Java me REL-in

Rruga e mbyllur e fshatit Shipitullë të Obiliqit.

Keqpërdorimet për ndërtimin e një pishine olimpike në Leposaviq; shfaqja e mesazheve në veriun e Kosovës drejtuar presidentit serb; ngecjet në dialog, përpjekjet për krijimin e një komuniteti bullgar në Kosovë; ngecjet në dialogun Kosovë-Serbi; kërkesa për shpronësime si pasojë e mihjes së qymyrit dhe avokimi për personat LGBTI+.

Këto janë disa nga temat që kanë trajtuar gazetarët e Radios Evropa e Lirë në javën që po lëmë pas, të cilat, të përmbledhura po jua sjellim në këtë artikull.

Si rrodhën paratë për pishinën e zbrazët?

Më 2006, para se Kosova të shpallte pavarësinë, në Leposaviq ishte dizajnuar një projekt që përfshinte ndërtimin e qendre sportive, me një pishine olimpike dhe me dy pishina përcjellëse.

Por, sot, në vendin ku u dizajnua ky projekt ndodhet një gropë e betonuar në formë të pishinës.

Pishina e papërfunduar në Leposaviq.

Nën udhëheqjen e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë – nisën punimet për ndërtimin e kësaj pishine.

Por, tenderët e dhënë për pishinën olimpike në Leposaviq po gjykohen si krim i organizuar. Të përfshirë në një aktakuzë të gjerë për krim të organizuar janë 15 persona, ku bëjnë pjesë zyrtarë e biznesmenë shqiptarë dhe serbë.

"Jetë e padurueshme": Banorët e Shipitullës të lodhur nga mihja e afërt e qymyrit

Banorët që kanë mbetur në Shipitullë – fshat në Obiliq – po kërkojnë që shtëpitë e tokat e tyre të shpronësohen dhe ata të zhvendosen larg eskavatorëve.

Ky fshat është në zonën me interes të veçantë për nxjerrjen e qymyrit, i cili përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.

Shtëpia e Fatmir Mjekiqit gjendet shumë pranë zonës ku bëhet nxjerrja e qymyrit. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se mihja ua ka bërë jetën më të vështirë.

“Krisma është shumë e madhe natën. Unë që jetoj këtu zgjohem shpesh natën. Nëse dikush vjen mysafir, zgjohet si të ishte i çmendur”, tregoi ai.

Fshati Shipitullë në afërsi të mihjes së qymyrit. Shtëpia dhe prona e Fatmir Mjekiqit është shenjëzuar me të kuqe.

Hadja dhe Shipitulla, dy fshatra të Obiliqit, ishin shpallur zona me interes të veçantë për zgjerimin e aktiviteteve minerare të Korporatës Energjetike të Kosovës në vitin 2004, për t’u rikonfirmuar edhe një herë në vitin 2009.

Sipas këtyre shpalljeve, në këto zona ishte ndaluar të bëheshin ndërtime të reja nga banorët, në mënyrë që të mos krijoheshin kosto shtesë të shpronësimit.

“Ne kemi qenë shumë mirë. Nuk do ta ndërroja me Parisin”, tha Hafir Mjekiqi, banor tjetër i Shipitullës, i cili kujton me nostalgji se si dukej fshati para se mihja të afrohej.

Kush është fajtor për ngecjen në dialogun Kosovë-Serbi?

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell (majtas), dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para takimit në Bruksel, më 26 qershor 2024.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë në nivelin politikë apo atë të kryenegociatorëve ka ngecur tash e disa muaj. Palët fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve ekzistuese dhe për dështim të dialogut.

Por, Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel i tha Radios Evropa e Lirë se dy shtetet, por edhe Bashkimi Evropian – ndërmjetësi i dialogut – kanë faj që ky proces ka ardhur në këtë pikë.

“Të dyja palët nuk janë të interesuara për zgjidhje, tash për tash”, tha Vogel, duke iu referuar Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq shtoi se BE-ja për vite të tëra e ka “keqmenaxhuar” procesin e dialogut.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE do të mbetet në pritje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri çek i Çështjeve të BE-së, Mikulas Bek, në Pragë, Republika Çeke, 15 dhjetor 2022, gjatë dorëzimit të kërkesës zyrtare të Kosovës për t'i dhënë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Kosova është i vetmi vend evropian që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por aplikimi i saj ende nuk është shqyrtuar për shkak të “mungesës së konsensusit” në mesin e shteteve anëtare.

