Ndërlidhjet

Haradinaj thotë se për deportimin e shtetasve turq u informua nga një diplomat i huaj


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, më 29 mars, është njoftuar nga një diplomat i huaj.

Këto komente Haradinaj i bëri gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar, lidhur me ndriçimin e rastit të deportimit të shtetasve turq.

Haradinaj u ka dorëzuar anëtarëve të këtij komisioni një dokument, ku siç ka thënë, tregohet në mënyrë të detajuar e gjithë kronologjia e ngjarjes.

“Gjatë zhvillimit të mbledhjes së Qeverisë (data 29 mars), kam marrë një telefonatë prej një zyrtari të huaj, pra prej një diplomati – emri nuk e kisha përmend – i cili më ka pyetur për temën në fjalë dhe më pas i kam radhitur të gjitha informatat e tjera, kronologjinë e veprimeve që i kemi ndërmarrë”.

“E vërteta është siç e kam thënë në dokument. Jo vetëm më 29 mars, por është, pra hera e parë që unë kam marrë telefonatën dhe njoftimin është – ata janë larguar nga Kosova në 10:50 – ndërsa unë informatën e kam marrë diku mes orës 11 dhe 12”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj nuk e përjashtoi mundësinë që për deportimit të shtetasve turq nga Kosova, të ketë qenë kërkesë e autoriteteve të inteligjencës turke, drejtuar Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“Nuk e përjashtoj mundësinë e një kërkese nga pala turke (agjencia e inteligjencës turke) ose të vazhdimit të një partneriteti ekzistues, të mëhershëm, në këtë rast. Pra nuk e përjashtoj këtë, nuk mund ta konfirmoj, por nuk e përjashtoj, është bukur e supozuar aq sa di unë nga marrëdhëniet që i zhvillojnë agjencitë e zbulimit”, tha Haradinaj.

Kryeministri u shpreh se në rastin e deportimit të shtetasve turq nga Kosova, sipas këndvështrimit të tij, ka pasur vetëm dy shkelje, nxitimi i procedurës së dëbimit dhe mosinformimi i tij për gjithë aksionin.

“Kjo procedurë ka mundur që të shkojë nëpër etapat e veta edhe ndoshta sot do të ishim në rregull, edhe mungesa e informatës. Këto dyja pra më kanë bërë të veproj. Por, nuk kam gjetur shumë defekte të tjera në proces, përveç nxitimit, sepse procesi ka shkuar shumë shpejt”, tha tutje Haradinaj.

I pyetur se nëse ndonjëherë ka marrë kërkesë zyrtare për mbylljen e shkollave “Mehmet Akif” – ku pesë prej të dëbuarve punonin - në Kosovë, Haradinaj u shpreh se asnjëherë nuk ka pasur një kërkesë zyrtare për këtë çështje.

“Deri në ditën e sotme, mua askush nuk ma ka kërkuar këtë, asnjë zyrtar, asnjë institucion i shtetit turk”, tha kryeministri Haradinaj.

I ftuar nga Komisioni Hetimor për deportimin e shtetasve turq për intervistim ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet jashtë vendit.

Të gjashtë shtetasit turq u arrestuan dhe u dëbuan me një aeroplan të Shërbimit të Inteligjencës Turke më datë 29 mars vetëm pak orë pasi u arrestuan nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Pesë prej personave të dëbuar nga Kosova ishin punonjës të shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen, ndërkaq personi i gjashtë ishte një mjek turk.

Ankaraja i ngarkon ata me dyshimin se janë anëtarë të organizatës Hizmet të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen dhe e fajëson këtë të fundit se qëndron pas një tentim puçi në korrik të vitit 2016.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG