Ndryshimet në Kodin Penal, projektligji për amnisti, zgjedhjet në organet e pushtetit gjyqësor e zgjidhje të tjera ligjore në Maqedoninë e Veriut po bëhen pa një konsultim të gjerë me ekspertë të fushës, thonë njohësit e çështjeve juridike.
Vllado Kambovski, profesor i së drejtës kushtetuese, thotë se ndryshimet në Kodin Penal që kanë shkaktuar polemika të shumta për shkak të uljes së dënimeve për funksionarët shtetërorë në rast të gjykimit për shpërdorim të detyrës, janë miratuar në kohën kur një grup ekspertësh po diskutonte prej kohësh hartimin e një Kodi të ri Penal.
Ai thotë se ulja e imazhit të gjyqësorit, rrjedhimisht, rritja e krimit dhe korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është pasojë e politikës dhe ndërhyrjes së saj në punën e pushtetit gjyqësor.
“Ne jemi pjesë e një grupi të punës, i cili tani tre vjet e gjysmë së bashku me OSBE-në kanë punuar për një kod të ri penal, që tashmë edhe ka përfunduar, dhe derisa prisnim që në nëntor ai të hyjë në procedurë për miratim, u bënë ndryshime, mbase ashtu siç deshën të tjerët. Këtë e bëjnë pushtetet, ju mund të punoni dhe të bëni zgjidhjen më të mirë të mundshme dhe në fund vendos politika. Kjo te ne po ndodh tash 30 vjet. E gjitha bëhet me marrëveshje politike duke anashkaluar të tjerët dhe kjo sjell rreziqe për të ardhmen e vendit”, thotë profesori Vllado Kambovski.
Sikurse me Kodin Penal, polemika të shumta ka shkaktuar edhe projektligji për amnisti që parasheh lirimin nga burgu të të dënuarve me deri në gjashtë muaj burgim dhe uljen e dënimit prej 30 për qind për shumë kategori të të dënuarve të tjerë.
Ky ligj i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, që drejtohet nga Krenar Lloga nga partia Aleanca për Shqiptarët ka shkaktuar përplasje edhe mes vetë partive qeverisëse.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, nga radhët e Lidhjes Social Demokrate ka dalë kundër propozimit me arsyetimin se nuk do të jepte efekte mbi qëllimin e tij për shpopullimin e burgjeve.
Por, përplasjet kanë të bëjnë edhe për çështje tjera politike, përfshirë edhe kategoritë tjera të të burgosurve dhe për atë nëse bëhet fjalë për “burgosje të montuara”.
Prokurori shtetëror, Lubomir Jovevski, ka thënë se organet gjyqësore por edhe ekspertë të tjerë nuk janë konsultuar për ndryshimet në Kodin Penal.
Sipas tij, ndryshimet janë miratuar me shpejtësi të madhe, bazuar në vlerësimet e politikanëve, pa një debat të nevojshëm gjithëpërfshirës.
“Gjatë procedurës së miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal, Qeveria dhe më pas Kuvendi, këtë zgjidhje nuk e dërguan për mendim pranë institucioneve kompetente gjyqësore. Me siguri këtë nuk e kanë bërë për shkak të urgjencës së miratimit të ligjit. Ai u miratua në një procedurë të shpejtë, me yllin evropian. Kështu që, dikush nga politika ka vlerësuar se duhet të miratohet në këtë formë dhe ashtu ndodhi. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër pos të zbatojmë atë që është miratuar”, ka deklaruar prokurori Jovevski.
Ekspertët juridikë thonë se anashkalimi i tyre nga këto procese vetvetiu ngre “dyshime se bëhet fjalë për interesat e partive për çështje të caktuara”.
Sipas profesorit Vllado Kambovski ndërhyrja e politikës në gjyqësor dhe prania e lartë e korrupsionit dhe krimit të organizuar vë në pah nevojën për një ekspertizë nga jashtë në bërjen e një reforme të gjithanshme.
“Nuk mund të bëhet kthesë pa përshpejtimin e procesit të integrimit. Vetëm me mbështetjen e BE-së dhe me një monitorim të fuqishëm në procesin e bisedimeve mund të nisë heqja e njollës mbi institucionet, të cilat janë të zhytura në krim dhe korrupsion. Burimi i korrupsionit është te partitë politike. Pa një reformë rigoroze nuk mund të kemi sundim të ligjit, respektim të ligjit dhe ndryshime në të gjitha sferat”, thotë Kamboski.
Besimi në organet e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rënie të vazhdueshme. Sipas hulumtimeve të organizatave vendore dhe të atyre ndërkombëtare, siç është edhe IRI, vetëm një për qind e qytetarëve (apo tre më pak se një vit më parë) kanë besim të plotë e pushtetin gjyqësor.