastrukturë të gazit natyror. Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi që të mos shtyjë përpara një projekt për ndërtimin e infrastrukturës së gazit dhe një termocentrali për prodhimin e energjisë për gaz.

Por, përderisa shtetet e rajonit dhe të Evropës po tentojnë që të ulin varësinë e tyre nga gazi rus, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Qeveria e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se e ka lënë të hapur mundësinë e kyçjes në Gazsjellësin e Trans-Adriatikut (TAP), një projekt që sjellë gaz natyror nga Azerbajxhani në Greqi, dhe më pas edhe në vendet e rajonit.

Po ashtu, Qeveria, duke u mbështetur në ndihmën e Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) po tenton që të forcojë pavarësinë energjetike.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Më 13 maj, MCC njoftoi për arritjen e marrëveshjes kompakt në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, për sektorin e energjisë së Kosovës. Marrëveshja parasheh një projekt për akumulimin e energjisë, që do të mund të përdorej në periudhën gjatë ditës kur kërkesa është më e madhe.

Kjo marrëveshje duhet të marrë miratimin e Kuvendit të Kosovës dhe më pas të bordit të MCC-së, që të mund të jetësohet.

Ideja e Macronit që rrezikon ta lërë Ballkanin Perëndimor jashtë BE-së

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka propozuar krijimin e një organizate të re politike me qëllim të bashkimit të shteteve që ndajnë vlerat e Bashkimit Evropian, por që nuk janë pjesë e tij.

Një ide e tillë, nga njohësit e politikave të bllokut evropian po shihet si përpjekje për të ndalur zgjerimin e BE-së.

SHIKONI EDHE: Macron propozon union të ri politik për shtetet joanëtare të BE-së

Analisti dhe eksperti për Ballkanin, Toby Vogel, tha se ideja e Macronit nuk përkrahet nga shtetet e BE-së.

“Është e qartë se zgjerimi [i BE-së] nuk po shkon askund, sigurisht jo për Ballkanin Perëndimor dhe një nga arsyet për këtë është presidenti [Emmanuel] Macron. Ka qenë ai i cili ka bllokuar, për shembull, hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Vogel për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, eksperti për Ballkanin, Bodo Weber, tha se ka mospajtime të thella për zgjerimin brenda vetë bllokut evropian. Megjithatë, ai tha se ideja e Macronit ka tendencë që të shuajë procesin e zgjerimit.

Kapërcimi i dhimbjes përmes kopshtarisë

Në rubrikën e përjavshme Femina, kemi sjellë historinë e Shpresa Metës nga Gjakova.

Shpresa, edhe pse e tronditur nga vdekja e papritur e bashkëshortit të saj vitin e kaluar, u desh t’i përvishej punëve në kopsht. Pas një donacioni të marrë, ajo ka një serrë ku kultivon pemë dhe perime. Asaj i ndihmon edhe vajza e saj.

Shpresa Meta duke punuar në serrën e saj.

Shpresa synon ta zgjerojë biznesin dhe t’i shesë produktet që kultivon te familjet e bizneset në komunitetin e saj.

I bllokuar në Prizren, Sakibi ëndërron Bosnjën

Sakib Ademoviq jeton në afërsi të Prizrenit që afër 28 vjet. Por, ai vazhdimisht ëndërron vendlindjen e tij, Gornja Vërsinjën, që gjendet në afëri të Vlasenicës në lindje të Bosnjë e Hercegovinës.

Sakib Ademoviq.

Ky 70-vjeçar, i përkatësisë boshnjake, nuk mund ta vizitojë fshatin e tij, pasi nuk ka dokumente të vlefshme udhëtimi, as të Kosovës dhe as të Bosnjë e Hercegovinës.

Vitin e kaluar ai iu drejtua autoriteteve komunale në Prizren për të zgjidhur statusin e tij në Kosovë dhe për t'u pajisur me dokumente të Kosovës. Megjithatë, ai është ende në pritje të një vendimi.

Përfitimet nga blerja e rrobave të përdorura

Në rubrikën Të Flasim, Agnesa dhe Barbara, tregojnë pse kanë vendosur të blejnë rroba kryesisht të përdorura.

Përdorimi i rrobave të përdorura kontribuon në mbrojtjen e mjedisit dhe kështu shpëtohen më shumë ujë dhe drunj.

Pasqyra ruse e fashizmit

Emisioni Expose këtë javë ka trajtuar pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës, të cilin e urdhëroi presidenti rus, Vladimir Putin.

Ngjarjet në këtë shtet sjellin në kujtesë fundin e viteve 1930 në Evropë, kur diktatori i atëhershëm gjerman, i krahut të djathtë, Adolf Hitler, filloi të pushtonte fqinjët dhe të kryente mizori.

A e kërcënon kontinentin një Hitler i ri?

Një fotografi ku është kombinuar portreti i Adolf Hitlerit dhe Vladimir Putinit. Poshtë saj shkruan "Mos lejoni që historia të përsëritet".

Lufta në Ukrainë: Pa filtra

Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, gazetarët e Radios Evropa e Lirë dhe Current Time kanë qenë në qendër të aksionit.

Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Marian Kushnir, duke raportuar nga vija e frontit në Ukrainë më 22 prill 2022.

REL ka përgatitur një dokumentar që tregon në mënyrë kronologjike çdo aspekt të luftës, nga luftimet në vijnë e parë të frontit, valën e refugjatëve, viktimat, identifikimin e kufomave dhe mbledhjen e provave për krimet e mundshme të luftës.

Ky dokumentar i dedikohet Vira Hyrych, gazetare dhe producente e Radios Evropa e Lirë, e cila u vra nga një sulm me raketë në Kiev më 28 prill.