Komisionit Hetimor Parlamentar ka përfunduar me intervistimin e dëshmitarëve që kanë pasur informata rreth deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, gjatë marsit të vitit 2018.
Ky Komision po heton rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i këtyre shtetasve turq nga Kosova.
Sipas anëtarëve, ky komision tashmë është në fazën e shqyrtimit të provave dhe më pas do të përpilohet raporti dhe dërgohet në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti Xhelal Sveçla, kryetar i këtij komisioni, tha se janë identifikuar numër i madh i parregullsive, por nuk ka dashur të japë më tepër informata se cilat janë parregullsitë konkrete.
Megjithatë, ai ka treguar se gjatë kësaj jave pritet që raporti të dërgohet në zyrën e Sekretarit të Kuvendit të Kosovës.
“Jemi në fazën e shqyrtimit të provave, momentin që shqyrtohen provat, normalisht bashkë me të përpilohet raporti dhe kalon në seancën plenare. Atëherë, mund të flas për provat. Ka një numër të madh të parregullsive, por nuk mund të flas për to, pasi nuk është përpiluar raporti”, tha Sveçla.
Komisioni Hetimor, i cili është funksionalizuar në muajin korrik, deri më tani ka intervistuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe ish- drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni, aktualisht drejtor i AKI-së. Ish-drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, aktualisht sekretar në Presidencën e Kosovës. Ish-ministrinë e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.
SHIKONI EDHE: Haradinaj thotë se për deportimin e shtetasve turq u informua nga një diplomat i huajEdhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka qenë i thirrur nga Komisioni për intervistim, por Sveçla tha se presidenti nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit dhe deri më tani nuk ka dhënë asnjë arsye.
“Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi asnjëherë nuk iu është përgjigjur ftesave tona, as më letër as më gojë”, tha Sveçla.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Zyrën e Presidentit, por kjo Zyrë nuk ka dhënë përgjigje rreth arsyeve përse presidenti Hashim Thaçi nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit Hetimor për intervistë.
Familjarët e të dëbuarve, ndërkaq, më herët kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se presin që Komisioni Hetimor parlamentar të paraqesë dëshmi konkrete dhe të identifikojë personat përgjegjës që kanë ndërmarrë këtë veprim.
Hetime lidhur me dëbimin e shtetasve turq ka bërë edhe Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë, sipas të cilit, janë konstatuar shkelje të standardeve ndërkombëtare gjatë gjithë procesit të dëbimit.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se në raportin i cili iu është dërguar institucioneve të larta shtetërore, konstatohet se duhet të merren veprime për këtë çështje.
“Në raportin që kemi hartuar, veprimi i parë që duhet të ndërmerret, për shkak se kemi konstatuar shkelje, duhet të bëhet rikuperimi i situatës për aq sa është e mundur, që nënkupton kompensimin e familjarëve të viktimave që janë ekstraduar në mënyrë të paligjshme”.
“Dhe e dyta, Kosova në raste të ngjashme të sigurojë plotësimin e standardeve ndërkombëtare që kërkohen për këto situata. Dhe në raport e kemi cekur cilat janë ato kritere që duhet plotësuar. Kuptohet njëra prej tyre përfshin gjykimin e drejtë ose dhënien e mundësisë për një gjykim të drejtë”, tha Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
*Video nga arkivi: Familjarët e turqve të dëbuar kërkojnë azil në Kosovë.
Your browser doesn’t support HTML5
Më 29 mars të këtij viti, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.
SHIKONI EDHE: Kompania ajrore që barti turqit e deportuar gënjeu autoritetet kosovareDeportimi i tyre, ishte zhvilluar përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të Inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, që deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin fare njohuri lidhur më rastin.
Pas këtij rasti, kryeministri Ramush Haradinaj pati liruar nga detyra Driton Gashin dhe ministrin e Punëve të Brendshëm, Flamur Sefaj, të cilët, më pas kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Gjashtë shtetasit turq, të dëbuar nga Kosova, Ankaraja i ngarkon me dyshimin se janë anëtarë të organizatës “Hizmet” të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen dhe e fajëson këtë të fundit se qëndron pas një tentim-puçi në korrik të vitit 2016.
Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.