Gazetarët e Radios Evropa e Lirë gjatë vitit 2023 kanë raportuar për çështje të ndryshme, nga temat politike, e deri tek ato mjedisore.
Në këtë artikull kemi përzgjedhur 23 storie që janë realizuar në vitin që po lëmë pas, që ia vlen t'i rilexoni dhe t'i shikoni sërish.
Vrasjet në "Panda": Historia 25-vjeçare e padrejtësisë
Gjashtë të rinj serbë u vranë. Gjashtë shqiptarë u arrestuan për krimin, e më pas u liruan. Për këtë ngjarje, që ndodhi 25 vjet më parë në një kafene të vogël në qytetin e Pejës, të quajtur “Panda” ka dyshime për inskenim.
Radio Evropa e Lirë realizoi një mini-dokumentar për këtë kafene që edhe pas çerek shekulli ende mban gjurmët e një krimi “pa autor”.
Para se të zhdukeshin
Në Kosovë, më shumë se 1.600 persona ende janë të zhdukur nga lufta e fundit. Për familjet e tyre, ata nuk janë numra.
Radio Evropa e Lirë solli një pasqyrë të jetës së këtyre personave para se të zhdukeshin, ashtu siç i kujtojnë familjarët e tyre.
“Vëllai [Adem Ademi] ka qenë edhe baba edhe vëlla edhe shok. Çdo dhimbje, çdo problem, çdo gëzim unë e kam nda me atë. Atë e kam pasur gjithçka. Gjithçka në jetë e kam pasur”, tha Luftije Ademi Vokshi, e motra e Ademit.
Sikurse për Luftijen, edhe për familjarët e personave të tjerë të zhdukur, vitet kalojnë prej kur kanë parë për herë të fundit të gjallë familjarët e tyre, por “dhimbja sa shkon e rritet”.
Shtëpia që ruan kujtimin e krimeve të luftës në Landovicë
Arben Gashi i mbijetoi një sulmi të forcave serbe në shtëpinë e tij në Landovicë të Prizrenit më 26 mars të vitit 1999.
Nga sulmi u vranë 14 civilë shqiptarë.
Shtëpia, sot është buzë shkatërrimit, por ajo paraqet ende gjurmët që lanë armët e zjarrit.
“Edhe pse shtëpia ka mbetur sot e atë ditë, nuk kemi ndërmarrë asnjë veprim ne, si familjarë, as për shkatërrimin e saj. Kinse ta ruajmë për shtetin, le të shihet se çka ka ndodhur këtu. Por, institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë kurrgjë”, rrëfeu Gashi për Radion Evropa e Lirë.
“Edhe dielli më pengonte”: Rrëfimi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
Historitë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ende mbeten të panjohura. Traumat që kanë përjetuar kanë mbetur të patrajtuara dhe në disa raste ato i kanë vuajtur edhe fëmijët e tyre.
Yllka – emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë – ka rrëfyer për Radion Evropa e Lirë ngjarjen më tragjike të jetës së saj, të cilën e ka mbajtur sekret.
"Për një kohë, nuk kam qenë shumë mirë. Gjithçka më ka penguar, edhe dielli kur dilte. Nuk doja as diellin ta shihja me sy, as dritë, as asgjë”, rrëfen ajo.
Kjo e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, forcën për të tejkaluar sfidat e gjeti te bashkëshorti dhe fëmijët e saj.
“Mos prit të ndodhë më e keqja”: Dhuna ndaj grave nënraportohet
Besa për tre vjet kishte përjetuar dhunë fizike nga bashkëshorti i saj dhe nuk i kishte treguar askujt.
Më pas mori guximin dhe iki nga shtëpia e prindërve të saj, por fëmija mbeti me babanë.
Besa së bashku me fëmijën iu drejtua strehimoreve për viktimat e dhunës, ku sipas ligjit, viktimat mund të qëndrojnë për gjashtë muaj. Pas kësaj, u detyrua të kthehej te bashkëshorti, që vazhdoi të ushtronte dhunë mbi të.
Për gjashtë vjetët e ardhshëm, Besa do të dilte edhe katër herë nga shtëpia, do të qëndronte përkohësisht nëpër strehimore dhe do të kthehej sërish te bashkëshorti dhunues.
Dhe një ditë “kupa u mbush”. Me gjithë frikën dhe pasigurinë vendosi të largohej dhe të mos kthehej më kurrë.
Me ndihmën e udhëheqësve të strehimoreve, ajo siguroi një vendbanim të përkohshëm, gjeti punë si pastruese dhe pastaj mori banesë me qira.
Edhe me një ndihmë që merr nga shteti thotë se mezi ia del nga muaji në muaj, por se është e lumtur me fëmijën e saj.
“Kurrë nuk ia fal vetës përse kam duruar... Sot nuk kam kushte të mira ekonomike, por kam qetësi shpirtërore”, rrëfeu ajo.
“M’u duk sikur më ra tavani”: Rrëfimi i Arbelës për kancerin në gji
“Në dhomën e fjetjes nuk e marr kurrë kompjuterin me vete. Por, kisha shumë punë në një projekt. Punova, punova... dhe pasi e përfundova, isha e lodhur... dhe ashtu si isha, doja të flija. Duke i hequr sutienat, me dorë të majtë, rastësisht preka gjirin e majtë dhe preka diçka të fortë. Nuk e dija se çfarë ishte. Thashë me vete: unë jam vetëm 33 vjeçe dhe nuk mund të kem kancer..”
Kështu rrëfen Arbela Statovci, e cila i ka mbijetuar sëmundjes së kancerit në gji. Ajo u diagnostikua me kancer më 2021.
“M’u duk sikur më ra tavani kur e kuptova”, tha ajo.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 2 milionë gra në të gjithë botën diagnostikohen çdo vit me kancer në gji.
Plumbi nën ngjyrën blu të Kombeve të Bashkuara
Familja e Bajram Babajboksit, që u helmua nga plumbi në kampet e drejtuara nga Kombet e Bashkuara në Mitrovicë, ende është në kërkim të drejtësisë.
Në shtator të vitit 1999, familja e Bajramit u kthye nga Gjermania. Pasi shtëpia në Mitrovicën e Jugut i ishte djegur pas luftës në Kosovë, familja u vendos në kampe strehimi, të drejtuara nga OKB-ja - fillimisht nga Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) e pastaj nga Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Fillimisht në Zhitkoc e pastaj në Çesmin Llug - pjesa veriore e Kosovës - fëmijët dhe nipat e mbesat e Bajramit nisën jetën në kampet e UNMIK-ut që do të linin gjurmë të përhershme në jetët e tyre.
Kampe të tilla - të ndërtuara në një zonë të kontaminuar me plumb, shkaku i afërsisë me shkritoren e Minierës së Trepçës - u vendosën edhe në vende të tjera: Kablare, Osterode, Leposaviq.
Fillimisht, rreth 600 romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në këto kampe u ishte thënë se do të qëndronin aty vetëm 45 deri në 90 ditë. Por, kampi i fundit u mbyll vetëm më 2013.
Familja e Bajram Babojboksit nuk është e vetme në këtë betejë për drejtësi.
QKUK-ja “magazinon” mbetje radioaktive
Kosova nuk ka ndonjë vend të posaçëm për trajtimin e mbetjeve radioaktive.
Shërbimi i Mjekësisë Nukleare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka më shumë se një dekadë që ka nisur të përdorë terapi radioaktive për diagnostikimin e disa llojeve të kancerit, përfshirë atë në veshkë, tru, gji, pankreas, mushkri, gjëndër tiroide e prostatë.
Për t’u diagnostikuar, pacientët duhet ta bëjnë testin e njohur si sintigrafi, që nënkupton injektimin e një sasie radioaktive në trupin e tyre dhe më pas rrezatimin.