Nga 1 korriku, udhëheqjen e presidencës së BE-së e mori Hungaria. Budapesti ka paralajmëruar se do të ketë prioritet edhe procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Diplomatët nga Hungaria citohen të kenë thënë se synojnë mbylljen e disa kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi, si dhe hapjen e disa kapitujve me Serbinë, me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, ata kanë përmendur edhe mundësinë e avancimit të Bosnje e Hercegovinës.

Por, diplomatët kanë vërejtur se Hungaria nëpër takime nuk ka përmendur ndonjë veprim të mundshëm rreth Kosovës.

"Mesazh sarkastik apo revolucionar", çfarë fshihet pas pamfletit me imazhin e Vuçiqit në veri?

Posteri i vendosur në Mitrovicë të Veriut më 30 qershor 2024.

Ditë më parë në katër komunat në veri të Kosovës u shfaqën pamflete me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me mbishkrimin: "Komandant Suprem, ju presim".

Autoritetet në Kosovë, që kanë iniciuar rast për “nxitje të urrejtjes”, thanë se nuk e dinë se kush qëndron prapa vendosjes së këtyre pamfleteve.

Disa qytetarë në veriun e banuar me shumicë serbe, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thanë se shfaqja e pamfleteve të tilla bëhet për të paralajmëruar se diçka e “vendimtare do të ndodhë”.

Igori tha se beson që pamfletet e reja me imazhin e presidentit të Serbisë mund të shihen në dy mënyra: si mesazh sarkastik për situatën aktuale ose si 'thirrje për revolucion'.

Komuniteti bullgar në Kosovë "në krijim e sipër" - institucionet heshtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Sofje nga presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, më 22 prill të vitit 2024.

Një pjesëtare e komunitetit boshnjak në Kosovë – e cila kërkoi të mbetej anonim – tregoi për Radion Evropa e Lirë se para disa vjetësh kishte nënshkruar një letër ku deklarohej se familja e saj ishte me prejardhje bullgare. Këtë e bëri për të përfituar studime në Bullgari.

Në pyetjen se a është bullgare, ajo përgjigjet:

“Sigurisht që jo. Por, nëse kjo më duhet për regjistrim në fakultet, atëherë pse jo”?

Përfaqësues të partive politike boshnjake në Kosovë thanë se Bullgaria, përmes individëve të caktuar të komunitetit boshnjak, po përpiqet ta krijojë komunitetin bullgar.

Në disa raste, viteve të fundit, autoritetet bullgare u kanë paraqitur udhëheqësve të Kosovës kërkesën për pranimin zyrtar të komunitetit bullgar në Kosovë. Por, lidhur me këtë kërkesë, krerët e institucioneve kosovare heshtin.

Raportimi mbi LGBTI+: "Edhe redaktorët më kanë gjykuar me fjalë homofobike"

Në Podkastin Libertas, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Dardan Hotin, gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut. Hoti ka pothuajse një dekadë që punën e tij e ka fokusuar në të drejtat e personave LGBTI+ në Kosovë.

Përveç punës si gazetar, ai avokon për të drejtat e komunitetit LGBTI+ në mënyra të ndryshme, sikurse përmes filmit dokumentar, ekspozitave, diskutimeve dhe formave të tjera, me qëllim ngritjen e vetëdijes rreth të drejtave të këtij komuniteti.

Kadare - "një dritë vezulluese në ditët më të errëta të Shqipërisë"

Njerëzit kalojnë pranë një fotografie të shkrimtarit Ismail Kadare, gjatë homazheve në Tiranë më 3 korrik 2024.

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, vdiq më 1 korrik në moshën 88-vjeçare. Nga disa prej mediave më të njohura të botës ai u cilësua si “gjigant i letërsisë”, romanet e të cilit “ia treguan botës vuajtjet e Shqipërisë”. Ndërkaq, udhëheqësit në Shqipëri e Kosovë thanë se “shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave”, ndërsa “bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë”.

E djathta ekstreme drejt pushtetit në Francë: Çfarë mund të ndodhë tutje?

Më 7 korrik në Francë mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që mund të sjellin në pushtet një qeveri të ekstremit të djathtë, të parën e këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, parti e cila ka lidhje tradicionale me presidentin rus, Vladimir Putin, fitoi rundin e parë të zgjedhjeve. Por, në rundin e dytë nëse asnjëra parti nuk fiton shumicën absolute, Franca mund të përballet me një krizë të madhe politike.