Edhe pse presidenti rus, Vladimir Putin, dhe lideri kinez, Xi Jinping, kanë deklaruar gjatë një takimi në Pekin më 4 shkurt se kanë një partneritet “pa kufi”, grumbullimi masiv ushtarak i Kremlinit përreth Ukrainës dhe kërcënimi për pushtim po testojnë raportet Moskë-Pekin.
Të nxitur nga interesi i përbashkët që t’i kundërvihen Shteteve të Bashkuara, raportet Moskë-Pekin janë më të afërtat që prej ditëve të para të Luftës së Ftohtë.
Kriza që po përshkallëzohet në Ukrainë, megjithatë, tani e ka lënë Kinën në një pozitë të vështirë, teksa tenton të balancojë raportet me Rusinë kundër politikës së saj të jashtme për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe për të mos rrezikuar interesat e saj afatgjate strategjike në Evropë dhe më gjerë.
“Kinezët ende i kanë të vendosura vijat e tyre në rërë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Jakub Jakobowski nga Qendra për Studime Lindore e Varshavës. “Çdo gjë që mund ta kthejë Ukrainën në një konflikt më të gjerë ushtarak, është diçka që Kina absolutisht nuk e dëshiron”.
Your browser doesn’t support HTML5
Teksa kriza në Evropën Lindore ka evoluar, me Rusinë që ka grumbulluar më shumë se 150,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, Pekini është përpjekur që të ketë një qasje më të kujdesshme: duke fajësuar zgjerimin e NATO-s për provokimin e tensioneve dhe duke kritikuar Shtetet e Bashkuara për përkeqësimin e situatës, teksa ka bërë thirrje për diplomaci më të madhe, derisa mundësitë për një pushtim rus po rriten.
Pas vendimit të Putinit për të njohur entitetet separatiste të Donjeckut dhe Luhanskut si shtete të pavarura dhe zotimit rus për dislokimin e trupave atje, qëndrimi i kujdesshëm i Kinës ka vazhduar, teksa Pekini ka arritur të mbajë balancën midis mosmiratimit të lëvizjeve të fundit të Moskës në Ukrainë, ndërkaq në anën tjetër duke mos i kundërshtuar ato në mënyrë eksplicite.
Ky pozicion më i nuancuar u shfaq gjatë një telefonate të zhvilluar më 22 shkurt midis ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ku Wang u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira të “tregojnë përmbajtje” dhe të zgjidhin krizën përmes negociatave. Megjithatë, ai sërish u pajtua me ato që ai i shihte si “shqetësime” legjitime “të sigurisë” së Rusisë.
“Ky është test për këtë fazën e re të raporteve të tyre që u theksuan kur Xi dhe Putin u takuan në margjinat e Olimpiadës [më 4 shkurt]”, tha Jakobowski, duke shtuar se “deri më tani, duket se është një test që ata do ta kalojnë”.
Ruajtja e balancës
Për një kohë të gjatë, Pekini ka thënë se mosndërhyrja dhe respektimi i integritetit territorial janë shtylla të politikës së tij të jashtme. Kina përmend këto aspekte të politikës së saj kur tenton të shmangë kritikat për përpjekjet e saj për të pasur më shumë kontroll apo edhe për të shtypur zërat kundërshtues në Hong Kong, Tajvan, Tibet apo në provincën e saj perëndimore, Ksinjiang.
Kriza në Ukrainë gjithashtu nuk është aq e qartë për Qeverinë e liderit kinez, Xi.
Përderisa Pekini është i etur që të ruajë raportet e forta me Moskën, ai po ashtu ka lidhje të gjata dhe miqësore me Kievin. Kina është partnerja kryesore tregtare e Ukrainës dhe shteti vazhdon të jetë një portë jetike për nismën Brezi dhe Rruga, projektin gjeopolitik të presidenti Xi.
Kina po ashtu shpreson që të minimizojë përhapjen më të gjerë nga lëvizjet e Moskës në Ukrainë, të tilla si prishja e mëtejme e raporteve të tensionuara që aktualisht ka Pekini me Bashkimin Evropian, shmangia e goditjes nga sanksionet ekonomike perëndimore ndaj Rusisë dhe parandalimi që raportet veçse të tensionuara që ka me Uashingtonin të bëhen edhe më të konfrontuese.
SHIKONI EDHE: SHBA shpall sanksione kundër RusisëZhang Xin, profesor në Qendrën për Studime ruse në Universitetin e Shangait, tha se kjo e vendos Pekinin në një “pozitë të vështirë” në ecjen përpara, derisa duhet të lëvizë midis këtyre interesave konkurruese.
“Toni i përgjithshëm që vjen nga deklaratat zyrtare kineze është një përpjekje për të ruajtur raportet normale me të gjitha palët, përfshirë edhe me Ukrainën, sa më shumë që të jetë e mundur”, tha Zhang për Radion Evropa e Lirë.
Zhang tha se ai nuk pret që Pekini të lëshojë ndonjë deklaratë për të gjykuar veprimet ruse në Ukrainë, por gjithashtu ka pak gjasa që Qeveria kineze të japë mbështetje eksplicite ose të ndërmarrë hapa drejtë njohjes së Donjeckut dhe Luhanskut si shtete të pavarura.
Ky veprim balancues nuk është diçka e re për Pekinin.
Pas aneksimit të paligjshëm të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia më 2014, Kina nënshkroi një marrëveshje për gaz me Kremlinin në vlerë prej 400 miliardë dollarësh dhe nisi rrugën e përmirësimit të raporteve me Rusinë. Kina, megjithatë, abstenoi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për statusin e Krimesë dhe ende nuk e njeh këtë gadishull si pjesë të Rusisë.
Përderisa raportet Kinë-Rusi janë përmirësuar që prej vitit 2014, Zhang tha se lufta në Ukrainë mund të shkaktojë tensione midis Pekinit dhe Moskës.
“Shumë varet nga ajo që do të ndodhë në Ukrainë”, tha ai. “A do të ketë pushtim të shkallës së gjerë të Ukrainës apo ndoshta një konflikt më të gjerë rajonal? Këta janë faktorë të mëdhenj që mund të ndryshojnë strukturën e raporteve të tyre”, tha ai.
Partneriteti Pekin-Moskë
Por, media shtetërore kineze nuk ka qenë aq e matur.
Shumë media kanë theksuar provokimin e pretenduar amerikan në nxitjen e krizës dhe kanë justifikuar manovrat ushtarake të Kremlinit, teksa më 22 shkurt media shtetërore kineze, Global Times, përmes një editoriali tha se përpjekjet e SHBA-së për të frenuar Moskën “më në fund e detyruan Rusinë që të bëjë përpjekje për të realizuar kërkesat e sigurisë në një mënyrë të tillë”.
Një tjetër shembull i raportimit të mediave kineze është edhe ai i Horizon News, një media e Partisë Komuniste Kineze, që duket se më 22 shkurt postoi aksidentalisht udhëzime se si duhej të mbuloheshin tensionet e përshkallëzuara në Ukrainë. Këtë postim kjo media e bëri në llogarinë në rrjetet sociale të ueb-faqes mjaft popullore në Kinë, Weibo.
Mesazhi i atij postimi, që më pas u fshi, ishte se çdo përmbajtje që pasqyron Rusinë në mënyrë të pafavorshme ose që do të kishte qasje pro-perëndimore, nuk do të publikohej.
Kjo retorikë gjithashtu ka nisur që të përdoret edhe nga disa zyrtarë kinezë, me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying, që shkroi në Twitter më 23 shkurt se zgjerimi i NATO-s, aleancës që udhëhiqet nga SHBA-ja, është fajtor për krizën aktuale në Ukrainë.
“A ka menduar ndonjëherë [SHBA-ja] për pasojat e shtyrjes për muri të një shteti të madh?”, shkroi ajo, duke iu referuar Rusisë.
SHIKONI EDHE: Matja e mbështetjes së NATO-s për UkrainënPërderisa Pekini po lëviz me kujdes, Raffaello Pantucci nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara në Londër, tha se kriza në Ukrainë ka pak gjasa që të prishë lidhjet e ngushta midis Kinës dhe Rusisë.
“Pekini mund të mos e dojë atë që po ndodh, por ai nuk do ta ndalojë Kremlinin”, tha ai. “Kjo është me të vërtetë kuptimi i partneritetit të tyre. Kina dhe Rusia kërkojnë së bashku për mundësi, por pjesa më e madhe e dinamikës së tyre të re është thjesht të përpiqen që të mos e pengojnë njëra-tjetrën”.
Raportet e përkeqësuara me Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë partneritetin me Rusinë edhe më kritik për Kinën.
SHIKONI EDHE: Pse Kina po vëzhgon me vëmendje tensionet Perëndim-Rusi?Gjatë bisedës telefonike më 22 shkurt me sekretarin Blinken, Wang po ashtu kritikoi strategjinë e re të Uashingtonit që e emëron Kinën si shqetësimin kryesor në rajonin e Indo-Paqësorit. Wang tha se ky fokus në “konkurrencë dhe kontroll” nga zyrtarët amerikanë “ka të ngjarë që të evoluojë në një konfrontim të shkallës së plotë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”.
“Nëse ju jeni Kina apo Rusia dhe e dini se një nga fuqitë e tjera të mëdha nuk do t’iu pengojnë dhe ndonjëherë do të bashkëpunojnë me ju, atëherë ky është një vend shumë i mirë për të qenë”, tha Pantucci.