Nga kjo procedurë, pastaj, rezultojnë edhe mbetje radioaktive, të cilat konsiderohen të rrezikshme, sepse lëshojnë grimca radioaktive.
Nëse këto grimca nuk menaxhohen siç duhet, ato mund të përbëjnë rrezik jo vetëm për shëndetin e njeriut, por edhe për mjedisin, pasi përmbajnë kimikate shumë helmuese, të cilat mbeten aktive me mijëra vite.
Në Shërbimin e Mjekësisë Nukleare ka sasi të konsiderueshme të mbetjeve të tilla radioaktive - mbi 300 kolona - të cilat trajtohen nga stafi.
“Shëmtime, shëmtime”: Rreziku prej injektimit të botoksit nga joprofesionistët
Dëshira për të bërë ndryshime estetike në fytyrë, Laurës nga Prishtina - identiteti i të cilës është i njohur për redaksinë - i kushtoi me probleme të mëdha shëndetësore.
Para një viti ajo kishte bërë injektime me substancën e botoksit në fytyrë, e pastaj me fillor.
Por, disa ditë pasi kishte bërë këtë ndërhyrje, pjesa e injektuar i ishte ënjtur dhe i ishte mbushur me qelb.
“Më është dashur të shkoj urgjentisht për mjekim në spital, ku kam qëndruar një javë”, tregoi Laura.
Ajo tha se ndërhyrjet në fytyrë i ka bërë në një ordinancë private.
“Personi që ka intervenuar në fytyrën time, nuk ka pasur të bëjë me profesionin e mjekut. Ka qenë floktare. Është marrë me rregullimin e vetullave dhe, pastaj, ka filluar t’i aplikojë edhe këto gjërat e tjera”, tregoi Laura.
Paratë false vërshojnë tregun e Kosovës, si t'i shmangni ato?
Më 2023, Kosova është përballur me monedha false që vërshuan tregun.
Më të falsifikuarat, sipas autoriteteve, janë monedhat 2 euroshe dhe kartëmonedhat 50 euroshe.
Radio Evropa e Lirë ka realizuar një video shpjeguese për këtë çështje, për të informuar qytetarët se si t’i dallojnë dhe shmangin paratë false.
"Çfarëdo që prek është e shtrenjtë" - Jeta me një euro në ditë
Familja 4-anëtarëshe Aruqaj nga Mitrovica e Jugut jeton me vetëm 170 euro në muaj.
Këto të ardhura janë pensioni që merr kryefamiljari, Azizi, veteran i luftës.
“Këto çfarë i kam. Po mos të kem diçka, iu qes ndonjë kryelanë apo ndonjë vezë. Diçka... çfarë të mundem. Kur i kam, i qes, kur nuk i kam, nuk kam çfarë të bëj... Me një pension mezi ia dalim”, tregon Zejnepe Aruqaj.
Rritja e inflacionit ka vështirësuar edhe më shumë jetesën e kësaj familjeje, që shpesh varet qoftë edhe nga 10 apo 20 centë.
Kompanitë kosovare sjellin punëtorë nga Azia, ata ikin drejt vendeve evropiane
Njëmbëdhjetë punëtorë nga Bangladeshi, “u zhdukën” pas vetëm një dite pune në një kompani në Lipjan.
Nga kompania “Dino” thanë se këta punëtorë ishin rekrutuar, pasi ka mungesë të fuqisë punëtore në Kosovë.
“Nuk kemi asnjë informacion se ku kanë shkuar. Të nesërmen kur ka shkuar shoferi për t’i marrë dhe dërguar në destinacionin e caktuar për punë, ata nuk janë lajmëruar”, tha Lulzim Sllamniku nga “Dino”.
Në Kosovë është rritur numri i punëtorëve të huaj njëjtë me kërkesën e kompanive kosovare për të sjellë punëtorë nga shtetet aziatike.
Por, vetë punëtorët nga Azia, Kosovën e shohin vetëm si vend transit për në vendet evropiane.
Pse do të duhej përforcim i përhershëm i NATO-s në Kosovë?
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 2023 ka rritur praninë e saj në vend, pas shpërthimit të trazirave në veriun e banuar me shumicë serbe, ku banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë.
Gjatë protestave atje, u plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR-it. Por, në veri më 24 shtator ndodhi një ngjarje më e rëndë, përkatësisht një sulm i armatosur nga një grup serbësh ndaj policisë së Kosovës, duke vrarë një polic.
Pas rritjes së tensioneve në Kosovë, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, në nëntor paralajmëroi se aleanca do të shqyrtojë shtimin e përhershëm të forcave në Kosovë për ta mbajtur situatën nën kontroll.
“Tani po shqyrtojmë nëse kjo rritje [e trupave] duhet të jetë më afatgjate, nëse ka nevojë për kapacitete të reja, por deri më tani kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm, duke shtuar numrin e trupave tona”, deklaroi Stoltenberg.
Si menaxhohet kufiri verior i Kosovës?
Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra. Mbi 60 për qind e saj përfshin komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Më 2011, Prishtina dhe Beogradi arritën një marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit në dhjetorin e vitit 2011.
“Nuk është kollaj kontrolli i kufirit në atë pjesë”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu referuar pjesës veriore të Kosovës.
Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.
Megjithatë, sipas një vendimi të vitit 2014 të komandantit të KFOR-it atëbotë, Policia mund të patrullojë në vijën kufitare Kosovë-Serbi deri në 1 kilometër afër vijës ndarëse.
Muri që ndan Stanimirin nga pronat e tij
Një mur prej betoni i pamundëson Stanimir Jovanoviqit, që jeton në Leposaviq, që të shkojë me veturë në pronat që ka në fshatin Stanulloviq, pak kilometra më larg, në territorin e Serbisë.
Atje ai ka një pemishte dhe kopsht, që i punon çdo ditë.
“Ne vetëm kërkojmë që të mund të shkojmë normalisht të punojmë në fshat”, tha Jovanoviqi.
Muri prej betoni është ngritur nga Policia e Kosovës për të luftuar kontrabandën në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Por, ky mur ka vështirësuar jetën e përditshme të banorëve të zonës.
Janjeva: Nga qendër zejtare e tregtare në shtëpi boshe nga migrimi
Në fshatin Janjevë të Lipjanit, jetojnë kroatë, shqiptarë, turq dhe romë.
Aty ka një kishë katolike që daton nga viti 1956, por edhe një xhami.
Banorët, me të cilët ka biseduar ekipi i Radios Evropa e Lirë, theksuan krenarinë e tyre për “multikulturalizmin dhe multietnicitetin” e fshatit.
"Nuk do të kishte probleme [ndëretnike] në Kosovë nëse kudo do të ishte si në Janjevë", tha Ollga Glliciq, një kroate e Janjevës.
Ky fshat, dikur ishte i njohur për tregtarët dhe zejtarët. Sot, banorët thanë se kanë mbetur vetëm tre prodhues.
Por, për shkak të mungesës së perspektivës, të rinjtë tani po ikin nga Janjeva.
Kazinotë e Karaçevës barten në Breznicë të Serbisë
Të paktën shtatë biznese që organizojnë lojëra të fatit janë ndërtuar në atë që njihet si territor neutral mes dy fshatrave - Karaçevës në anën e Kosovës dhe Breznicës në anën e Serbisë.
Sipas banorëve të zonës dhe zyrtarëve të Kamenicës dhe Bujanocit, objektet janë ndërtuar në zona neutrale, pasi qytetarët e Kosovës mund t’i frekuentojnë ato pa pasur nevojë të kalojnë nëpër procedura kufitare.
Crystal, Kometa, Flamingo, Las Vegas Casino, Star Club, Wild Casino, Casino Colosseum janë vetëm disa nga emrat e këtyre bizneseve.
Në to mund të luhet bixhoz, rulet, poker dhe mund të hidhen baste sportive.
Nga Komuna e Kamenicës i thanë Radios Evropa e Lirë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa për ndalimin e punës së kazinove.
Organizimi i lojërave të fatit në territorin e Kosovës është ndaluar me ligj nga marsi i vitit 2019.
"Ulërima e lumit": Një betejë për mbijetesën e Lepencit
“Lumi ynë do të shteret dhe po e shterin njerëzit. Zoti na e dhuroi, njerëzit po e marrin për përfitime personale”, tha Hasan Daloshi.
Ai është vetëm njëri nga banorët e fshatrave Sopanicë dhe Doganaj të Kaçanikut që për vite me radhë kundërshtojnë ndërtimin e një hidrocentrali në rrjedhën e lumit Lepenc, që kalon pak metra larg shtëpisë së tij.
Banorët e zonës druajnë se hidrocentrali do ta shkatërrojë krejtësisht rrjedhën e lumit edhe ashtu të degraduar.
Ministria e Mjedisit është kundër ndërtimit të këtij hidrocentrali, por përgjegjësia kryesore bie mbi Komunën e Kaçanikut, e cila nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të prerë, lejimin e ndërtimit apo jo.
"Pa Kosovën vdesim" - Fshati i Shqipërisë siguron jetesën përtej kufirit
Për Shate Palincin nga fshati Borje i Shqipërisë , Dragashi – komunë në jug të Kosovës – është vendi për të marrë shërbimet e përditshme.
Rreth 900 banorë të fshatit malor të Borjes, qyteti më i afërt në Shqipëri është Kukësi, rreth 30 kilometra larg.
Rruga për atje është e paasfaltuar.
Kështu, ky fshat është i lidhur më shumë me Kosovën, kufirin e së cilës e kanë rreth 2 kilometra larg.
Shumë borjanë, që kryesisht i përkasin etnisë gorane, të premteve, në ditë tregu, shkojnë në Dragash për të të shitur e blerë produkte, por edhe për të marrë shërbime të tjera, sikurse ato shëndetësore të cilat jepen falas në institucionet e Kosovës.
Kur Shatja u pyet se çfarë do të ndodhte me banorët e fshatit të saj nëse Kosova nuk do të ishte afër, ajo tha:
"Do të vdesim, çfarë do të bëjmë, se nuk kemi ku të shkojmë, pa punë. Burrat pa punë, djemtë pa punë, ne pa punë. Në Kosovë punojnë edhe burrat, edhe gratë, edhe fëmijët dhe krejt".
Nën hijen e minareve, selefistët përballen me akuza për radikalizëm
Imami Shaban Tolaj, çdo të premte drejton një numër të madh të besimtarëve myslimanë – që sipas tij arrin deri në 200 persona - teksa fal namazin në Xhaminë e Re në Deçan.
Tolaj praktikon metodën selefiste të predikimit të islamit, por shton se selefizëm nuk duhet të cilësohet “islami politik, radikal ose i dhunshëm”.
“Grushtshtetet, protestat, rrëmujat, futja në politikë, nuk janë pjesë e selefizmit të pastër. Do të thotë, këto nuk janë pjesë të selefizmit. Por, tash, viteve të fundit, nuk ka dyshim që janë shfaqur shumë rryma, shumë grupe dhe gjithsecili prej tyre pretendon dhe thotë ‘ne jemi selefistë’. Por, kjo nuk është e vërtetë”, tha Tolaj.
Megjithatë, në Raportin e Progresit për vitin 2023 i hartuar nga Komisioni Evropian, selefizmi cilësohet si njëri nga kërcënimet me të cilat përballet Kosova.
Sipas sociologut të religjionit, Ismail Hasani, selefizmi në Kosovë nuk është ideologji militante sepse, sipas tij, nuk ka ndonjë ideolog që e ushqen atë.
Sipas Hasanit, selefizmi është lëvizje për ta rikthyer islamin në variantin që ata e shohin si “të pastër” dhe të formës “të cilën e ka predikuar Muhamedi”, i cili, sipas besimit islam, konsiderohet profeti i fundit për njerëzimin.
Shtatë motrat që ushqimet tradicionale i bënë brend
Advije Berisha-Rexhepi, 48-vjeçare nga Shkupi, për 15 vjet tentoi të gjente punë në profesionin e saj, pasi mbaroi studimet në Fakultetin e Pedagogjisë.
Por, më pas, së bashku me gjashtë motrat e saj më të vogla, ajo krijoi biznesin e saj, duke hapur një furrë për fli.
“Ishim mbledhur për 8 mars ne 7 motrat dhe dy vëllezërit dhe kishin qitë fli. Pamë se shumë nga të afërmit lakmonin për këtë ushqim tradicional. Dhe, në atë moment na lindi ideja, pse të mos gatuajmë për të tjerët”, rikujton ajo fillet e biznesit familjar që nisi me zero kapital gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.
Në këtë biznes, tha Advija, mbështetje e fuqishme janë dhe dy vëllezërit.
Zonja e sapunëve që i dha zë ëndrrës së saj
Laureta Lemezhi, nga fshati Blinisht i Lezhës - pjesa veriore e Shqipërisë – për kohë të gjatë e ka vuajtur faktin që nuk ka arritur të ndjekë ëndrrën e saj: të studionte mjekësinë.
Në moshën 18-vjeçare ajo u martua dhe më pas lindi edhe dy fëmijë.
Por, më 2014 jeta e saj ndryshoi, pasi disa murgesha italiane u vendosën në fshatin e saj dhe nisën t’iu ofronin trajnime grave të fshatit që ato të bëheshin “të zonjat e vetes”.
Me gjithë paragjykimet dhe punët e përditshme, ajo e ndoqi trajnimin çdo ditë për një vit. Bashkë me katër gratë e tjera, ajo mësoi se si t’i shfrytëzonte bimët mjekësore të zonës dhe vajin e ullirit që prodhohej nga banorët e Blinishtit, për të prodhuar sapunë artizanalë.
“Nisi tetë vjet më parë. Biznesin tim e pagëzova me emrin ‘ZaDream’, dhe sot ndihem kaq mirë që nuk ua vura veshin paragjykimeve, edhe pse nuk e pata aspak të lehtë”, tregoi Laureta.
“Të prodhosh vetë sapunë, për mua është sikur gatuan një ëmbëlsirë, që me përbërësit e duhur dhe me dashurinë për gatimin, nuk ka sesi të dalë ndryshe veçse shumë e mirë. Trokisja derë më derë për ta prezantuar produktin tim. Herë merrja përgjigje pozitive, herë zhgënjehesha, por asnjëherë nuk u ndala”, shtoi ajo.
Historiku i konfliktit izraelito-palestinez
Më 7 tetor, Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – kreu sulme në jug të Izraelit, që nxitën luftën e fundit mes Izraelit dhe grupit radikal.
Por, konflikti mes izraelitëve dhe palestinezëve është i vjetër mbi 100 vjet. Të dy popujt luftojnë për tokën e njëjtë.
Radio Evropa e Lirë ka sjell një video shpjeguese lidhur me këtë konflikt të gjatë.
Bregu Perëndimor, Rripi i Gazës, Jerusalemi Lindor dhe Izraeli ndodhen në tokën që është njohur si Palestinë në kohën romake. Ata që nuk besojnë në të drejtën e Izraelit për të qenë shtet, i referohen edhe sot ashtu asaj toke.
Hebrenjtë, në anën tjetër, thonë se ato toka përmenden si mbretëri hebreje në Bibël, dhe për ta janë tokat e paraardhësve.