Raporti i KE-së me kritika të shumta për Maqedoninë e Veriut

Flamuri i Maqedonisë së Veriut dhe ai i BE-së. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Komisioni Evropian (KE) në raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut ka drejtuar kritika të shumta për mungesë të rezultateve në disa fusha, në veçanti në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mospërmbushjen e detyrimit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe polarizimin e skajshëm të skenës politike.

Raporti thekson nevojën për forcimin e rolit të Parlamentit maqedonas për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, me qëllim vazhdimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE).

“Puna e Parlamentit u dëmtua nga polarizimi politik, i cili u thellua më tej, duke vonuar miratimin e shumë ligjeve reformuese dhe emërimeve të rëndësishme. Procesi i negociatave për anëtarësim në BE kërkon konsensus të gjerë të partive kryesore politike. Të gjitha partitë duhet të fillojnë të angazhohen për një debat politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, për të forcuar rolin e Parlamentit dhe procesin e negociatave të pranimit në BE”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

SHIKONI EDHE: "Ylli evropian" përplas pushtetin dhe opozitën në Maqedoni të Veriut

Raporti prej 120 faqesh ka kritikuar partitë në pushtet për “përdorimin e tepruar dhe ndonjëherë të papërshtatshëm të ‘flamurit të BE-së’ për miratimin e ligjeve”.

“Kjo procedurë duhet të përdoret kur lidhet drejtpërdrejt me miratimin e ligjeve, qëllimi kryesor i të cilave është përafrimi me legjislacionin e BE-së, dhe jo për të shkurtuar debatin publik për çështje të rëndësishme”, thuhet në raport.

Polarizimi i skenës politike

Por, për polarizimin e skenës politike, mosmiratimin e ndryshimeve kushtetuese, si dhe kritikat tjera të raportit, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka fajësuar opozitën.

“Këto vërejtje të Komisionit Evropian janë një mesazh serioz për të gjitha partitë politike, jo vetëm për qeverinë, por edhe për opozitën e cila ka bllokuar me vite Parlamentin, vetëm e vetëm për interesa të ulëta politike. Kjo ka të bëjë edhe me vërejtjet në gjyqësor. Çdokush që pengon hapjen e kapitujve për korrupsionin është kundër luftës ndaj korrupsionit”, ka thënë Osmani.

Ai ka thënë se të gjitha partitë politike duhet ta kenë të qartë se pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë anëtarësim evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Ne nuk do të lëmë gur pa lëvizur derisa t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese për shkak se e dimë se pa ndryshime kushtetuese nuk ka Bashkim Evropian, nuk ka negociata me BE-në dhe pa këto negociata ne nuk mund të funksionojmë si shoqëri”, ka deklaruar Osmani.

Mungesa e përparimit në gjyqësor

Maqedonia e Veriut ka marrë kritika të shumta për punën e gjyqësorit, në veçanti të Këshillit Gjyqësor që është organi më i lartë gjyqësor që emëron dhe mbikëqyrë punën e gjyqtarëve.

“Nuk ka pasur përparim në gjyqësor gjatë periudhës raportuese. Ekzistojnë shqetësime serioze për ndikimin e jashtëm të panevojshëm mbi punën e Këshillit Gjyqësor dhe gjyqësorit. Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe të institucioneve dhe duhet t'i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm. Miratimi i një strategjie të re për reforma në gjyqësor që synon përmirësimin e funksionimit të institucioneve është prapa afatit”, vlerëson raporti.

SHIKONI EDHE: Politika anashkalon ekspertët nga “reforma” në gjyqësor

Raporti i KE-së thekson se, si Këshilli Gjyqësor, ashtu edhe Këshilli i Prokurorisë, duhet të veprojnë me vendosmëri për të promovuar dhe mbrojtur pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të rritur transparencën dhe për të parandaluar çdo përpjekje për të ushtruar ndikim ose frikësim të padrejtë”, thuhet në raport.

Ngecje në luftën kundër korrupsionit

Raporti i Komisionit Evropian përmban vërejtje serioze lidhur me mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, si dhe kritika për ndryshimet në Kodin Penal që çuan në vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore ku ishin të përfshirë ish-zyrtarë të lartë shtetërorë.

“Ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në shtator 2023 përbëjnë një shqetësim serioz për shkak të ndikimit të tyre në rastet e ish-Prokurorisë Speciale Publike, pasi një pjesë e madhe e rasteve u përkisnin veprave, dispozitat e të cilave u ndryshuan. Ndryshimet reduktojnë, prekin, ndalojnë apo edhe çojnë në përfundimin e një numri të madh çështjesh. Që kur ndryshimet hynë në fuqi disa lëndë tashmë janë kontestuar ose janë shtyrë seancat për shkak se akuzat nuk ishin më të vlefshme ose kishin skaduar”, thuhet në raportin e KE-së.

SHIKONI EDHE:

Çfarë fshihet pas ndryshimeve në Kodin Penal?Opozita fajëson Qeverinë se po mbron ish-zyrtarë të korruptuar

Komisioni Evropian kërkon që Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit të zbatohet plotësisht dhe Komisioni Antikorrupsion të forcojë më tej kapacitetin për të nxitur iniciativa para autoriteteve kompetente, duke identifikuar shkeljet e mundshme të paraportuara ende në media.

Situata ndëretnike dhe decentralizimi

Situata ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, sipas raportit të Komisionit Evropian, mbetet e qetë në përgjithësi, me raste të izoluara tensioni në protesta në verën e vitit 2022 kundër propozimeve për të hequr pengesat për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

“Komisioni për Marrëdhëniet Ndër-Komunitete vazhdoi të nxisë dimensionin shumetnik dhe multi-kulturor të shoqërisë, veçanërisht duke organizuar aktivitete ndërkulturore në mesin e studentëve. Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, e cila ka të bëjë me karakterin multietnik të shoqërisë, vazhdoi të zbatohet”, vlerëson KE-ja.

SHIKONI EDHE: Himni në shkolla mund të kthejë ndasitë etnike

Liria e shprehjes, përparim i kufizuar

Komisioni Evropian vlerëson se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të kufizuar sa i përket lirisë së shprehjes. Kodi Penal i ndryshuar dhe Ligji për përgjegjësinë civile për shpifje, ngritën nivelin e përgjithshëm të mbrojtjes ligjore për gazetarët.

SHIKONI EDHE:

Censuruesit e gazetarëve në Maqedoninë e V. mund të dënohen me pesë vjet burgimSaraçini: Dezinformatat ruse kërcënim për sigurinë, duhen masa konkrete


Megjithatë, raporti rekomandon më shumë transparencë në lidhje me reklamimin në media nga institucionet shtetërore dhe partitë politike, reformimin e transmetuesit publik, si dhe rishikimin e kuadrit ligjor që rregullon median për ta sjellë atë në përputhje me standardet e BE-së.