Ndërlidhjet

Matja e mbështetjes së NATO-s për Ukrainën


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Që nga aneksimi i Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014, NATO-ja ka forcuar ndjeshëm pozicionin e saj në krahun lindor. Ajo ka krijuar katër grupe luftarake shumëkombëshe në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, si dhe ka zgjeruar kapacitetet e kontrollit ajror mbi shtetet baltike dhe Evropën Lindore.

Të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Gjermania, këto njësi mbështesin idenë se sulmi ndaj një aleati të NATO-s do të konsiderohej sulm ndaj të gjithë aleancës. Çdo njësi merr gjithashtu kontribute nga anëtarët e tjerë të NATO-s.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por ajo ka qenë “vend partner” i saj qysh më 2008 - vitin kur ka aplikuar për Planin e Veprimit për Anëtarësim. Kjo do të thotë se asaj mund t’i lejohet anëtarësimi në aleancë në të ardhmen. Rusia kërkon garanci nga fuqitë perëndimore se kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën, disa aleatë të NATO-s kanë dërguar ndihma ushtarake në Kiev.

Udhëheqësit e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian kanë bërë gjithashtu përpjekje diplomatike për të zbutur tensionet me Moskën, por disa nga kërkesat gjeopolitike të Rusisë, në lidhje me zgjerimin e NATO-s në shtetet ish-sovjetike, konsiderohen si të papranueshme.

Si po e mbështesin Ukrainën anëtarët e NATO-s dhe BE-ja?

Bashkimi Evropian ka dhënë hua dhe grante për të mbështetur Ukrainën që nga viti 2014, kur Rusia ka pushtuar dhe aneksuar Krimenë. Më 1 shkurt, 2022, BE-ja ka ndarë ndihmë të re financiare prej rreth 1.2 miliard eurosh, për ta ndihmuar Ukrainën gjatë krizës aktuale.

Kanadaja ka ndarë një ndihmë financiare prej 340 milionë dollarësh për Ukrainën dhe për shtrirjen dhe zgjerimin e Operacionit UNIFIER - mision i Forcave të Armatosura Kanadeze që mbështet ushtrinë e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar 2,000 trupa shtesë në Gjermani dhe Poloni, kanë zhvendosur 1,000 ushtarë amerikanë nga Gjermania në Rumani dhe kanë ofruar një paketë të ndihmës ushtarake prej 200 milionë dollarësh, përfshirë 300 raketa Javelin dhe 79 tonë ndihmë sigurie.

Danimarka ka dërguar një fregatë në Detin Baltik dhe katër avionë luftarakë F-16 në Lituani, në mbështetje të misionit të policisë ajrore të NATO-s në rajon.

Letonia dhe Lituania kanë dërguar raketa anti-ajrore Stinger, pasi kanë marrë miratimin nga Uashingtoni për transferimin e armëve.

Holanda do të dërgojë dy avionë luftarakë F-35 në Bullgari, në muajin prill, për të mbështetur aktivitetet e policisë ajrore të NATO-s në rajon.

Spanja do të dërgojë anije për t’u bashkuar me forcat detare të NATO-s dhe po shqyrton dërgimin e avionëve luftarakë në Bullgari.

Estonia do të dërgojë raketa Javelin.

Turqia tashmë ka dërguar dronë anti-tank.

Mbretëria e Bashkuar ka dërguar raketa anti-tank, si dhe trupa për t’i trajnuar ukrainasit për përdorimin e tyre.

Gjermania do të dërgojë një spital fushor në Estoni dhe ka njoftuar se do të vendosë 350 trupa në Lituani, për të përforcuar një grup të ushtarëve të NATO-s atje.

Qeveria e Polonisë ka miratuar dërgimin e armëve të mbrojtjes ajrore, municioneve dhe dronëve.

Republika Çeke ka dërguar predha artilerie.

Çfarë thonë evropianët për pushtimin e mundshëm të Ukrainës nga Rusia?

Është folur shumë se qeveritë në Evropë janë të ndara për konfliktin, por një raport i publikuar në janar nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR) ka zbuluar se qytetarët evropianë besojnë se pushtimi rus i Ukrainës mund t’i shkaktojë Evropës disa çështje serioze për sigurinë - në aspektin e energjisë dhe të imigrimit. Ata gjithashtu besojnë se Evropa e ka për detyrë t’i përgjigjet krizës.

Çfarë thonë rusët?

Një sondazh i kryer nga Qendra Levada në prill të vitit 2021 ka zbuluar se në mesin e shoqërisë moderne urbane të Rusisë ka pak entuziazëm për ndërhyrjen ushtarake.

Pikëpamja se është e nevojshme të marrësh pjesë në konflikt, në rast të shpërthimit të armiqësive, është më e popullarizuar në mesin e grupeve të vjetra. Kjo pikëpamje është shumë më pak e popullarizuar në mesin e grupeve më të reja.

Çfarë thonë ukrainasit?

Shumë ukrainas besojnë se Rusia po e “zbut” vendin e tyre, përpara se ta pushtojë, duke përdorur taktika të epokës sovjetike, në përpjekje për të destabilizuar ekonominë, për të gjeneruar trazira civile, fushata shpifjesh, terror, sulme kibernetike, e madje edhe atentate.

Ekziston një besim se Rusia do të jetë në gjendje ta pushtojë me sukses, vetëm kur Ukraina të jetë në prag të shndërrimit në një shtet të dështuar.

Burimet: NATO, NPR, The Moscow Times, The New York Times, Qeveria e Kanadasë, The Local, REL, Al-Jazeera, Defense News, Euronews, Komisioni Evropian, dhe Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.
Përgatitën: Valona Tela, Lendi Susuri

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG